Ish-ministri kroat i Mbrojtjes: Vuçiç do të sulmonte Kosovën nëse Rusia do të fitonte në Ukrainë brenda një muaji
Ish-ministri i Mbrojtjes së Kroacisë, Ante Kotromanoviç, ka komentuar zhvillimet e sigurisë në rajon, duke e vendosur në fokus edhe Kosovën dhe retorikën e vazhdueshme të Serbisë ndaj saj.
Duke folur për armatosjen e Serbisë dhe politikat e presidentit Aleksandër Vuçiç, ai vlerësoi se kjo ka më shumë funksion të brendshëm politik sesa strategjik.
“Ju rikujtoj se Kroacia dhe Serbia kanë nënshkruar një marrëveshje dypalëshe për bashkëpunim ushtarako-teknik në vitin 2009. Në bazë të saj, ne u kemi dërguar ndihmë gjatë përmbytjeve dhe kemi zhvilluar së bashku 10 apo 15 stërvitje ushtarake të llojeve të ndryshme. Gjithçka që po bën tani Aleksandër Vuçiç në lidhje me armatosjen është një instrument i brendshëm, me të cilin ai forcon pozitën e tij dhe të partisë së tij, duke u përpjekur të kontrollojë të gjitha segmentet që i duhen për të qëndruar në pushtet”, tha ai.
Në këtë kontekst, Kotromanoviç theksoi se diskursi i Serbisë për Kosovën mbetet i vazhdueshëm dhe problematik.
“Besoj se Vuçiç do të kishte zbritur në Kosovë me forcat e tij dhe me disa rusë, nëse Rusia do ta kishte mposhtur Ukrainën brenda një muaji. Kush do ta kishte ndalur atëherë?”, u shpreh ai.
Ai bëri edhe një dallim mes armatosjes së Kroacisë dhe asaj të Serbisë, duke theksuar se Kroacia vepron në kuadër të NATO-s dhe nuk përbën kërcënim.
“Kroacia është anëtare e NATO-s dhe ka obligime. Në asnjë mënyrë nuk është kërcënim, as nuk do të bashkoheshim për të sulmuar Serbinë. Kjo është një absurditet i njohur.”
Kotromanoviç komentoi gjithashtu raportimet për përfshirjen e Izraelit në furnizimin me armatim të Serbisë, duke iu referuar edhe paralajmërimeve të presidentit kroat Zoran Milanoviç.
“Ai ka më shumë informacione se unë për këtë, por izraelitët patjetër kanë shitur një numër sistemesh te serbët. Madje mendoj se kanë integruar edhe avionët e Zagrebit në sistemet e tyre ajrore. Prandaj e kuptoj këtë kujdes dhe distancim politik nga Izraeli. Gjithashtu, ushtria jonë nuk do të dëmtohej nëse nuk bashkëpunon me Izraelin.”
Duke folur për ndryshimet në luftërat moderne, ai theksoi rëndësinë në rritje të teknologjisë, veçanërisht të dronëve.
“Duhet të mendojmë për dronët, sot ato përdoren në të gjitha segmentet e luftës. Duhet të punojmë dhe të trajnojmë forcat tona në këtë drejtim.”
Ai u shpreh gjithashtu në favor të një modeli të shërbimit ushtarak të detyrueshëm për të gjithë qytetarët.
“Nuk do të bëja dallim mes burrave dhe grave. Jemi pak më shumë se tre milionë dhe, duke parë se çfarë po ndodh në botë, duhet të kemi diçka të ngjashme.”
Në fund, ai komentoi edhe zhvillimet brenda NATO-s dhe në SHBA, duke përmendur edhe rolin e presidentit Donald Trump.
“Aleanca po lëkundet, por ana pozitive është se anëtarët tani e kuptojnë se duhet të mbështeten më shumë te vetja dhe më pak te SHBA-ja. NATO do të mbetet, ndërsa mandati i Trumpit përfundon për dy vjet.”
Po ndodh...
Denoncimi i berishizmit është parakusht për denoncimin e pushtetit
ide
Leksioni hungarez dhe 4 mesazhe për estabilishmentin politik në Shqipëri
Viktor Orbani diktator?
Pse nuk duhet besuar Kryeministri kur flet për rritjen ekonomike !
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128