Premier League/ Përplasje e frikshme kokë më kokë, Morgan Gibbs-White dhe Robert Sánchez përfundojnë me qepje

5 Maj 2026, 17:12 / SPORT ALFA PRESS
Premier League/ Përplasje e frikshme kokë më kokë, Morgan

Një moment tronditës ka shënuar ndeshjen mes Chelsea-t dhe Nottingham Forest, e fituar 3-1 nga mysafirët, ku një përplasje e fortë kokë më kokë mes Morgan Gibbs-White dhe portierit Robert Sánchez la të dy lojtarët të gjakosur dhe me qepje në fytyrë.

Incidenti ndodhi në pjesën e dytë, kur Gibbs-White, i futur si zëvendësues, u përplas dhunshëm me ‘gardianin’ e Chelsea-t. Mesfushori anglez u detyrua të largohej nga fusha në minutën e 66-të, ndërsa më vonë publikoi një foto në rrjetet sociale ku shihej me disa qepje nga balli deri pranë hundës. Pavarësisht plagës së rëndë, ai u shfaq optimist, duke falënderuar tifozët për mbështetjen dhe duke festuar fitoren e skuadrës së tij.

Edhe Sánchez nuk shpëtoi pa pasoja, duke u zëvendësuar pas përplasjes dhe duke treguar më vonë plagën e tij në kokë. Ai i dërgoi një mesazh sportiv Gibbs-White, duke i uruar shërim të shpejtë.

Kjo nuk ishte e vetmja situatë shqetësuese në ndeshje. Në pjesën e parë, i riu Jesse Derry u largua me barrelë dhe përfundoi në spital pas një tjetër përplasjeje të rëndë.

Trajneri i Nottingham Forest, Vítor Pereira, u shpreh optimist për rikthimin e Gibbs-White, duke theksuar forcën mendore të lojtarit: “Ka një prerje të thellë, por është luftëtar. Shpresojmë që stafi mjekësor ta rikthejë në kohë, sepse është shumë i rëndësishëm për ne.”

Sipas protokolleve të UEFA-s për tronditjet në kokë, lojtarët duhet të qëndrojnë jashtë për të paktën gjashtë ditë, çka e vë në dyshim pjesëmarrjen e tij në ndeshjen e ardhshme të rëndësishme në Europë.

Pavarësisht incidenteve, Nottingham Foresti mori një fitore të madhe në “Stamford Bridge”, duke dhënë një sinjal të fortë para sfidave vendimtare të sezonit.

Po ndodh...