Dy realitetet e qarta të opozitës!

12 Shkurt 2024, 10:02 / EDITORIAL NGA BATO KOSOVA

Dy realitetet e qarta të opozitës!

Ndonëse për shumëkënd nuk ka pasur asnjë dilemë se Bardhi dhe Berisha janë të destinuar të jenë në një llogore dhe të lidhen pazgjidhshmërisht me të njëjtin fat politik, ata demokratë dhe ndërkombëtar që kanë parë te grupimi i Bardhit një alternativë dhe rrugë të tretë brenda PD-së, kanë te mbledhja e sotme në selinë e “Rithemelimit” kurorëzimin e hipokrizisë dhe vazhdën e shumë veprimeve në të kaluarën, duke mos lënë pas asnjë dilemë dhe dyshim.

Tashmë në opozitë kemi të ravijëzuar dy grupime të qarta dhe jo tre, siç kanë dashur ta mbajnë veten.

Kemi grupimin e Sali Berishën, të shpallur “non grata” nga amerikanët dhe britanikët, në masë “arresti shtëpiak”, me llogari të hapura me drejtësinë për të dhe për familjarë të tij, të bojkotuar nga të gjitha kacelaritë e mëdha, pa vulë, pa logo, pa firmë, pa parti, pa të ardhme, pa asnjë perspektivë ringritjeje.

Që askush nuk e dëgjon, nuk e pret, nuk i merr mendim apo i mban shënim pakënaqësitë dhe vërejtjet, në përbërje të të cilit ka një laryshi deputetët pa identitet politik, pa peshë elektorale, pa mbështetje në popull dhe demokratë, të cilët shpresojnë vetëm nga Saliu se çdo të thotë në mbrëmje poshtë Ballkonit, në një fjalim që, tashmë, nuk është në gjendje ta mbajë pa letër, sepse do të këpusë marrëzi, ndaj edhe ia shkruajnë për ta mbajtur brenda realitetit.

Ky grupim, nuk jep asnjë alternativë, nuk ka asnjë ide, nuk prodhon politikë, nuk sugjeron zgjidhje, por i beson konfliktit, zhurmës dhe kaosit, si mënyra më e mirë për të arritur te pazari, mirëpo harrojnë që nuk i hyjnë në punë askujt, sepse, përveçse miellit me vezë, nuk prodhojnë dot as “bukë” as “ëmbëlsirë”.

Të qenurit ilegjitim në kornizat e ligjit të grupimi i Sali Berishës, logjikisht dhe politikisht nuk ka asnjë shans dhe mundësi të shtohet dhe të rritet në numër.

Përkundrazi, e kundërta është e vërtetë dhe po ndodh përditë.

Kur ata shpresojnë të shtohen, njerëzit që i mbështesin pakësohen.

Fundi i tyre do të jetë një moçalishte, ku do të mbizotërojë balta që do t’i hedhin njëri-tjetrit, duke menduar se në atë grupim karrierë bën ai që hedh baltë më shumë.

Përballë kësaj katrahure politike, kemi Partinë Demokratike zyrtare të Lulzim Bashës, e cila në dukje është e dobët, por nuk ka mbart asnjë peshë faji nga e kaluara; në dukje duket si më e pakët në numër, por përditë shtohet mbështetja ndaj saj në sondazhe; në dukje duket sikur ka një bojkot total të medias ndaj saj, por përditë Basha po shndërrohet, pashmangërisht, në lajm me takimet dhe propozimet e tij.

Në dallim nga grupimi i parë, PD-ja e Bashës është e qartë në propozime, ajo nuk ka asnjë anomali përsa i përket qartësisë së kush janë kundërshtarët e saj, sepse, në dallim nga Berisha që armiqësinë e kanë me SPAK-un dhe drejtësinë, të cilën e mveshin me “opozitarizëm” ndaj Ramës, PD-ja e Bashës është e qartë në mbështetjen e pakufishme ndaj SPAK-ut dhe në optikën e saj se si e sheh Prokurorinë e Posaçme si një mekanizëm amerikan për të çrrënjosur korrupsionin në Shqipëri të kryesuar nga keqqeverisja e Edi Ramës dhe e kujtdo që ka abuzuar me ligjin në këto 30 vite.

Nëse grupimit të parë i largohen mbështetësit dhe aleatët tradicional sikur të ishte qenie lebroze, nga frika e ndonjë sëmundjeje ngjitëse, PD-së së Bashës i shtohen mbështetësit, qoftë në elektorat, qoftë të politikanëve të karrierës së gjatë në Shqipëri.

Tashmë që realiteti opozitar është thellësisht i qartë, nuk ngelet gjë tjetër për demokratët dhe qytetarët që të zgjedhin, ose të ndjekin kufomën politike të Berishës që nuk i çon asgjëkundi, ose të bashkohen me opozitën dhe PD-në zyrtare për një front të përbashkët opozitarë, me ide, parime, program dhe me një politikë që, siç e thotë dhe Basha, me fytyrë njerëzore, aq të munguar në realitetin shqiptar.