Nga “ku është Luli” te “ku i ke shokët” – kur satira bëhet makth për Ramën

25 Mars 2025, 09:08 / EDITORIAL NGA GENTIAN GABA

Nga “ku është Luli” te “ku i ke shokët”

Po dëgjoj komente të ndryshme nga gazetarë për mënyrën se si, Lulzim Basha, po adreson me qasje satirike korrupsionin e Edi Ramës, duke i përmendur “shokët” që i janë arrestuar për shkak të korrupsionit të qeverisë së tij.

Shoh që shumë energji po harxhohet me dikë që e kanë shpallur pa njerëz, pa peshë, etj, etj.

Më së shumti më kënaqin ata që në këto sulme të reja ndaj Bashës, kanë vënë fytyrën javët e fundit në mbrojtje të llumit, i cili është sot në burgun e Durrësit dhe në sulme të përsëritura ndaj SPAK-ut. Dhe kjo mjafton për të kuptuar ndershmërinë e tyre "intelektuale".

Po aq argëtues janë edhe revolucionarët imagjinarë, të cilë janë arsyeja, pse Rama është sot në pushtet. Ata që para 3 vitesh deklaronin se “nuk të sjell Amerika në pushtet”, ndërsa sot bëjnë be për kokë të Presidentit Amerikan, paçka se nga matanë oqeanit vijnë vetëm habere të hidhura.

Njerëz që luajnë “ngriva-shkriva” me SPAK-un!

Që e lavdërojnë kur arreston të korruptuarit e Ramës dhe e konsiderojnë “SKAP”, kur futet në oborrin e tyre.

Njerëz që kanë emrin në një listë me Ilir Metën dhe kërkojnë votat e qytetarëve, për ta nxjerrë atë nga burgu. Politikanë pa karakter, që kanë të paktën katër vite që hidhen hu më hu, vetëm me një qëllim: Karrigen e tyre.

Sa për historinë e “diss-it” dhe teoritë konspirative nga ata që kanë bashkuar votat me Ramën për të sulmuar SPAK-un përmes amnistisë dhe për të mbyllur listat, historia është shumë më e thjeshtë.

Duke zhvilluar aktivitetin në një mjedis mediatik të helmatisur dhe me një bllokadë të rreptë nga ata që kanë çelësat e pushtetit mediatik, ekonomik dhe politik, Basha, ishte i detyruar të dilte nga logjika tradicionale mediatike dhe të futej vrullshëm në një qasje “ç'ndërmjetësimi”.

Pra, kur mediat bëjnë lajm çdo letër që del nga burgjet e Shqipërisë, Bashës, nuk i publikohej asnjë gjë në lidhje me qëndrimet politike dhe as për programin.

Dhe ç'ndërmjetësimi është kthimi i rrjeteve të tij sociale në media, duke u futur herë pas here në rrafshin e “infotainment”-it– një neologjizëm me origjinë anglo-saksone, i lindur nga shkrirja e fjalëve informacion dhe argëtim. 

Pra, paradoksalisht, ata që kanë nisur debate nëpër studio mbi qasjen e Bashës–të njëjtat studio nga të cilat e kanë sharë pa pushim dhe janë përpjekur ta izolojnë–janë arsyeja pse ai ka zgjedhur këtë formë komunikimi.

Ndërsa, për sa i përket debatit dashakeq se kjo që po ndodh i intereson Ramës, dua të sjell disa fakte për ata që kanë interes të lexojnë:

Reagimi i parë i Bashës nga Ali Demi, që erdhi si pasojë e ironisë së përsëritur të Ramës me fjalët “ku është Luli”, pati një jehonë të madhe në rrjetet sociale. Vetëm në Facebook-un e Bashës, videoja mori mbi 500 mijë shikime, pa llogaritur efektin ortek kur u përcoll edhe nga mediat tradicionale.

Pra, 500 mijë shqiptarë panë Bashën nga profili i tij t’i përgjigjej Ramës, duke i thënë “mos pyet ku jam unë, por ku ke Lalin me shokë”.

Të nesërmen e kësaj videoje, Rama u përpoq të nënçmonte reagimin e Bashës, duke nisur me sulmet klishe të gjumit dhe lapsusin e famshëm 7x7=42.

Basha iu përgjigj me batutën tashmë virale: “Ku i ke shokët?” dhe “7x7=313”, duke cituar një këngë të Unikkatilit. Pas kësaj, rrjeti bëri të vetën dhe profili i Bashës mori miliona shikime, pa përmendur këtu platformat e mediave tradicionale, të cilat, duke mos e shmangur dot, u detyruan ta pasqyronin.

As Rama nuk mund të qëndronte dot pa folur, e pa bërë edhe ai përpjekjet e veta për të zbutur peshën e sulmit satirik që po i sillte, me të qeshur e me të ngjeshur, në vëmendje shokët pas hekurave–si simbol i korrupsionit të pushtetit të tij.

Dhe tani që ky debat nuk po ndalet, po përpiqen ta etiketojnë me terma të ndryshëm në ekrane, sipas interesave të atyre që janë në konflikt interesi me SPAK-un, e që nuk ia përmendin dot shokët në burg Ramës, sepse janë vetë të pagjumë për shkak të SPAK-ut.

Megjithatë, kjo zhurmë që bëhet në ekranet e mëdha, nuk e pengon dot përballjen në ekranet e vogla, në xhepat e çdokujt që ka një smartphone.

Ata mund të kontrollojnë ekranet televizive, mund t’i ngjisin etiketën e rublave ruse, kasetën e Krushës dhe lloj-lloj dallaveresh nga ato që janë servirur këto vite kundër Bashës, por…

Nga kënaqësia me të cilën shoh sesi ai ka vendosur të jetë i lirë dhe i shpenguar, përballë atyre që kanë zhytur duart në buxhetin e shtetit dhe flenë me një sy hapur nga frika e SPAK-ut, kuptoj se nuk e kompleksojnë dot as atë, as publikun që po e ndjek me shifra sinqerisht të frikshme.

Pijini lëngun telekomandave tuaja, mbroni inceneratorët që nuk ekzistojnë dhe ndërtuesit e tyre, ndërkohë që tashmë ka një rrugë tjetër për Bashën dhe për të gjithë ne…/Alfapress.al

Po ndodh...