Ish-presidenti i Brazilit, Bolsonaro lë spitalin pasi përplasi kokën dhe rikthehet në burg

8 Janar 2026, 00:01 / BOTA ALFA PRESS

Ish-presidenti i Brazilit, Bolsonaro lë spitalin pasi përplasi

Ish-presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro, u rikthye në burg të mërkurën, pasi iu nënshtrua një sërë ekzaminimesh mjekësore në spital për një goditje në kokë pas një rrëzimi. Lajmin e bëri të ditur bashkëshortja e tij, Michelle Bolsonaro, përmes një postimi në Instagram.

Sipas mjekut të tij, Brazil Caiado, ekzaminimet e kryera në një spital në Brazilia – përfshirë skaner (CT) dhe rezonancë magnetike (MRI) – konstatuan një dëmtim të lehtë traumatik të trurit. Ai theksoi se gjendja nuk është shqetësuese dhe se nuk është konstatuar dëmtim intrakranial.

Mjekët dyshojnë se Bolsonaro mund të ketë ndjerë marramendje dhe humbje ekuilibri, të lidhura me medikamentet që po merr për trajtimin e lemzës, sqaroi Caiado.

Dalja e përkohshme nga burgu për ekzaminimet u lejua nga gjyqtari i Gjykatës së Lartë të Brazilit, Alexandre de Moraes, pas goditjes në kokë që Bolsonaro pësoi të martën në mbrëmje, sipas një vendimi gjyqësor të publikuar të mërkurën. Më herët, De Moraes kishte refuzuar një kërkesë të mëparshme për transferim të menjëhershëm në spital, duke argumentuar se nuk kishte urgjencë mjekësore.

Jair Bolsonaro po vuan një dënim me 27 vite burg për planifikim të një grushti shteti pas humbjes në zgjedhjet presidenciale të vitit 2022 nga presidenti aktual, Luiz Inácio Lula da Silva.

Në dhjetor, ish-presidenti iu nënshtrua disa ndërhyrjeve mjekësore për trajtimin e një hernie dhe të lemzës. Ai ka gjithashtu një histori të gjatë problemesh shëndetësore, që lidhen me plagosjen me thikë në zonën e barkut gjatë një mitingu elektoral në vitin 2018, çka ka sjellë disa shtrime në spital dhe operacione ndër vite.

Po ndodh...