Hakmarrja/ Shtetet e Bashkuara godasin grupet paraushtarake në Irak dhe Siri

Ushtria amerikane filloi të premten sulme ajrore ndaj disa objektivave në dymbëdhjetë vendndodhje në Irak dhe Siri të grupeve paraushtarake që mbështeten nga Irani. Zyrtarët amerikanë i thanë agjencisë së lajmeve Associated Press se ky është hapi i parë i kundërpërgjigjes ndaj sulmit me dron që vrau në fundjavë tre ushtarakë amerikanë në Jordani.
Presidenti Joe Biden dhe zyrtarë të tjerë të lartë amerikanë kishin paralajmëruar prej ditësh se Shtetet e Bashkuara do të kundërpërgjigjeshin ndaj këtyre grupeve paraushtarake dhe e patën bërë të qartë se nuk do të ishte një sulm i vetëm, por se do të ishte një përgjigje me disa faza.
"Këtë pasdite, me urdhërin tim, forcat ushtarake amerikane goditën objektiva në Irak dhe Siri që përdoren nga Garda Revolucionare e Iranit dhe milicitë që i mbështesin për të sulmuar forcat amerikane", u shpreh Presidenti Biden në një deklaratë. "Përgjigja jonë filloi sot. Do të vazhdojë në kohëra dhe vende që do t'i zgjedhim ne".
Sulmet fillestare nga avionë, me dhe pa pilot, goditën 85 objektiva, ndër to qendrat e komandës dhe kontrollit, qendrat e zbulimit, depot e raketave dhe municionit dhe objekte të tjera. Komanda Qendrore amerikane njoftoi se janë përdorur mbi 125 municione të precizionit të lartë, të cilat u lëshuan nga disa avionë, përfshirë avionët bombardues me rreze të gjatë. Sipas njërit prej zyrtarëve amerikanë, gjatë sulmeve u futën në përdorim edhe avionët bombardues B-1, të cilët u nisën nga territori i Shteteve të Bashkuara.
"Goditëm saktësisht çfarë donim të godisnim", tha gjenerali Douglas Sims, që shërben në detyrën e drejtorit të operacioneve për Shtabin e Përgjithshëm.
"Ky është fillimi i përgjigjes sonë", u shpreh në një deklaratë sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin, duke shtuar se presidenti Biden ka urdhëruar veprime të mëtejshme që do të ndërmerren në një moment dhe vend të përzgjedhur nga ushtria amerikane.
Edhe zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby u tha gazetarëve se "do të ketë përgjigje të mëtejshme në ditën në vijim".
Sulmet u bënë vetëm pak orë pasi Presidenti Biden dhe drejtuesit më të lartë ushtarakë iu bashkuan familjarëve të tre ushtarëve të vrarë, trupat e të cilëve u kthyen në Shtetet e Bashkuara, ku u pritën me një ceremoni solemne në bazën ajrore Dover, në Dellauer. /VOA
Po ndodh...
Amerika mund të tërhiqet nga Europa, por jo nga SPAK
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128


