Bllokohet gomonia në Ksamil, pronari gjobitet me 10 mijë lekë të reja

6 Qershor 2023, 13:23 / AKTUALITET ALFA PRESS

Bllokohet gomonia në Ksamil, pronari gjobitet me 10 mijë lekë

Një gomonë është bllokuar ditën e sotme pranë bregut të detit në Ksamil. Polica ka bllokuar gomonen, pasi lëvizte jashtë zonës së përcaktuar, nuk kishte të gjitha dokumentet e nevojshme dhe ka gjobitur pronarin e mjetit lundrues.

Në pamjet e publikuara nga JOQ Albania shihej se pranë kësaj gomoneje kishte fëmijë dhe të rritur që laheshin, çka përbën rrezik. Pas bllokimit të gomonës, është gjobitur me 10 mijë lekë të rinj pronari i saj. 

Njoftimi i Policisë:

Bllokohet një mjet lundrues (gomone), për lundrim jashtë zonës së përcaktuar për mjetet lundruese, i konstatuar nga patrullat që monitorojnë nga toka, vijën bregdetare. Në vijim të kontrolleve të ushtruara në zbatim të planit të masave të hartuar nga Policia e Shtetit, për garantimin e rendit dhe sigurisë publike në zonat turistike, shërbimet e Policisë Kufitare, ditën e djeshme, kanë konstatuar një mjet gomone që lundronte në zonën bregdetare të quajtur “Gjiri i Podajve”, Ksamil.

Në vijim të veprimeve, mjeti lundrues gomone, që ishte publikuar edhe në portalin JOQ, u bllokua nga Policia Kufitare, ndërsa për pronarin e tij, shtetasin K. P., u vendos masa administrative 10 000 lekë të rinj, për mungesë të dokumentacionit të nevojshëm në bord. Policia e Shtetit apelon për të gjithë pronarët dhe përdoruesit e mjeteve lundruese të të gjitha llojeve, që të zbatojnë rregullat e përcaktuara për përdorimin e këtyre mjeteve, të mbajnë në bord dokumentacionin e nevojshëm dhe të lundrojnë vetëm në zonat e përcaktuara për mjetet lundruese, që të mos rrezikojnë jetën e pushuesve. Ftojmë qytetarët që të denoncojnë në numrin pa pagesë 112, çdo rast të shkeljes së rregullave të përdorimit të mjeteve lundruese apo të lundrimit të tyre jashtë zonës së përcaktuar, duke iu garantuar reagim të menjëhershëm nga strukturat e Policisë.

 

 

Po ndodh...

ide