Komisioneri i KE për vizitën në Shqipëri: Reforma në Drejtësi ka ndihmuar sfidat europiane

7 Shkurt 2026, 10:33 / POLITIKË ALFAPRESS.AL

Komisioneri i KE për vizitën në Shqipëri: Reforma në

SPAK, i themeluar si një shtyllë kryesore e reformës në drejtësi, ka bërë arritje të rëndësishme deri më sot dhe luan një rol kyç në dhënien e rezultateve të prekshme në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Komisioneri për Çështjet e Brendshme dhe Migracionin, Magnus Brunner, ka dhënë një intervistë ekskluzive për Euronews Albania. I intervistuar nga kryeredaktori i Euronews Albania, Qamil Xhani, Brunner ka folur për vizitën e tij në Shqipëri, synimet europiane ndaj vendit, procesin e integrimit dhe sfidat e Shqipërisë në raport me drejtësinë dhe emigracionin.

Gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri, Brunner zhvilloi disa takime, ku u takua me Kryeministrin Edi Rama, Ministren e Brendshme Albana Koçiu, kreun e SPAK, Klodian Braho dhe ambasadorët e BE në Tiranë. Komisioneri u shpreh se synimi i vizitës së tij dhe mesazhi kryesor ishte vijimi i procesit të integrimit europian të Shqipërisë.

Nga ana tjetër, Brunner foli edhe për drejtësinë, ku sipas tij Reforma në Drejtësi, e miratuar në vitin 2016, ka qenë një pikë kyçe për të ndihmuar Shqipërinë në përballimin e sfidave europiane.

Së pari, do të donim t’ju pyesnim se cili është mesazhi kryesor i vizitës suaj të parë në Shqipëri si Komisioner?

Shqipëria është një pararendëse e procesit të anëtarësimit në BE dhe ju po jepni një kontribut të drejtpërdrejtë në sigurinë tonë të përbashkët. Kapitujt më të rëndësishëm dhe më kërkues në procesin e anëtarësimit janë ata mbi shtetin e së drejtës dhe sigurisë. Ata janë pjesët qendrore në procesin e anëtarësimit për çdo vend kandidat, dhe që, mbi të gjitha, do të sjellin dobi për shqiptarët. Jam këtu për të ofruar mbështetjen e BE-së dhe për t’u siguruar që të vazhdojmë në këtë rrugë me të njëjtën vendosmëri që kemi parë vitin e kaluar. Është investimi më i mirë për të ardhmen e Shqipërisë. Dhe është tërësisht në duart e popullit shqiptar.

Si e vlerësoni bashkëpunimin e Shqipërisë me institucionet e Bashkimit Evropian në menaxhimin e migracionit dhe flukseve të parregullta të migrantëve?

Faktet flasin vetë: një ulje prej 95% e mbërritjeve të paligjshme në rrugën e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria ështe vendi i parë i zgjerimit që miratoi në janar 2026 një Plan Veprimi Shengen, si dhe zbatoi një udhërrëfyes për përafrimin e vizave në nëntor 2025. I gjithë ky angazhim hap rrugën për anëtarësimin në BE dhe për t’u bërë pjesë e zonës më të madhe të lirisë së lëvizjes në botë.

Shqipëria ka një marrëveshje me Italinë për ngritjen e qendrave për migrantët nga vendet e treta. Pavarësisht vendimeve të gjyqësorit italian, a e shihni këtë marrëveshje si një model dhe një zgjidhje të mundshme për menaxhimin e migracionit edhe në vende të tjera?

Në vitin 2025, BE-ja tregoi se mund të japë rezultate në fushën e migracionit. Aktualisht po zbatojmë reformën më të madhe në Evropë për migracionin dhe azilin. Kjo reformë përfshin gjithashtu rregulla të reja për njerëzit që nuk kanë të drejtë të qëndrojnë në BE. Vitin e kaluar, vetëm 1 nga 5 persona, të cilët u urdhëruan të largoheshin, u kthyen vërtet. Kjo është e papranueshme. Kjo është edhe arsyeja pse propozuam një sërë rregullash të reja ambicioze, të cilat tashmë janë miratuar nga Shtetet Anëtare të BE-së.

Këto rregulla të reja ofrojnë gjithashtu një kornizë për të punuar mbi mënyra të reja për t’u angazhuar me vendet partnere në fushën e migracionit. Kjo është diçka që Shtetet Anëtare të BE-së po e shqyrtojnë tashmë dhe Komisioni luan një rol mbështetës në këtë drejtim. Për mua, ajo që është thelbësore është që BE-ja të fillojë të shohë përtej kufijve të vet dhe të ndjekë një qasje të plotë ndaj migracionit, një qasje që pranon se migrimi as nuk fillon dhe as nuk mbaron në kufijtë e BE-së dhe për këtë arsye duhet të ndjekë një qasje më gjithëpërfshirëse.

Raporti i Progresit i vitit 2025 pohon se krimi i organizuar mbetet një sfidë serioze për Shqipërinë. A shihni përparim konkret nga Shqipëria në këtë fushë?

Po, vërtet, Shqipëria ka bërë përparim konkret. Përafrimi i politikave dhe kuadrit ligjor të saj me acquis e BE-së është një element kyç i rrugës së Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE dhe që tashmë po kontribuon në sigurinë tonë të përbashkët. Nevojiten përpjekje të mëtejshme për të forcuar kapacitetin e zbatimit të ligjit dhe për të siguruar hetime efektive.

Si e vlerësoni performancën e Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar?

Siç e thashë më sipër, këta janë kapituj kyç në procesin e anëtarësimit dhe, para së gjithash, janë në interes të popullit shqiptar. Reforma në drejtësi që Shqipëria miratoi në vitin 2016 ka ndihmuar për trajtimin e këtyre sfidave. SPAK, i themeluar si një shtyllë kryesore e reformës në drejtësi, ka bërë arritje të rëndësishme deri më sot dhe luan një rol kyç në dhënien e rezultateve të prekshme në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Bashkëpunimi me Europol-in është i fortë: Shqipëria e ka forcuar praninë e saj atje dhe ka kryer pothuajse 110 operacione të përbashkëta policore me partnerë ndërkombëtarë në vitin 2024. Forcimi i këtij bashkëpunimi dhe arritja e rezultateve konkrete për stabilitetin, shtetin e së drejtës dhe sigurinë e qytetarëve tanë janë në qendër të takimeve të mia në Shqipëri.

Qeveria shqiptare ka vendosur vitin 2030 si vitin objektiv për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian. A e konsideroni këtë afat të arritshëm, bazuar në reformat e zbatuara deri më tani?

Mesazhi ynë është i qartë: vazhdoni në të njëjtën rrugë. Shqipëria është në rrugën e duhur. Janë ndërmarrë reforma të rëndësishme. Për të arritur objektivin e vitit 2030, këto përpjekje duhet të vazhdojnë. Kjo është veçanërisht e vërtetë për forcimin e kapaciteteve të zbatimit të ligjit dhe përmirësimin e efektivitetit të hetimeve./Euronews

Po ndodh...