Hetimet e SPAK për AKSHI-n zbulojnë jahtin luksoz të Ermal Beqirajt me vlerë 950 mijë euro, e kishte fshehur në emër të punonjëses së tij

26 Dhjetor 2025, 12:30 / AKTUALITET ALFA PRESS

Hetimet e SPAK për AKSHI-n zbulojnë jahtin luksoz të Ermal

Hetimet e SPAK të nisura për çështjen e AKSHI-t, kanë zbuluar edhe një jaht luksoz në pronësi të biznesmenit të shpallur në kërkim, Ermal Beqiraj. Bëhet fjalë për një jaht të markës Predator 50 Skyfall, vlera e të cilit në treg shkon mbi 950 mijë euro. Nga kontrollet e BKH-së, mjeti lundrues mësohet se është gjetur i ankoruar në Durrës.  

Sipas SPAK, biznesmeni Beqiri e ka vendosur këtë jaht në pronësi të Xhenila Tamizit, punonjëse e kompanisë “Soft & Solutions", por prokurorët e posaçëm dyshojnë se jahti është blerë nga biznesmeni Beqiraj. Në dosjen e SPAK, Tamizi rezulton se është personi që rekrutonte edhe stafin për kompaninë e Beqirit dhe më pas i transferonte tek kompania e biznesmenit Ergys Agasi, i shpallur po ashtu në kërkim.

“Në vijim, me qëllim verifikimin e të dhënave te konstatuara, te cilat rezultuan nga ushtrimi i këtij  kontrolli, është proceduar me marrjen në pyetje të disa punonjësve te shoqërisë "EA Solution" sh.p.k. Këta shtetas në tërësi kanë deklaruar se njoftimet për punë i kanë parë në internet, trajnimet e tyre i ka bërë shtetasja Xhenila Tamizi. Nga aktet kjo shtetase rezulton të jetë e punësuar në shoqërine "Soft & Solutions" sh.p.k., madje në emër te saj rezulton edhe sendi i blerë nga Ermal Beqiri, mjeti lundrues Predator 50 Skyfall (jaht). Pasi janë trajnuar, punonjësit bëjnë me dije se kontratat janë lidhur me një shoqëri tjetër, të ndryshme nga "Soft & Solutions", konkretisht me shoqërinë "EA Solutions", thuhet në dosjen e SPAK.

Ermal Beqiraj dhe Ergys Agasi akuzohen nga SPAK për konkurrencë të paligjshme përmes dhunës, heqje e paligjshme e lirisë, shkelje e barazisë në tenderë, pastrim parash e grup i strukturuar kriminal. Ata dyshohet se kanë marrë peng biznesmenin Gerond Meçe, derisa pranoi të tërhiqej nga ankimimet që kishte bërë për disa tenderë shtetërorë.

Gjatë kontrolleve që SPAK ushtroi për arrestimin e Agasit, në vilën e tij zbuloi edhe një koleksion me 900 shishe verë në pronësi të tij, por që u zhdukën pa asnjë gjurmë. Agjentët e BKH-së, të cilët ushtruan kontroll me urdhër të SPAK kishin konstatuar se pijet ishin pa pullë fiskale. Për këtë ato njoftuan Doganën, e cila bllokoi mallin, por pa e vënë atë në ruajtje, deri në momentin kur do duhet të shkonin për të tërhequr shishet e bllokuara. Për këtë episod u shpall në kërkim kushëriri i Agasit, Eno agasi, ndërsa u zbulua edhe se është fshirë serveri i kamerave së vilës së Agasit, në një zonë në periferi të Tiranës.

Po ndodh...