Ai që demokratizoi Dijet – Johannes Gutenberg në një përvjetor vdekje.

9 Shkurt 2022, 10:28 / DOSJE ALFA PRESS
Ai që demokratizoi Dijet – Johannes Gutenberg në një

Shkrimi – si mënyrë fiksimi dhe transmetimi të dijeve, nga njëri brez tek tjetri, është aq i hershëm sa sot midis historianëve nuk ka një datë të saktë të lindjes të tij. Atë e gjejmë në Mesopotami, në Asiri, në Egjipt, në Hindi apo Kinën e lashtë edhe para 4 mijë ose 5 mijë vjet më parë.

Skribët, ishin priftërinj që, me durim e këmbëngulje, shkruanin në pergamenë (lëkurë) gjithë dijet e kohës. Aty shkruhej jeta e mbretërve, ligjet që ata vendosnin mbi popujt e tyre, ritet dhe zakonet fetare kushtuar Perëndive, ato pak të dhëna nga ndërrimi i stinëve, nga bujqësia si dhe njohuritë astronomike të lidhura me to. Prodhimi i një kopje të tillë ishte një punë e lodhshme, e mundimshme, por edhe shumë e kushtueshme, sepse kryhej me dorë, fjalë pas fjale dhe fjali pas fjalie. Vetëm klerikët dhe klasat e larta të shoqërisë së kohës mund t’i blinin ato produkte të shtrenjta, pa folur për leximin e tyre. Mendoni sa mund të binin në dorë të njerëzve të thjeshtë “libra” të tillë !

U desh të vinte Gutembergu, që dija njerëzore të demokratizohej, pra të hynte në dyert e sa më shumë njerëzve, të bëhej pasuri e përbashkët e Njerëzimit. Me plot të drejtë ai sot konsiderohet si ati i komunikimit masiv. Ai është shpikësi i shtypjes së librave me germa të lëvizshme prej metali dhe me këtë, kontribuoi në mënyrë vendimtare në suksesin e asaj lëvizje të madhe shoqërore që njihet si – Reforma. Për këtë shoqata botërore e gazetarëve e zgjodhi atë “Njeriun e mijëvjeçarit”.

Ai lindi rreth vitit 1400 në Mainz, në Gjermani dhe vinte nga një familje e pasur tregtare. Midis 1452 dhe 1454 ai punoi për vënien në jetë të shpikjes të vet, prodhimin e germave metalike të lëvizshme, që ishte baza teknologjike e shtypshkrimit të librit. Ai ishte mekanik i aftë dhe njëkohësisht sipërmarrës që i hynte rrezikut. Ishte personalisht ai që ndërtoi për herë të parë shtypshkronjën manuale me levë. Germat mund të shtoheshin si të dëshiroje, fjalë dhe fjali të tëra mund të hidheshin në faqe, dhe e gjitha riprodhohej sa herë të doje.

Një shpikje që e revolucionarizoi shkëmbimin e dijeve dhe solli ide të reja në popull me tirazh të lartë për kushtet e Mesjetës. Me të drejtë thuhet se Mesjetën e shembën baruti dhe shtypshkronja.

Në vitin 1450 mjeshtri ndërmori punën më ambicioze të tij: brenda dy vjetësh ai shtypi, me ndihmën e 20 të punësuarve të tij, 180 kopje të Biblës së Luterit.  Bibla është jo vetëm vepra e parë, por edhe libri më i bukur, që është shtypur ndonjëherë nga shtypshkronja e tij.

Teknika e tij u shpërnda me shpejtësi në të gjithë Evropën. Në vitin 1500 numëroheshin rreth 250 shtypshkronja të tilla. Edhe në Voskopojë shtypshkronja daton nga mesi i shek. 18-të dhe me të u shtypen librat e Teodor Kavaliotit.

Ndonëse sot, falë digjitalizimit elektronik, shpikja mekanike e Gutembergut mund të duket një lojë fëmijësh, në historinë e Njerëzimit ajo mbetet një gur i rëndë themeli, në fiksimin dhe përhapjen e dijeve, pa të cilat nuk mund të përfytyrohet zhvillimi i sotëm.

 

Po ndodh...