
Franca në krizë për burgje/ Autoritetet po shqyrtojnë mundësinë e marrjes me qira të qelive në vende të tjera

Autoritetet franceze po shqyrtojnë një mundësi radikale për të trajtuar mbipopullimin e rëndë në burgjet e vendit: marrjen me qira të qelive në vende të tjera evropiane.
Por, ndërsa ideja, e prezantuar nga Presidenti Francez Emmanuel Macron në një intervistë televizive të kohëve të fundit me transmetuesin kombëtar TF1, ka ngjallur interes, ajo ka tërhequr gjithashtu kritika nga disa në sistemin e burgjeve, që shohin sfida logjistike, ligjore dhe etike.
"Holanda ia dha me qira shtretërit e burgut Belgjikës me stafin e vet, por sipas ligjit belg.
Personeli holandez duhej të trajnohej për të kuptuar se si funksiononin gjërat në burgjet belge", shpjegoi Dominique Simmonot, Kontrollori i Përgjithshëm i Francës për Vendet e Privimit nga Liria, një organ publik i pavarur, përgjegjës për kontrollin e burgjeve të vendit.
"Dhe së dyti, vizitat familjare ishin jashtëzakonisht të ndërlikuara, për shkak të kërkesave për vizë dhe distancës", shtoi Simmonot.
"Në fund, Belgjika e braktisi projektin, kështu që nuk shoh asnjë arsye për ta përsëritur eksperimentin."
Me më shumë se 82,900 të burgosur dhe vetëm 62,000 qeli burgu, Franca po i mbaron me shpejtësi hapësirat.
Është gjithashtu vendi me performancën e tretë më të keqe në Evropë për mbipopullimin e burgjeve, pas Qipros dhe Rumanisë, sipas një studimi nga Këshilli i Evropës të publikuar vitin e kaluar.
Annabelle Bouchet, Zëvendës Sekretare e Përgjithshme e sindikatës së stafit të burgjeve SNEPAP-FSU dhe një oficere e shërbimit të provës me shërbim të gjatë, gjithashtu nuk beson se ideja është realiste.
“Ka disa elementë shumë konkretë që, sipas mendimit tim, e bëjnë shumë të vështirë zbatimin e një ideje të tillë”, tha Bouchet për Euroneës.
"Së pari, nga pikëpamja buxhetore, të shkosh jashtë vendit për të marrë me qira ambiente ka një kosto. Dhe sot, gjendja e financave publike franceze është e tillë, që shkurtimet buxhetore duhet të bëhen kudo. Nuk e shoh se si mund të jetë fitimprurëse të dërgosh të dënuarit, në një strukturë tjetër jashtë kufijve tanë", theksoi ajo.
Si oficere e shërbimit të provës, Bouchet përmendi gjithashtu presionin e mundshëm mbi riintegrimin, duke paralajmëruar se vendosja e të burgosurve larg familjeve dhe rrjeteve të tyre mbështetëse, mund të ndikojë në rehabilitimin e tyre afatgjatë.
"Deportimi i njerëzve që janë dënuar dhe burgosur do të thotë se ata janë larg familjeve të tyre, por gjithashtu do të thotë se ata janë larg zonave të punësimit dhe aktorëve, që do t'u mundësojnë atyre të riintegrohen në shoqëri", shpjegoi ajo.
Më herët këtë vit, Ministri francez i Drejtësisë, Gérald Darmanin, sugjeroi ndërtimin e njësive modulare të burgjeve për të strehuar të burgosurit që vuajnë dënime më të shkurtra.
Macron ka shprehur gjithashtu interes për të përmirësuar ndërtimin e 5,000 vendeve të reja, duke përdorur struktura më të shpejta dhe më të lehta.
Por sipas atyre që punojnë në sistem, dërgimi i të burgosurve jashtë vendit ose ndërtimi i më shumë njësive, nuk do ta zgjidhë mbipopullimin e burgjeve.
Bouchet beson se dënimet alternative dhe këshillimi më i mirë për shëndetin mendor dhe varësinë, mund të ndihmojnë në uljen e popullsisë së burgjeve.
"Sot, jo të gjithë njerëzit që janë të sëmurë dhe që kryejnë vepra penale për shkak të varësisë ose problemeve të shëndetit mendor, duhet të jenë në burg. Duhet të mendojmë për një zgjidhje tjetër sepse burgu nuk është përgjigja për gjithçka", tha ajo.
Cilat vende evropiane kanë marrë me qira qeli burgu të huaja?
Franca nuk është vendi i parë që e shqyrton këtë mundësi. Midis viteve 2010 dhe 2016, Belgjika dha me qira 680 vende burgu në qytetin holandez të Tilburgut.
Në vitin 2022, Danimarka nënshkroi një marrëveshje 10-vjeçare prej 210 milionë eurosh për të dhënë me qira 300 qeliza në Kosovë.
Dhe Estonia ka shprehur interes për t’u dhënë me qira vendeve të tjera hapësira të lira në burgjet e saj, duke vlerësuar të ardhurat e mundshme vjetore prej 30 milionë eurosh.
Ndërsa marrëveshja danezo-kosovare arrin në gati 200 euro për çdo të burgosur në ditë, kostoja ditore e Francës për çdo të burgosur aktualisht varion nga 100 deri në 250 euro, varësisht nga lloji i institucionit, sipas transmetuesit TF1.
Partneriteti i mëparshëm i Belgjikës me Holandën arriti në 40 milionë euro në vit, pjesërisht për shkak të kostove të personelit.

"E keqja Rama apo e keqja Berisha"/ Ku gabon Bushati dhe Kajsiu
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128