BE i kërkon Gjermanisë të heqë gradualisht kontrollet kufitare brenda zonës Shengen

2 Qershor 2026, 13:57 / BOTA ALFA PRESS

BE i kërkon Gjermanisë të heqë gradualisht kontrollet

Komisioni Evropian u ka bërë thirrje sot Gjermanisë dhe vendeve të tjera të Bashkimit Evropian, të heqin gradualisht kontrollet kufitare të vendosura brenda zonës Shengen.

Austria, Danimarka, Franca, Gjermania, Italia, Holanda, Norvegjia, Sllovenia dhe Suedia kanë vendosur, në vitet e fundit kontrolle të përkohshme kufitare, pavarësisht se janë pjesë e zonës Shengen, e cila garanton lëvizjen pa viza dhe pa kontrolle të rregullta kufitare mes vendeve anëtare.

Komisioni Evropian theksoi se këto masa të përkohshme, janë në përputhje me legjislacionin e BE-së në rrethana të caktuara, përfshirë shqetësimet reale dhe legjitime, që lidhen me kërcënimet ndaj sigurisë dhe situatën e emigracionit.

Kontrollet kufitare, në të gjitha kufijtë tokësorë të Gjermanisë, janë në fuqi që nga shtatori i vitit 2024.

Ato janë zgjatur tre herë që prej atëherë, më së fundmi deri në mesin e shtatorit 2026.

“Kalimet e paligjshme të kufirit kanë rënë me 40% në vitin 2026”, tha komisioneri i BE-së për Migracionin, Magnus Brunner.

Ai shtoi se Bashkimi Evropian po zbaton sistemet më moderne të menaxhimit kufitar në botë, gjë që u krijon qeverive kombëtare mundësinë të punojnë drejt heqjes graduale të kontrolleve në kufijtë e brendshëm.

Sipas Komisionit, tashmë ekzistojnë alternativa më efikase ndaj kontrolleve kufitare të brendshme, si kontrollet policore jo sistematike, identifikimi biometrik mobil dhe teknologjitë për gjurmimin e automjeteve.

Megjithatë, Komisioni Evropian nuk përcaktoi një afat konkret për heqjen e këtyre kontrolleve, duke rikujtuar se, në parim, kohëzgjatja maksimale e kontrolleve në kufijtë e brendshëm nuk duhet të kalojë dy vjet.

Po ndodh...

ide