Një biografi e shkurtër/ Kush ishte presidenti Bujar Nishani, karriera, formimi dhe familja!

28 Maj 2022, 14:33 / POLITIKË ALFA PRESS

Një biografi e shkurtër/ Kush ishte presidenti Bujar Nishani,

Ditën e sotme ka ndërruar jetë një nga figurat kryesore të Partisë Demokratik dhe ish-presidenti i vendit, Bujar Nishani, i cili pas një lufte disa javore nuk mundi ta fitonte betejë e jetës në një nga spitalet e Gjermanisë.
Më 11 Qershor 2012 në moshën 46 vjeçare, Bujar Nishani, u zgjodh president i vendit me votat e shumicës demokrate në atë kohë
Nishani në fillimet profesionale të tij ka qenë një ushtarak dhe politikan karriere si dhe me një përvojë të rëndësishme akademike, të Forcave të Armatosura të Republikës.
I lindur në Durrës, me rrënjë nga Gjirokastra, menjëherë sapo përfundon arsimin tetëvjeçar nis shkollimin e gjatë në Akademinë Ushtarake “Skënderbej”, në fillim të mesmen e më pas shkollën e lartë. Arsimin e përfundon me rezultate të shkëlqyera, ndaj dhe emërohet si pedagog në universitetin e vetëm ku formohen oficerët e ushtrisë shqiptare.
Zoti Nishani i përkiste një familje me prejardhje intelektuale, e cila ka nxjerrë edhe njerëz të njohur, madje ka lidhje edhe me një nga ish-presidentët e vendit, Omer Nishanin. Por për një periudhë kohore, si pasojë e koniunkturave biografike që ishin të detyruara në regjimin komunist, zoti Nishani mbajti për një kohë të gjatë mbiemrin Mehmeti, të cilin pas rrëzimit të komunizmit e rikthen tek origjina e rrënjëve familjare.
Me ardhjen e demokracisë në vend, pikërisht pas emërimit në postin e ministrit të Mbrojtjes të të ndjerit Safet Zhulali, Bujar Nishani thirret për të punuar në dikasterin e mbrojtjes, si ekspert dhe drejtues i marrëdhënieve me jashtë të këtij institucioni. Në vitin 1994, si pasojë e punës dhe rezultateve, ai promovohet në zyrën e Ministrisë së Mbrojtjes që merret me marrëdhëniet me NATO-n.

Dy vjet më pas, pikërisht në vitin 1996, zoti Nishani thirret për të punuar në kabinetin e ministrit Zhulali, si një nga njerëzit e afërt të tij. Por karriera zyrtare e ushtarakut, e kreut të ri të shtetit shqiptar, do të pësonte një ndalim, si pasojë e ndryshimeve politike në Shqipëri, kur në vitin 1997 në qeverisje erdhën socialistët.
Bujar Nishani, gjatë qeverisjes së majtë, shkëput lidhjet me uniformën dhe dalëngadalë i futet profesionit të politikanit, duke u bërë shpejt një nga figurat më të spikatura të Partisë Demokratike në ato vite të vështira.

Kështu pas një kohe në profesionin e lirë, Nishani rikthehet aktiv në Partinë Demokratike, anëtar i së cilës ishte bërë që në vitin 1991, pra pak kohë nga themelimi i saj. Por ngritja në karrierën politike do të jepte sinjalin e parë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2001, kur ai do të aktivizohej vrullshëm. Puna si aktivist politik do të promovohej me zgjedhjen në një nga postet më të larta të degës së PD-së të kryeqytetit, ku zoti Nishani u zgjodh në vitin 2001 si sekretar i saj.

Pikërisht struktura më e rëndësishme në terren e opozitës së atëhershme do t’i jepte Bujar Nishanit edhe shtysën përfundimtare për t’u ngritur në majat e politikës së selisë blu. Në zgjedhjet e korrikut në vitin 2005, Nishani fitoi në mënyrë spektakolare në një zonë zgjedhore të majtë, siç ishte Kombinati, duke konkurruar me ministrin e Brendshëm të asaj kohe, Igli Toska.

I zgjedhur në kryesinë e lartë të PD-së, Nishani nuk u përfshi menjëherë në ekzekutivin e PD-së, por koha do të vinte pas dorëheqjes së Sokol Olldashit si ministër i Brendshëm, si pasojë e humbjes së garës për kryetar bashkie të Tiranës. Postin e kreut të dikasterit të Rendit zoti Nishani e drejtoi deri në zgjedhjet parlamentare të 2009-s, pas të cilave u emërua ministër i Drejtësisë.
Por në vitin 2011 do të rikthehej sërish në postin e ministrit të Brendshëm, pas dorëheqjes së Lulzim Bashës. Këtë post e mbajti deri më 11 qershor 2012 kur u zgjodh President i Republikës.
Pas vitit muajit korrik të vitit 2017 kur edhe i mbaroi mandate i kreut të i shtetit, ai ka qenë mjaft aktiv si analist politik por edhe brenda zhvillimeve të vrullshme në Partinë Demokratike në opozitë. Ai ishte i martuar me znj. Odeta Nishani dhe kanë dy fëmijë, Ersi dhe Fiona Nishani.

 

Po ndodh...

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128