Fotot e projektit/ Rama i jep “Kafen e Madhe” në Shkodër ish-deputetit Agron Çela, do ta bëjë hotel

Familja e ish-deputetit të LSI-së dhe PS-së, Agron Çela, do të rindërtojë “Kafen e Madhe” në Shkodër, pas një debati që zgjati disa vite, teksa godina e cila është një monument kulture u la në harresë dhe u shkatërrua. Dyshimet ishin se shkatërrimi u bë me dashje, kjo për t’i hapur rrugë rindërtimit dhe tjetërsimit të godinës ekzistuese.
Vox News ka siguruar ekskluzivisht dokumentet e lejes së KKTU-së, ku rezulton se ndërtesa ikonike do të shndërrohet në hotel, nga një prej familjeve më me ndikim në qytetin veri perëndimor të Shqipërisë, e cila vetëm para pak muajsh fitoi edhe ankandin e qeverisë për ndërtimin e një resorti në vilën e ish-diktatorit Enver Hoxha në zonën e Velipojës.

Ditët e fundit, qeveria ka firmosur lejen e ndërtimit për “Kafen e Madhe” në Shkodër, teksa dokumentet e siguruara ekskluzivisht nga redaksia jonë flasin se bëhet fjalë për “miratimin e lejes së ndërtimit për objektin, restaurimi, rindërtimi i Kafes së Madhe dhe ndërtim i objektit hoteleri 3 kate mbi tokë dhe 1 kat nëntokë” me vendndodhje në Bashkinë Shkodër.
Rindërtimi erdhi me propozim të subjektit zhvillues, shoqërisë “Xhenis -Sh”, në pronësi të zonjës Belma Çela, bashkëshortja e ish-deputetit Agron Çela, i cili më parë ka qenë nën siglën e LSI-së dhe më vonë të Partisë Socialiste. Një tjetër “shpërblim” për këtë familje, pasi më parë edhe vajza e Agronit, kandidoi me PS-në në zgjedhjet e fundit parlamentare. Një rreshtim totalisht në favor të mazhorancës, teksa aktualisht për familjen janë dhënë edhe frytet.

Në dokumentin e lejes për “Kafen e Madhe” shkruhet se godina u projektua nga mjeshtri i madh Kolë Idromeno në fillim të shekullit të 20-së. Një nga veprat më të mira të tij, mbart në vete influencë të dukshme nga arkitektura Austro – Hungareze e asaj periudhe.
“Gjatë viteve të diktaturës është emërtuar ‘Kafe Park’ dhe kati i sipërm është shfrytëzuar si ‘Hotel Park’. Zonjat do të vishnin fustanet më të bukura dhe zotërinjtë kostumet më të mira për të vizituar Kafen e Madhe duke u bërë kështu qendër sociale shumë e rëndësishme”, thuhet në dokumente.
Sipas saj, gradualisht si pasojë e mos investimit dhe neglizhencës godina filloi të mos shfrytëzohej duke i dhënë fund kështu jetës plot gjallëri që reflektonte. “Në kohën aktuale megjithëse është klasifikuar si Monument kulture i kategorisë së parë ndodhet në gjendje mjaft të degraduar. Objekti nuk ka pësuar shndërrime në morfologjinë e tij duke ruajtur tiparet arkitektonike-volumetrike por në një gjendje të degraduar”, vijon dokumenti.



Në dokumente shkruhet se do të tentohet që të ruhet fasada e vjetër. “Punimet e sigurimit, konservimit dhe ndërhyrja restauruese duhet të realizohen konform normave dhe rregullave në fuqi si dhe duke iu referuar metodikave dhe praktikave më të mira”, thuhet në dokument.
Më tej vijon se për të garantuar një vazhdimësi të punimeve dhe sigurinë publike është parashikuar mbyllja ose kushtëzimi i kalimit në disa rrugë, gjithashtu aty ku është e mundur është parashikuar ndërtimi i mbrojtjeve, skela me rrjeta metalike, të objekteve ngjitur, nga rrëzimet aksidentale të materialeve nga lartësitë.Në dokument shkruhet se përveç restaurimit, do të tentohet edhe dhënia e funksioneve të cilat do rikthenin lavdinë e dikurshme “Kafes së Madhe” si hotel, bar kafe dhe qendër sociale. Në të do të bëhet parkim, spa center, pishinë, bar, restorant, butik, sallë konferencash, zyra dhe dhoma hoteli.
“Objekti do përshtatet në mënyrë sa më të mirë funksionale duke përfshirë në të funksione që i përshtaten pozicionit dhe nevojave të komunitetit, duke qenë në afërsi të qendrës dhe zonave të banuara propozimi parashikon të përfshihen ambiente social – kulturore të cilat do të funksionojnë me akses direkt nga jashtë por edhe të brendshëm. Kati i fundit do të jetë pjesërisht i mbyllur dhe kryesisht verandë”, vijon dokumenti. /Vox News
Po ndodh...
ide
Jemi dëshmitarë të batërdisë, që po bëhet në Vlorë!
Pse PD nuk e trondit as disidenca as dorëheqjet?
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128