Analiza: A do ta bëjë marrëveshja amerikane TikTok-un më të sigurt, por më pak tërheqës?

20 Dhjetor 2025, 09:36 / BOTA ALFA PRESS

Analiza: A do ta bëjë marrëveshja amerikane TikTok-un më

TikTok, platforma e njohur e videove të shkurtra në pronësi të kompanisë kineze ByteDance, ka nënshkruar një marrëveshje me investitorë për menaxhimin e aktivitetit të saj në Shtetet e Bashkuara.

Por çfarë do të thotë kjo për mbi 170 milionë përdorues amerikanë, siç pretendon vetë platforma?

Çelësi i ndryshimeve mund të jetë mënyra se si do të menaxhohet algoritmi i rekomandimeve, sistemi i fuqishëm që ndërton faqen “For You” dhe parashikon se çfarë përmbajtjeje ka më shumë gjasa të shikojë çdo përdorues.

Eksperti i industrisë së rrjeteve sociale, Matt Navarra, i tha BBC-së se pyetja nuk është nëse TikTok do të mbijetojë, por “cili version i TikTok-ut do të mbijetojë”.

Aktualisht, sistemi i TikTok-ut mbështetet në sasi gjigante të dhënash globale dhe cikle reagimi që mund të ndryshojnë rekomandimet pothuajse në çast. Sipas kushteve të marrëveshjes, algoritmi i TikTok-ut, i cili do të licencohet nga investitori Oracle, pritet të ritrajnohet mbi të dhënat e përdoruesve amerikanë.

Navarra paralajmëron se kjo mund ta bëjë aplikacionin të ndihet “më i sigurt dhe më i qëndrueshëm”, por njëkohësisht rrezikon ta bëjë “më pak thelbësor nga ana kulturore”.

“Fuqia e TikTok-ut ka ardhur gjithmonë nga ndjesia se është paksa jashtë kontrollit – i çuditshëm, herë-herë i pakëndshëm, ndonjëherë politikisht i mprehtë, përpara se kjo përmbajtje të shfaqej diku tjetër,” tha ai.

“Nëse fillon t’i zbutësh këto skaje, nuk ndryshon vetëm moderimin. Ndryshon vetë rëndësinë e platformës.”

A do të përputhet algoritmi me atë të ByteDance?

Nëse versioni amerikan do të jetë i ndryshëm nga TikTok-u që përdor pjesa tjetër e botës, mund të varet edhe nga fakti nëse ai do të marrë njëkohësisht “të gjitha veçoritë e reja, përditësimet e sigurisë dhe përmirësimet e platformës”, tha për BBC-në gazetari i teknologjisë Will Guyatt.

Ndërkohë, ekspertja e informatikës Kokil Jaidka nga Universiteti Kombëtar i Singaporit vlerëson se elementët që e kanë bërë TikTok-un popullor, si videot e shkurtra dhe blerjet online, ka gjasa të mbeten të pandryshuara, pasi nuk varen drejtpërdrejt nga algoritmi.

Megjithatë, sipas saj, ndryshimet mund të jenë më të fshehta dhe graduale, nëse versioni amerikan, i “izoluar” nga të dhënat globale, nuk arrin të ketë të njëjtin shtrirje dhe dinamizëm.

“Nëse TikTok operon me një algoritëm të licencuar ose pjesërisht të dobësuar, disa nga pikat e verbra të sistemit mund të fillojnë të ndihen më shumë,” tha ajo.

“Në praktikë, kjo do të thotë që algoritmi amerikan mund të vonojë në personalizim dhe t’i duhet më shumë kohë për t’iu përshtatur përmbajtjeve virale.”

Të eksperimentojë apo të sillet “si duhet”?

Oracle është prej kohësh partneri i TikTok-ut për shërbimet cloud në SHBA dhe drejtohet nga Larry Ellison, një aleat i presidentit Donald Trump. Një tjetër investitor i huaj, fondi shtetëror i Abu Dhabit MGX, do t’i bashkohet marrëveshjes, së bashku me fondin e kapitalit privat Silver Lake.

Sipas Navarrës, presioni nga këta investitorë mund ta bëjë aplikacionin amerikan të ndihet më “i zbehtë” dhe më pak i guximshëm.

“Testi i vërtetë nuk do të jetë nëse përdoruesit do të largohen,” tha ai.

“Por nëse TikTok do të vazhdojë të ndihet si vendi ku interneti shkon për të eksperimentuar – apo nëse do të kthehet në vendin ku shkon për t’u sjellë siç duhet.”

Po ndodh...

ide