Hong Kongu në gatishmëri të lartë përpara tajfunit Wipha

20 Korrik 2025, 10:39 / BOTA ALFA PRESS
Hong Kongu në gatishmëri të lartë përpara tajfunit

Autoritetet e Hong Kongut kanë lëshuar një paralajmërim për erëra me forcë uragani, niveli më i lartë deri më tani, ndërsa tajfuni Wipha i afrohet bregdetit jugor të Kinës, duke e detyruar qeverinë të mbyllë shkollat dhe të anulojë rreth 500 fluturime.

Wipha ndodhej rreth 60 kilometra në juglindje të Hong Kongut rreth orës 10:00 të mëngjesit sipas orës lokale (04:00 GMT) dhe vazhdoi të forcohej, ndërsa i afrohej bregdetit të provincës Guangdong të Kinës jugore, tha Observatori Meteorologjik i Hong Kongut.

Observatori e ngriti alarmin në nivelin më të lartë, T10, duke treguar se priten "erëra me forcë uragani" me "shpejtësi mesatare prej 118 kilometrash në orë ose më shumë".

Provincat kineze të Hainan dhe Guangdong janë vendosur gjithashtu në gatishmëri të lartë, sipas agjencisë zyrtare të lajmeve Xinhua.

Një përfaqësues i Autoritetit të Aeroportit të Hong Kongut tha të dielën se rreth 500 fluturime ishin anuluar për shkak të motit të keq, me 400 të tjera që pritet të ngrihen ose të ulen sot vonë.

Më shumë se 200 persona kanë kërkuar strehim në strehimore të përkohshme të drejtuara nga qeveria.

Mediat lokale raportuan se valë të mëdha u vunë re pranë Heng Fa Chuen, një zonë banimi në pjesën lindore të ishullit të Hong Kongut.

Autoritetet kanë mbyllur shkollat dhe trenat po ecin me shpejtësi të reduktuar.

Hong Kongu e ngriti nivelin e alarmit në T10 për herë të fundit në vitin 2023 për Super Tajfunin Saola.

Dy persona janë raportuar të zhdukur në Filipine pas Tajfunit Wipha, sipas autoriteteve lokale./ ANSA.

Po ndodh...