“Për 10 ditë do pushtoheni”, kur Shqipëria përgatitej për një sulm ruso-amerikan!

18 Mars 2022, 15:46 / DOSJE DR ETLEVA SMAçI

“Për 10 ditë do pushtoheni”, kur Shqipëria

Nga Dr Etleva Smaçi

Më 12 shtator 1968, Kuvendi Popullor i Shqipërisë, bëri denoncimin dhe shfuqizimin e traktatit të Varshavës që shënon edhe daljen de Jure të Shqipërisë nga ky traktat.

Po atë ditë  ambasada shqiptare e Pragës, mori një telefonatë anonime në gjuhën ruse. Telefonuesi paralajmëroi se brenda 10 ditësh Shqipëria do të sulmohej!

Lajmet që vinin nga përfaqësitë nuk flisnin vetëm për një rrezik sovjetik. Sipas tyre edhe perëndimi po përgatitej “t’i lante hesapet me Shqipërinë”. Madje nga informacionet duket sikur BS dhe SHBA, inkurajonin njëra –tjetrën për të ndërmarrë hapa për përmbysjen e pushtetit komunist. Sipas sovjetikëve, amerikanët nga njëra anë e shtynin Shqipërinë kundër BS dhe nga ana tjetër akuzonin sovjetikët se duhet të bënin ndonjë gjë që t’i jepnin fund Shqipërisë.

Ky informacion i erdhi qeverisë shqiptare nga përfaqësia e Neë York-ut. Informatori quhej Simon Male dhe sipas telegramit ai ishte i njohur në rrethet drejtuese të ministrisë së Jashtme të RPSH.

Informacioni i dhënë prej Males e ngacmoi qeverinë shqiptare, e cila nisi hetimet për të kuptuar deri ku shkonte e vërteta e tyre. Nga verifikimi rezultoi se darka për të cilën pretendonte Simon Maleja se kishte marrë informacionin, kishte pak gjasa të kishte ndodhur. Bëhej fjalë për një darkë të dhënë nga ambasadori algjerian në Pragë, më 28 gusht, por kjo rezultoi të ishte e pavërtetë, pasi ambasadori algjerian gjatë kohës së pretenduar të bisedës nuk ndodhej në Pragë. Ai ishte kthyer në ambasadë në datën 4 shator.

Në pleniumin e datës 5 shtator Enver Hoxha do të artikulonte akuzën e një agresioni të fuqishëm të mundshëm nga BS por jo vetëm nga ai. Në këto rrethana direktiva që u hodh në plenium ishte ajo e marrjes së masave për të përballuar një luftë të mundshme me BS si në frontin tokësor, detar dhe ajror.

Shtjellimi i kësaj direktive në komponentë ushtarak dokumentohet në informacionin që kryeministri i Shqipërisë Mehmet Shehu i drejton Komandantit të Përgjithshëm të FASH më 12 shtator, në të njëjtën ditë kur u bë edhe shfuqizimi i TV nga KP i Shqipërisë. Mehmet Shehu informonte se mbrojtja e vendit nga një agresion i jashtëm ishte organizuar në variantin më të vështirë dhe plani operativ i mbrojtjes ishte aprovuar nga Këshilli i Mbrojtjes (KMb) dhe firmosur nga Enver Hoxha një vit më parë, se të ndodhte pushtimi i Çekosllavakisë. Plani parashikonte mbrojtjen në frontin tokësor me Greqinë dhe Jugosllavinë, mbrojtjen në frontin detar dhe mbrojtjen në frontin ajror.

Në frontin me Greqinë plani parashikonte mbrojtjen e FASH kundër një sulmi të ushtrisë greke nga një forcë prej 14- 15 divizione fanterie [këmbësore E.S], duke patur 10 -12 divizione në skalionin e parë dhe 3 divizione në skalionin e dytë. Kjo sasi divizionesh përbënte forcën maksimale armike që mund të mbante territori shqiptar në frontin me Greqinë. Nga pikëpamja operacionale mendohej se ky do të ishte një sulm me mjete të mekanizuara [tanke E.S] dhe drejtimet e mundshme ishin tre: lugina e Sarandës, Gjirokastrës dhe Korçës me rreth 300 tanke në gjithë frontin. Mbrojtja tokësore nga FASH në frontin me Greqinë realizohej me dy korpuse.

 Në frontin tokësor me Jugosllavinë parashikohej një sulm jugosllav prej një force të përbërë nga 15 divizione këmbësorie, nga të cilat 11 ishin në skalionin e parë dhe katër në skalionin e dytë. Drejtimi strategjik ku parashikohej mësymja me mjete të mekanizuara, tanke ishte kryesisht Shkodra. Mbrojtja ashtu si dhe në rastin e frontit tokësor me Greqinë do të bëhej me dy korpuse. Përsa i përket kohës së gatishmërisë në frontin jugosllav ajo do të ishte e njëjtë me atë në frontin grek.

Në letrën e datës 14 shtator 1968 që Enver Hoxha i dërgon Mehmet Shehut dhe Beqir Ballukut, fokusi është te një sulm eventual sovjetik të tipit detaro –ajror, në rast se përjashtohej sulmi i Jugosllavisë [bëhet fjalë për një sulm tokësor përmes kufirit jugosllav E.S]. Mbështetur në këtë skenar desanti ajror sovjetik do të ishte i precizuar në Tiranë, Durrës, Vlorë, mundet edhe në Sarandë.

Kjo shtronte si detyrë mbrojtjen e porteve dhe shkatërrimin e sulmit armik që në det. Mbrojtja e kryeqyteti, Tirana, rënia e të cilit ushtarakisht nënkupton dhe arritjen e qëllimit final të armikut, sipas bisedave të realizuara gojarisht mes Mehmet Shehut, Beqir Ballukut dhe Enver Hoxhës do të mbështetej nga brigadat e Shikjakut, Rogozhinës dhe Vlorës.

Në informacionin e dhënë nga Mehmet Shehu për mbrojtjen në frontin detar bëhej parashikimi se armiku mund të sulmonte me 9 divizione nga të cilat 5 divizione të skalionit të parë do të zbarkonin në dy drejtime: Sukth – Durrës dhe Seman – Rrogozhinë. 2 divizione të tjera do të hidhen me parashutë në prapavijat e mbrojtjes shqiptare, ndërsa dy divizione të tjera shiheshin në rolin rezervës. Një numër më i madh se 5 i divizioneve të skalionit të parë shihej si i vështirë, por jo ai i desatimit ajror që mund të ishte më shumë se dy.

Mbrojtja nga FASH ashtu si edhe në frontin tokësor do të bëhej me dy korpuse në frontin detar Shëngjin – Llogara, kurse fronti detar Llogara – Ksamil do të mbrohej nga korpusi i Gjirokastrës.

Interes të veçantë në këtë informacion paraqet planifikimi për mbrojtjen ajrore. Plani i mbrojtjes ajrore parashikonte sulmin e armikut me bombardime dhe desantime. Desantimi parashikohej kryesisht në frontin detar me dy divizione, kurse në frontet e tjera desantimi parashikohej në shkallë të vogël [në nivelin e regjimentit, batalionit E.S]. Por ajo që ngjall interes dhe dallon skenarin nga pjesa e frontit tokësor e detar është fakti se në frontin ajror pritej  një sulm eventual ajror në formën e desantimit parashutist masiv, qoftë nga forcat e NATO-s ,qoftë nga forcat revizioniste sovjetike. Pra, për herë të parë gjatë gjithë këtij informacioni flitet tashmë për një sulm të kombinuar NATO – TV. Më poshtë do të rendisim disa nga argumentet që parashtrohen në këtë informacion për mundësitë e sulmit të dyfishtë.

Argumenti i parë është zemërimi i udhëheqjes sovjetike nga qëndrimi i shqiptarëve. Me daljen nga TV  “ajo do të  tërbohet më keq”.Sovjetikët etiketohen “fashistë” dhe për këtë udhëheqja shqiptare mendon se ata në shenjë hakmarrje mund të ndërmarrnin çdo aventurë. Gjithashtu ripërmendet teza shqiptare e pozicionit strategjik të Shqipërisë dhe nevoja e sovjetikëve për të dalë në Mesdhe: “ëndrra e tyre është të dalin në Mesdhe”.

Argumenti i dytë, shtjellon rrugët e mundshme të sulmit nëse udhëheqja sovjetike vendos të ndërmarrë një hap të tillë. Një sulm desantimi masiv ajror drejt Shqipërisë BS mund ta realizonte vetëm nga bazat e Bullgarisë, duke injoruar Jugosllavinë. Mirëpo udhëheqja shqiptare ishte e vetëdijshme se ky variant kishte një probabilitet të vogël pasi sillte komplikacione ndërkombëtare (Jugosllavia, NATO).

Në analizë merret fakti nëse sovjetikët mund ta realizojnë këtë sulm me garancinë amerikane. Pra, sa i mundshëm do të ishte skenari që trupat e NATO-s nuk do të ndërhynin nëse forcat ajrore sovjetike do të kalonin mbi Jugosllavi për të sulmuar Shqipërinë?

Vetëm nëse ky skenar do të ishte i mundur, atëherë do të ishe i mundur edhe sulmi ajror kundër Shqipërisë. Si skenar paraqitet edhe sulmi i njëkohshëm i Jugosllavisë dhe Shqipërisë. Edhe në këtë rast garancia amerikane se nuk do të hynte në luftë për Jugosllavinë e bënte skenarin të kishte një mundësi të vogël ndodhje. Ushtarakët e lartë shqiptar ishin të bindur se mundësia e realizimit ishte “1 për mijë” që sovjetikët të ndërmerrnin këtë “aventurë”.Por nevoja për të mos u gjendur në befasi dilte si detyrë imperative përpara FASH.

Pyetja “1milionë $” që ngre informacioni duke analizuar lundrimin në ujërat ndërkombëtare të kujtdo (sot Flota sovjetike mund të lundërojë në ujërat ndërkombëtare kudo, sikundër Flota e Gjashtë amerikane) është nëse “do ta ndalonte Amerika flotën sovjetike të lundronte për të sulmuar portet e Shqipërisë”? Nëse hapte zjarr flota amerikane atëherë fillonte lufta botërore. Mundësia e një konflikti botëror për Shqipërinë ishte i pamundur, pasi dy superfuqitë kishin arritur të kalonin kriza edhe më të mëdha, siç ishte kriza e Kubës. Po kështu edhe mundësitë e bashkëpunimit për të pushtuar një vend të vogël si Shqipëria ishin pothuajse inekzistente. Nga ana tjetër një qëndrim i prerë i Amerikës për këtë skenar, bënte që “marshallët mendjemëdhenj dhe hakmarrës të BS të bëheshin si pula para Amerikës”.

Pengesa e këtij sulmi për palën shqiptare ishte e qartë. Ajo nuk kishte lidhje me anën ushtarake të ushtrisë sovjetike. Në pikën katër të argumenteve pohohet se BS kishte të gjithë kapacitetin ushtarak ta okuponte Shqipërinë përmes një sulmi ajror masiv. Forca ajrore e BS konsiderohej kolosale, po kështu dhe forcat parashutiste. Krerët e shtetit shqiptarë kishin informacion të mjaftueshëm edhe nga bisedat me ministrat e Mbrojtjes së BS mbi aftësitë e desantimit në prapavijat e armikut deri në 2 Armata (10 -14) divizione qysh në mesin e viteve 50. Një dhjetëvjeçar më pas kjo fuqi padyshim ishte shumë më e madhe.

Mbrojtja kundër sulmit ajror përbënte edhe pikën më të dobët të ushtrisë shqiptare. Vetë Mehmet Shehu e pranonte se kishte një boshllëk serioz në këtë drejtim. Ushtria shqiptare nuk kishte një forcë ushtarake (këmbësori) të gatshme të dorës së parë për ta përdorur ugjentisht në çdo minutë. Kjo pasi ushtria shqiptare ishte ushtri – kuadër. Kjo do të thoshte se mungonin forcat kompakte të gatishmërisë së plotë luftarake, që bënin që befasia fillestare e armikut të rrezikonte qartasi në frontin ajror Informacioni mbyllet me një paragraf jo të detajuar mbi mbrojtjen e udhëheqjes, por sigurimi i afërt, shpëtimi dhe evakuimi i tyre ishte pjesë e strategjisë ushtarake. Po kështu një plan i veçantë parashikohej edhe për mbrojtjen e objekteve strategjike politike të qytetit të Tiranës./Alfapress.al

*Pjesë e shkëputur nga disertacioni për gradën  Doktor i Shkencave,  Etleva Smaçi “Shqipëria në Traktatin e Varshavës”(Vijon)

 

Po ndodh...