Salianji i përgjigjet Nokës: Nuk kërkoj funksion në PD, nuk kam as rrogë, as privilegje

15 Dhjetor 2025, 23:56 / POLITIKË ALFA PRESS

Salianji i përgjigjet Nokës: Nuk kërkoj funksion në PD, nuk

Ervin Salianji, anëtar i kryesisë së PD-së, i ftuar në studion e emisionit “Të Paekspozuarit” në MCN TV, përgënjeshtroi deklaratën e sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, Flamur Noka, se ai kërkon postin e tij në parti. Salianji u shpreh se nuk ka asnjë luftë për poste në PD, duke hedhur poshtë deklarimet e Nokës, i cili më një status të shkurtër në Facebook, shkroi me ironi ndaj Salianjit : E nisi me bujë si “shpëtimtar” i PD-së, por pa u bërë tre javë e katandisi te kërkesa për një karrige.   

“Nesër në orën 18:00 te Teatri Skampa i Elbasanit kam takim me demokratët. Prisja që të ftohesha në takimin që bëri Partia Demokratike dhe zoti Berisha në Elbasan, sepse unë kam qenë drejtuesi politik, drejtuesi i nderit, siç tha zoti Berisha, pasi unë u burgosa. Unë jam larguar nga atje, jo me votë, jo me ndonjë vendimmarrje, që vjen për shkak të votës, por për shkak të dhunës dhe represionit të qeverisë, duke më rrëmbyer dhe duke më çuar në burg.

Kështu që, duke qenë se unë nuk e pata një ftesë të tillë dhe nuk pata mundësi që të isha aty, ju kam thënë dhe dje në mbledhje që do të takoj disa demokratë që do t'i shohim sa do jenë nesër, që më kanë ftuar, që janë kryesisht struktura të Partisë Demokratike për të diskutuar për shqetësimet që ata kanë në raport me qasjen e Partisë Demokratike dhe me braktisjen që u ka bërë Partia Demokratike.

Kam komunikuar me zotin Alimehmeti dhe ai i qëndron të njëjtave qëndrime në raport me situatën në Partinë Demokratike. Ai është në komisionet e Këshillit Bashkiak të Tiranës, por nëse do të gjejë kohën, patjetër që do të jetë.

Unë nuk kam asnjë luftë. Unë nuk kërkoj funksion në Partinë Demokratike. Nuk do të marr funksion në Partinë Demokratike dhe nuk po e bëj këtë lëvizje që të marrë atë funksion në Partinë Demokratike.  

Dhe po të them një gjë tjetër. Unë në Partinë Demokratike nuk kam zyrë, nuk paguhem, nuk kam privilegje. Unë e bëj këtë, po themi profesion, po e quaj kështu apo vokacion me pasion, për t'i shërbyer së pari demokratëve që më kanë vlerësuar në votë, kudo ku kam qenë, por edhe shoqërisë, me një betejë të drejtë”- tha Salianji.

 

Po ndodh...