Nuk ka bashkim dhe as fitore pas “përdhunimit”, ndajeni mendjen

12 Tetor 2022, 14:39 / EDITORIAL NGA POLI HOXHA

Nuk ka bashkim dhe as fitore pas “përdhunimit”, ndajeni mendjen

Gjëja më qesharake dhe idiote që po karakterizon lidershipin e Partisë Demokratike në të dy krahët së fundmi, është përdorimi i termit “bashkim”.

Ndajeni mendjen: Nuk mund të ndodhë kurrë bashkim mes atyre që një vit rresht kanë kryer vetëm “përdhunim” dhe të “përdhunuarve” pa mëshirë.

Bashkimi që të ngjizet do dashuri, idealizëm dhe interesa madhore, (jo personale), të përbashkëta. Një qenie të përdhunuar mund ta nënshtrosh, por kur nuk mund ta zotërosh. Një përdhunues mund të “reflektojë” duke të shfrytëzuar “në paqe”, por kurrë nuk do të dojë dhe respektojë.

Përdhunimi, (më mirë po e lëmë pa thonjëza), nisi një vit më parë që pasditen kur Lulzim Basha përjashtoi nga Grupi Parlamentarë, Sali Berishën “non grata” nga SHBA.

Një parti që nuk mbron liderin historik dhe themeluesin e vetë, nuk e meriton që të ekzistojë- shpalli aktin e pare të kërcënimit e më pas të përdhunimit dhe eliminimit, të forcës politike që themeloj pluralizmin.

Pastaj vazhdoj me përdhunimin e të vërtetës ndaj demokratëve; Partinë nuk do ta përziejë në betejën time për dinjitet me Departamentin e Shtetit dhe sekretarin Blinken. Ja ku jemi; Berisha e ka harruar dinjitetin “e nëpërkëmbur” nga SHBA.

Përdhunimi vijoi me premtimin që ju dha demokratëve: Kam paditur dhe do pres ta zgjidh çështjen me gjyq në Francë. Edhe sot pas një viti kur u tret edhe padia edhe avokati në Paris, vazhdon që të përdhunohet logjika e demokratëve, duke ju shitur një mashtrim si një të vërtetë.

Përdhunimi u intesifikua me turnetë e Foltoreve, duke shpallur “besëprerë” Lulzim Bashën, lidershipin dhe të gjithë ata demokratë në bazë që ju bashkuan vendimit të SHBA dhe linjës properëndimore që kjo parti e ka të gdhendur që në themelim.

Por cilën besë preu Basha?!

Berisha e bëri kryetar tani ai e shiti te amerikanët- të vjen përgjigjja edhe sot e kësaj dite. Ky është përdhunimi më i hapur që mund ti bëhet një partie, e cila pretendon që të jetë demokratike.

Domethënë në vitin 2013, Lulzim Basha, nuk u zgjodh me votat e demokratëve kryetar partie por e vendosi me dorën e vetë Sali Berisha, njësoj si bëri me veten sërish pas 9 vitesh. As bajraktarët nuk e trajtonin kështu “postin” e tyre. Në këtë rast berishistët, as që e mendojnë se bëjnë autogol dhe janë duke përdhunuar këtë herë logjikën dhe partinë e tyre.

Vazhduan që të përdhunojnë inteligjencën e ndjekësve, duke ju krijuar mirazhin se sapo të vijnë republikanët në SHBA, (Administrata Trump e kopsiti), do të hiqet “non grata”. Përdorën Evi Kokalarin dhe Richard Grenell për tu hedhur hi syve me tezën idiote se, “Ka dy Amerika”, kurse tani që të dy bashkë i kanë shpallur armiq.

Me kalimin e kohës përdhunimi u intesifikua, u zgjerua dhe u bë edhe më i egër. Kushdo që mendonte ndryshe nga Berisha dhe ndjekësit e tij u sulmua në medie dhe veçanërisht në rrjetet sociale me topa balte, të nxjerrë nga fundi i fundit të llumit.

Përdhunim në mediet që kanë në zotërim, përdhunim në Facebook, përdhunim pas çdo fjale dhe mendimi ndryshe. Madje u përdhunuan edhe ata deputetë si Grida Duma e kompani të cilët pas zgjedhjeve të 6 marsit, nisën flirtimin me Rithemelimin.

Të përdhunuarit as që e meritojnë që të rehabilitohen, ata duhet ti kërkojnë falje përdhunuesit pse i rezistuan!

Por vala nuk pushoj, madje u bë dhe më e egër. U sulmua dhe u përdhunua selia e Partisë Demokratike. Pa mëshirë dhe me mjete dhe mënyra, të cilat mund ti shohësh vetëm në filma me temë të luftërave në mesjetë.

Edhe pas kësaj, përdhunuan logjikën e çdo mendje normale. Bashën e pagëzuan “Lul Brava”, kurse veten çlirimtarë dhe jo “Sal Tokmaku, Sal Leva, Sal Huri”. Brava mund të jetë çfarëdolloj gjëje, por nuk të vret si armët e ftohta me të cilat ishin pajisur foltoristët atë ditë.

Tani po kërkojnë dhe kanë shtrirë dorën për bashkim. Por a janë “shumicë” këta të Rithemelimit apo jo?!

Atëherë përse ju duhet Ekelejd Alibeaj, Gazmend Bardhi dhe deputetët e tjerë që i qëndruan linjës euro-atlantike dhe për të cilët kanë thënë, një mijë e një të zeza?!

Po ja ta zëmë se u bashkuan, çfarë do të arrijnë përveç shtyrjes në kohë të agonisë dhe një lloj “legalizimi” brenda fshatit tonë të Sali Berishës?

Të përdhunuar apo të vetë- përdhunuar, kushdo që ka logjikën më minimale e di se që të mundësh Edi Ramën nuk mjafton vetëm vota e anëtarëve dhe militantëve të Partisë Demokratike, me gjithë ato të Partisë së Ilir Metajt dhe konservatorit Kujtim Gjuzi.

Edi Rama edhe  në sondazhet që bën vetë, nuk shkon më shumë se 30%. Edhe këta në fakt janë punonjësit e administratës së tej fryrë, socialistët trushpëlarë dhe familjarët e tyre.

Por kjo pakicë e Shqipërisë, mjafton që të mund “bashkimin” e të përdhunuarve me përdhunuesit brenda të njëjtit "lloj". Mos harroni se këta të fundit, janë edhe vetë të “përdhunuar” nga SHBA dhe Perëndimi.

Përveç vitit 1992 kur ju bashkua i gjithë populli sepse kishte uri për emrin “demokratike”, PD ka fituar zgjedhje vetëm në vitin 2005 kur nëpërmjet KOP me në krye “besëprerin” e sotëm, tërhoqi votat e elektoratit gri. Ka fituar edhe Tiranën e kapur nga Edi Rama me leje ndërtimi, po me këtë “besëprerin” e sotëm, duke tejkaluar votat e demokratëve.

Si do fitojë sot kur shumica e shqiptarëve, nuk denjojnë të votojnë më  këtë klasë të vjetër politike?!

A e dini çfarë është faktikisht i ashtuquajturi “elektorat gri”?

Janë njerëzit më me logjikë të Shqipërisë, të cilëve nuk mund tua përdhunosh inteligjencën. Këtë nuk mundet kurrë ta bëjë dot, as Edi Rama me bojatisjen që i bën organizatës së tij klepto- kriminale në pushtet dhe as, bashkimi i mundshëm i përdhunuesve me viktimat e tyre në PD.

E di që do të lëshoheni të përdhunoni faktet, logjikën dhe të vërtetën e këtij shkrimi. Por kjo nuk bën më përshtypje, sepse vetëm këtë mundeni të bëni.

Situata është pikërisht kjo: Edi Rama me Rilindjen përdhunon socialistët e ndershëm, Sali Berisha demokratët, Ilir Metaj pakicën e tij, kurse të tre bashkë janë në radhë që të përgjigjen përpara shumicës së shqiptarëve, Perëndimit, Historisë dhe Drejtësisë, për përdhunimin 32- vjeçar që i kanë bërë Shqipërisë!/Alfapress.al



 

 

 

 

Po ndodh...

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128