Sa nxënës ka për një mësues në Shqipëri? Raporti në rënie për shkollat publike, por rritet për ato private

7 Mars 2025, 21:12 / EKONOMI&SOCIALE ALFA PRESS

Sa nxënës ka për një mësues në Shqipëri?

Në vitet e fundit, Shqipëria po përballet me një sfidë të rëndësishme në sistemin arsimor, rënien e numrit të nxënësve në shkolla. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave të Shqipërisë, numri i nxënësve që regjistrohen në arsimin parauniversitar ka pësuar një rënie të ndjeshme dhe kjo tendencë është dukshme veçanërisht në arsimin fillor dhe të mesëm.

Ndërkohë, nga ana tjetër, ky shqetësim vihet re sidomos në qytetet e vogla, ku në disa raste funksionojnë edhe klasat kolektive. 

Sipas të dhënave nga INSTAT, raporti mësues-nxënës ka ardhur duke rënë vit pas viti. Ky është një zhvillim pozitiv, pasi sa më i ulët të jetë ky raport, aq më cilësore është mësimdhënia, por ky tregues është ndikuar nga emigrimi i lartë dhe rënia e lindshmërisë, duke çuar në një tkurrje të popullsisë së re. Pra ndryshimi i raportit është pozitiv, por shkaqet që ndikuan këtë raport nuk janë edhe aq pozitive.

Në arsimin fillor publik, numri i nxënësve për një mësues është 15.1, sipas statistikave të vitit 2024, duke shënuar një ulje me 0.4 nga viti 2023. Ndërkohë, gjatë vitit akademik 2022, raporti nxënës për mësues ishte 16.1. 

Për sistemin 9-vjeçar, numri i nxënësve për mësues ka shkuar në 7.9 gjatë vitit 2024, nga 8.2 që ishte vitin e kaluar. 

Gjithashtu, ulje ka pësuar edhe arsimi i mesëm me 0.5 nxënës më pak, ku për 1 mësues ka 11.5 nxënës, ndërsa në vitin akademik të mëparshëm kishte gati 12 nxënës. 

Nga ana tjetër, në arsimin privat ky raport ka pësuar rritje më shumë se në sektorin publik. Për arsimin fillor dhe atë 9-vjeçar, raporti rritet me 0.1 krahasuar me arsimin publik. Ndërsa për gjimnazet private, raporti nxënës-mësues është më i ulët se në sektorin publik, me 9.1 nxënës për mësues. /SCAN