Raporti i drejtorit të Zbulimit: `Frika` e Greqisë dhe Italisë pas pushtimit të Çekosllavakisë

19 Mars 2022, 14:28 / DOSJE ALFA PRESS

Raporti i drejtorit të Zbulimit: `Frika` e Greqisë dhe

Në pjesën e parë (“Për 10 ditë do pushtoheni”, kur Shqipëria përgatitej për një sulm ruso-amerikan!) të këtij material interesant u tregua se si në 12 shtator 1968, menjëherë pasi Kuvendi Popullor i Shqipërisë, bëri shfuqizimin e traktatit të Varshavës dhe daljen de Jure të Shqipërisë nga ky traktat, ambasada shqiptare e Pragës, mori një telefonatë anonime në gjuhën ruse. Telefonuesi paralajmëronte se brenda 10 ditësh Shqipëria do të sulmohej!

Lajmet që vinin nga përfaqësitë nuk flisnin vetëm për një rrezik sovjetik. Sipas tyre edhe perëndimi po përgatitej “t’i lante hesapet me Shqipërinë”. Ky informacion i erdhi qeverisë shqiptare nga përfaqësia e New York-ut.

Në këtë situatë udhëheqja komuniste në Tiranë u alarmua dhe nisi të marrë masat për “blindimin” e vendit në rast të një sulmi nga dy fuqitë ushtarake më të mëdha të botës.

Në pjesën e dytë të materialit do të lexoni, rolin e shërbimeve sekrete shqiptare në këtë situatë.

Nga Dr Etleva Smaçi

Gjithë informacionin i shtjelluar më sipër nuk ishte thjesht pjesë skenari. Të dhëna që nga përfaqësitë të ndryshme diplomatike ishin shqetësuese.

 Më datën 17 shtator, ambasadori shqiptar në Vienë, vuri në dijeni MPJ, se këshilltari çek Holon i kishte thënë se plani i sovjetikëve për të ndërmarrë veprime ushtarake ndaj Rumanisë, Shqipërisë, Jugosllavisë ishte aktual.Sovjetikët ishin shprehur se “këto tri shtete të sulmoheshin menjëherë duke përdorur tokën, ajrin dhe flotën që kishin në Mesdhe”.

Informacioni i Holonit konsiderohej një burim i sigurtë. Ai e kishte mësuar këtë informacion nga diplomatët sovjetikë dhe këshilltari jugosllav në Vienë. Zhvillimete ndodhura në vendet anëtare të TV, e bënin më të besueshëm informacionin e Holonit.Në mesin e shtatorit ishin parë lëvizje forcash nga Çekia, të cilat ishin drejtuar për në Hungari dhe prej andej nuk dihej drejtimi. Kishte hipoteza se ishin dërguar në Bullgari, ku ishin dërguar edhe dy divizione speciale raketash.

Dy javë më vonë nga ky telegram, përfaqësia e Vienës sillte një tjetër informacion mbi vendosjen e trupave të TV në Bullgari. Si burim informacioni referohej këshilltari rumun në Vienë. Këshilltari rumun gjatë një bisede i kishte thënë kolegut të tij shqiptar [Jetnorit në origjinal], se forcat e vendosura në Bullgari e gjetkë kanë qëllime kundra Shqipërisë, Rumanisë e Jugosllavisë. Por tani sovjetikët kanë frikë nga Shqipëria, se në mbrojtje të saj ka dalë R.P.Kinës.

Në lidhje me informacionin e përqendrimit të trupave të TV në Bullgari, qeveria shqiptare reagoi edhe zyrtarisht. Më datën 22 shtator 1968, në gazetën “Zëri i Popullit”, u botua teksti i notës së protestës drejtuar qeverisë së Republikës së Bullgarisë, nga qeveria e Republikës Popullore të Shqipërisë.

Në tekstin e notës, qeveria bullgare akuzohej se kishte lejuar që territori i Bullgarisë, të transformohej në një bazë të rrezikshme për veprime agresive, që preknin interesat e paqes dhe në mënyrë të veçantë interesat e popujve të Ballkanit.

Përqendrimi i këtyre forcave për qeverinë shqiptare nuk kishte aspak karakter mbrojtës. Gjithashtu qeveria shqiptare, i kujtonte qeverisë së Bullgarisë, se pavarësisht denoncimit të TV, ku dy vendet ishin anëtare, mes dy shteteve ishte në fuqi, traktati dypalësh, i vitit 1947, Traktat i Miqësisë, Bashkëpunimit dhe Ndihmës Reciproke. Përqendrimi i trupave sovjetike në territorin e Bullgarisë, konsiderohej në kundërshtim të hapur me angazhimet që rridhnin prej këtij traktati.

Qeveria shqiptare i kërkoi qeverisë së Bullgarisë, që ajo të mos lejonte dhe të mos merrte pjesë, në bazë të traktatit shqiptaro –bullgar të Miqësisë, Bashkëpunimit dhe Ndihmës Reciproke, në asnjë veprimtari të drejtuar kundër RPSH, nga kushdo qoftë. Në formën urdhërore u kërkua edhe largimi “sa më parë” nga territori i Bullgarisë, i forcave të armatosura agresive sovjetike.Në këtë mënyrë sipas qeverisë shqiptare, likuidohej një vatër agresioni që ishte lejuar të krijohej në territorin bullgar.Nota e protestës ishte shprehje e gjendjes tepër alarmante që përjetonte qeveria shqiptare me të drejtë.

Raporti  i drejtorit të zbulimit Anton Sheti mbi masat ushtarake të Jugosllavisë, Greqisë dhe Italisë pas agresionit sovjetik në Çekosllavaki.

Raporti i drejtorit të Zbulimit: `Frika` e Greqisë dheRaporti i drejtorit të Zbulimit: `Frika` e Greqisë dhe

Ngjarjet në Çekosllovaki çuan në marrjen e masave edhe te fqinjët e Shqipërisë. Ministria e Mbrojtjes Popullore ndiqte me shumë kujdes zhvillimet ushtarake në Greqi si vend anëtar i NATO-s. Një ditë pasi Plenumi i Pestë i KQ kishte marrë vendimin për daljen nga TV, drejtori i Drejtorisë së Dytë në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore, Anton Sheti përgatiti një material të hollësishëm të titulluar “Komunikatë informative mbi disa masa të mara nga shtetet fqinje lidhur me ngjarjet në Çekosllovaki”.

Në komunikatë vihet në dukje se agresioni ndaj Çekosllovakisë jo vetëm nuk ishte pritur mirë nga fqinjët tanë, por i kishte detyruar të merrni masa me karakter ushtarak me qëllime të caktuara për t’ju përgjigjur situatës së krijuar.

Sipas komunikatës të parët që ishin shqetësuar për agresionin ishin revizionistët jugosllavë, pasi ishte sulmuar një nga aleatët e kursit të tyre. Ashpërsimi i kontradiktave mes përfaqësuesve të TV dhe jugosllavëve, i kishte detyruar jugosllavët të fundit të mbroheshin nga ndonjë rrezik që vinte nga lindja dhe zbulimi shqiptar konstatonte se ishin marrë disa masa me karakter mbrojtës:

- përforcimi i kufijve sidomos me Bullgarinë, Hungarinë dhe Greqinë duke sjellë forca nga thellësia në këto drejtime;

- thirrja nën armë e klasave rezerviste dhe të rinjtë e ditëlindjeve 1940- 1948;

- anulimin e lejeve të ushtarakëve shtytja e afateve të lirimit të klasave nën armë që kanë përfunduar afatin e shërbimit ushtarak;

- kryerja e stërvitje intensive.

Jepej njoftimi se një stërvitje e tillë ishte zhvilluar ditët e fundit nga njësitë ushtarake të Zagrebit.

Në të njëjtën gjendje alarmi dhe gatishmërie të shkallës së lartë u vunë dhe fqinjët përtej detit në Itali. Komanda e lartë ushtarake italiane, në lidhje me gjendjen e krijuar në Çekosllovaki, mori masa për vënien në gatishmëri të forcave ushtarake –detare dhe ushtarako –ajrore.

 Edhe Italia kishte pezulluar lejet e ushtarakëve. Flota ushtarake detare italiane vetëm dy ditë pas agresionit, më datë 23.08.1968, kishte filluar manovrat në Adriatik.

Po kaq shqetësuese paraqitej situata edhe për qeverinë greke, pasi forcat e TV ishin përqendruar në kufirin e saj me Rumaninë. Për këtë Greqia i kishe kërkuar shtabit të NATO-s, të merrte masa për përforcimin e kufijve jug-lindor të NATO-s, (Greqi-Turqi).

Drejtoria e Zbulimit kishte informacion mbi stërvitjen që ministria e Mbrojtjes së Greqisë, po planifikonte të zhvillonte në rajonin e Maqedonisë Perëndimore dhe në Epir[ për këtë rajon nuk dihej informacion i sigurt], nga data 8 – 19.09. 1968, si një stërvitje e NATO-s. Zbulimi shqiptar raportonte se “tërheq vëmendjen tonë në këtë stërvitje fakti se në drejtim të Jugosllavisë dhe të Shqipërisë, të cilat në stërvitjet e tjera konsideroheshin të dorës së dytë në krahasim me atë të Bullgarisë u jepet rëndësi e veçantë”.

Siç paraqitet edhe nga kjo komunikatë e zbulimit shqiptar, Ballkani ishte prekur nga psikoza e një sulmi të mundshëm sovjetik. Qeveria shqiptare duhet të ketë përjetuar një frikë të madhe, pasi tashmë ishte pa asnjë traktat mbrojtjeje. Kina e kishte ndihmuar ushtarakisht por nuk kishte pranuar me shumë diplomaci të angazhohej me një traktat në mbrojtje të RPSH.

Ambasadave jashtë vendit u ishte dhënë direktivë të mblidhnin informacion mbi mundësitë e një agresioni sovjetik në Ballkan, që e prekte drejtpërdrejt vendin tonë si dhe konsenguencat e këtij sulmi. Përfaqësuesi shqiptar në New York, në telegramin e datës 31 nëntor [1968] njoftonte se “pikëpamjet e disa përfaqësuesve me të cilët kam biseduar konvergojnë por me disa nuanca”.

Ky informacion paraqet interes të veçantë pasi bisedimet ishin zhvilluar me përfaqësues perëndimorë, si ambasadori i Zvicrës Turetini, apo ambasadori i Suedisë, Astori. Që të dy mendonin se rreziku i një agresioni të tillë ekzistonte, por jehona dhe reagimi që kishte pasur në opinion ndërkombëtar agresioni sovjetik në Çeki duhet t’i bënte sovjetikët të mendoheshin. Efekti i Çekosllovakisë shihej si një faktor frenues.

Një tjetër bisedë që paraqet interes, është ajo e zhvilluar me ambasadorin austriak Maci, që përfaqësonte Austrinë në OKB.Maci kishte shprehur mendimin se “deri tani nuk do të ketë agresion sovjetik”. Për rastin e Shqipërisë kishte përmendur si element frenues frikën e sovjetikëve nga Kina.

Për përfaqësuesin shqiptar në OKB, fjalët e ambasadorit austriak Maci, konsideroheshin me një farë vlere, pasi Maci kishte kontakte të shumta me amerikanët. Por ajo që mund ta ketë qetësuar përfundimisht udhëheqjen shqiptare që ndodhej mes dy zjarreve, ishte informacioni i ambasadorit të Suedisë, Astori, i cili lidhej me përforcimet në Greqi, të përmendura edhe më lart nga zbulimi shqiptar. Astori ishte shprehur se ky ishte një përforcim me qëllime defensive, lidhur me eventualitetin e një sulmi sovjetik në Ballkan. Por nuk mendohej se do të kishte një sulm amerikan kundër Ballkanit./Alfapress.al

 

*Pjesë e shkëputur nga disertacioni për gradën  Doktor i Shkencave,  Etleva Smaçi “Shqipëria në Traktatin e Varshavës”. Pjesën e parë mund ta lexoni këtu./ Alfapress.al

Po ndodh...