Gjyqi për vrasjen e Ardit Spahiut/ Çopja dhe Murataj sfidojnë prokurorinë: Dosja s’ka prova konkrete!

7 Shkurt 2026, 11:47 / AKTUALITET ALFA PRESS

Gjyqi për vrasjen e Ardit Spahiut/ Çopja dhe Murataj sfidojnë

Procesi gjyqësor për vrasjen e Ardit Spahiut, ngjarje e ndodhur më 27 nëntor 2020 në Molenbeek, vijon në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Bruksel, ndërkohë që ka përplasje mbi besueshmërinë e provave të paraqitura nga prokuroria.

Sipas mediave të huaja, në seancën e fundit, mbrojtja e të akuzuarit Elvis Murataj kërkoi shpalljen e pafajësisë së klientit të saj, duke vënë në dyshim përshkrimet e dëshmitarëve, provat e ADN-së dhe komunikimet e përgjuara përmes Sky ECC. Avokatët argumentuan se Murataj nuk ka pasur asnjë rol në atentatin ndaj Spahiut.

Sipas tyre, përshkrimi fizik i bërë nga dëshmitarët e drejtpërdrejtë për tre personat që ndodheshin në makinën e përmendur është i papajtueshëm me profilin e Elvis Muratajt.

Ndërkohë edhe Franc Gergely, i njohur si Franc Çopja, ka kërkuar pafajësinë, duke e konsideruar dosjen e prokurorisë të pabesueshme dhe të pambështetur në prova konkrete. Ai renditet mes katër të pandehurve që kanë kundërshtuar akuzat, së bashku me Elton Roçin, Blerim Mamutajn dhe Elvis Muratajn.

Sipas hetimeve, Ardit Spahiu u qëllua me 18 plumba nga dy armë zjarri, në atë që prokuroria e konsideron si një akt hakmarrjeje mes klaneve shqiptare. Dy persona të tjerë të dyshuar si atentatorë, Flobenc Meçja dhe Endrit Sadedini, nuk janë të pranishëm në këtë proces, pasi ndodhen të burgosur në Shqipëri për çështje të tjera penale.

Gjyqi pritet të vijojë me seanca të tjera, ku do të dëgjohen argumentet përfundimtare për secilin prej të akuzuarve, përfshirë edhe Franc Çopjan, ndërsa juria do të duhet të vlerësojë nëse provat e paraqitura janë të mjaftueshme për shpalljen e fajësisë.

Po ndodh...