Historia e miqësisë sime me Parashqevi Simakun, flet ish shoqja e dhomës Rita Ndoci!

17 Dhjetor 2024, 21:47 / AKTUALITET ALFA PRESS

Historia e miqësisë sime me Parashqevi Simakun, flet ish shoqja e
Rita Ndoci erdhi sonte në Dritare TV në emisionin Dekalog nga Roland Qafoku, për të folur për Parashqevi Simakun. Rita Ndoci e njeh artisten e madhe shqiptare qysh kur ishte fëmije, në Festivalin e Pionerve në Shkodër.

Ajo ndau me publikun copëza të jetës së Parashqevisë, që nga festivalet për fëmijë ku të dyja merrnin pjesë, te shfaqjet qytet me qytet, deri te festivalet e mëdha, ku Parashqevia u bë artistja e madhe duke rrëmbyer zemrat e gjithë shqiptarëve. Ndiqe më poshtë rrëfimin e Rita Ndocit, për shoqen e saj, Parashqevi Simaku!

“Unë për herë të parë e kam njohur Parashqevinë në Festivalin e Pionerëve në Shkodër. Sa e njoh unë Parashqevinë nuk e njeh kush. E njoh 360 gradë. Ne kemi qenë bashkë të dyja kudo, nëpër festivale, kudo, nuk dilnim kurrë pa njëra-tjetrën.

Për herë të fundit me Parashqevinë kam komunikuar në vitin 2003. Asokohe kam qenë në Nju-Jork, ajo më priti të takojmë, por unë nuk arrita. Më mbeti peng prej shumë kohësh.

Kur e pashë së fundmi, mendova për vetminë e saj, por edhe krenarinë e saj. Por ne nuk e dimë të plotë historinë e Parashqevisë.
Unë nuk e di si do të sillesha nëse do të ndodhesha në të njëjtën situatë. Nuk është e thjeshtë për një nënë ta ndajnë nga fëmija. Unë nuk e di se si ia kanë dalë t’ia marrin fëmijën, sepse ka kritere të forta. Por në shtetin e së drejtës nënat kanë gjithmonë prioritet. Por në kohën e Enver Hoxhës duheshin dy veta të të fusnin në burg, ndërsa jashtë shtetit, një njeri mjafton që të ta shkatërrojë jetën. Për Parashqevinë është kjo e dyta.

Djali i Parashqevisë sot ështe në moshë madhore. Ai duhet ta kërkojë nënën. Ndoshta i kanë thënë që të ka vdekur nëna. Parashqevia u vetëmohua, u vetëshkatërrua për fëmijën e saj. Nuk e di çfarë informacionesh ka ai fëmijë për nënën e tij Parashqevinë, që u shkatërrua për t’ia ndier erën djalit. Unë e jam nënë vetë, e kuptoj shumë mirë dramën e saj.

Parashqevia ka vendosur vetë që ta presë të birin në atë stacion treni, mbase deri sa t’i dalë shpirti. Por këtë që po ndodh, unë e vuaj bashkë me të. Asaj iu cenua komplet privatësia. Pse këndoi ajo aty fshehur? Mund të ketë pasur edhe njerëz që e kanë vënë re dhe kanë kaluar. Ajo mënyrë e të bërit nder, për mua është më poshtëruese. Për mua Parashqevia është e vrarë dy herë. Shoqëria shqiptare m’u duk si fletërrufe e ’74-ës që lexonim ne kundër artistëve, figurave të shkolluara.

Nëse do më jepet mundësia tani, do bëja një telefonatë mes kolegesh me Parashqevinë. Do t’i thosha: “Parashqevi, ti i ke arritur të gjitha qëllimet e tua! Por ndoshta ka ardhur që për gjërat që nuk i arrin, ta kalosh situatën, të forcosh veten, shpirtërisht, psikologjikisht për ta përballuar edhe atë dështim. Kjo është forca njerëzore. Nuk ka rëndësi si biem, rëndësi ka si ngrihemi. Ti duhet të ngrihesh, e t’ia dalësh për veten, por edhe për djalin.” Me këtë mesazh e mbyll bisedën mikja e Parashqevisë, Rita Ndoci./K.C/dritare.net

 

Po ndodh...