Ndarje me Berishën, jo ndarje me PD

17 Korrik 2024, 23:19 / EDITORIAL NGA ALBI XHUNGA

Ndarje me Berishën, jo ndarje me PD
Vota në të djathtën shqiptare kanë vetëm dy vetë, Lulzim Basha dhe Sali Berisha. Por vetëm njëri prej tyre ka të ardhme…

Së fundmi kemi dy raste të largimit edhe formalisht nga grupi parlamentar i PD-së të dy deputetëve që deri dje ishin të rreshtuar tek ajo forcë politike që sot njihet si Demokratët Euroatlantikë. Në fakt këta dy deputetë po përdorin largimin formal nga Berisha, për t’u larguar realisht nga Basha.

Kjo ‘’shpikje’’ e Enkelejd Alibeajt, e cila mëtonte t’i shitej publikut si një akt idealist, në fakt nuk ishte ndarje nga Berisha, ishte ndarje nga Basha. Enkelejd Alibeaj e kishte shprehur disa herë publikisht ndarjen e një grupi eksponentësh të kësaj force politike me kryetarin Lulzim Basha dhe ambicjen e krijimit të një force të re politike.

Në ndryshim me Alibeajn, Agalliu që deklaron sot se do të largohet nga grupi parlamentar i PD-së për t’u ndarë nga Berisha dhe ajo çka ai përfaqëson, nuk lë të kuptohet se po ndahet me Lulzim Bashën. E megjithatë nëse ndarja me Berishën është formale, ndarja me Bashën është reale.

Si gjithmonë në politikën shqiptare, ndarjet shiten si parimore e ideologjike, por në fakt janë ca kalkulime të ngushta për interesa personale. E megjithatë për të bërë një analizë të saktë, nuk duhet të anashkalohet edhe pjesa parimore, sado e pagjasë qoftë ajo.

Nëse ndarja e Enkelejd Alibeajt pretendonte të ishte parimore, elementët parimorë rrëzoheshin si domino, (trajtuar këto në një shkrim të mëparshëm), kalkulimet personale janë më të vështira për t’u renditur, sepse për këtë duhen info që protagonistët natyrisht nuk i bëjnë publike, si negociatat e fshehta, etj.

Megjithatë mund të themi se në rastin e Alibeajt, kishim të bënim me një bllof, i cili synonte që me anë të shantazhit politik të detyronte Lulzim Bashën të pranonte një drejtim kolegjial, çka do të thoshte që Basha t’u dorëzonte komplotistëve të kategorisë së dytë drejtimin e forcës politike.

Këtu kemi një plan për të marrë partinë dhe për të përvetësuar projektin politik të Lulzim Bashës. Mirëpo aktorët nuk janë edhe lojtarë. Lojtarët duhen kërkuar në biznesmenë që operojnë në media e në universitete private, ndërkohë që financuesit ishin biznesmenë, gjurmët e të cilëve të çojnë në zyrën e Belinda Ballukut. Disa nga aktorët që u dukej vetja lojtarë, ishin të mashtruar.

Përshembull, Rezart Kthupi, nuk besoj se e dinte që lëvizja ishte thjesht një bllof dhe jo projekti real për krijimin e një partie politike. Përndryshe nuk do të kishte dalë në media gjithë entuziazëm për të dhënë lajmin e krijimit të një partie të re politik që do të shpallej gjatë javës. Shpresoj që ngjarjet ta kenë kthyer në realitet.

Ndarja me Berishën nuk duhet të jetë ndarje me PD

Ndarja me Berishën nuk duhet të jetë ndarje me PD. Largimi nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike është ndarje me PD, jo me Berishën. Ai quhet grupi parlamentar i PD, jo ‘’grupi parlamentar i Sali Berishës’’ (i cili nuk është akoma formalisht as anëtar). Si pasojë e një puçi juridik, Sali Berisha ka sot legjitimitetin e PD. Fakti që e ka sot nuk do të thotë se do ta ketë edhe nesër.

Kjo është arsyeja përse Lulzim Basha nuk krijon një forcë të re politike. Kjo do të thoshte heqje dorë nga legjitimiteti i PD, ndërkohë që beteja juridike është e sigurt se është e fituar. Madje kjo mund të marrë shumë pak kohë dhe demokratët të garojnë me logon e tyre në zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Mjafton një vendim i Gjykatës së Lartë që prish vendimin e korruptuar të apelit, që legjitimiteti i PD t’i kthehet demokratëve euroatlantikë me në krye Lulzim Bashën.

PS: Lajmi i mirë është se pazari i gjësë së gjallë në Kuvendin e Shqipërisë nuk ka asnjë impakt në raportin e forcave mes të shkuarës dhe të ardhmes…