Sigurimet janë kontratë: Parashikojnë të drejta dhe detyrime

Sigurimet kanë një mision: ato mbulojnë vetëm dëmet që ndodhin pas lidhjes së kontratës dhe pagesës së primit.
Ato nuk mund të mbulojnë ngjarje që kanë ndodhur më parë, as dëme të krijuara përpara momentit të sigurimit. Sigurimi është një marrëveshje dhe si e tillë ka detyrimet për palët, të siguruarin dhe siguruesin .
Në thelb, sigurimet rikuperojnë financiarisht dëmet sipas kushteve të kontratës, gjithmonë në përputhje me legjislacionin dhe rregullat e Autoritetit të Mbikëqyrjes.
Koha thelbësore
Koha në sigurim është thelbësore. Prandaj është shumë e rëndësishme që sigurimi të fillojë në kohën e duhur: sapo blejmë një makinë, sapo blejmë një apartament, sapo ndërtojmë një shtëpi apo një fabrikë. Për sigurimet duhet menduar në moshë të re, veçanërisht për sigurimet e jetës dhe të shëndetit. Sigurimi ka edhe afatet e tij, atë të aktivizimit të policës dhe të skadimit të saj. Këto shprehen qartë në kontratat e marrjes në sigurim.
Sa më herët të fillojë sigurimi, aq më e fortë dhe më e qëndrueshme bëhet historia juaj e sigurimit. Një histori e pandërprerë i jep siguri klientit dhe besim kompanisë. Historiku i qëndrueshëm dhe i besueshëm me kompaninë shkurton atë që njihet si periudha e pritjes kur hyn në fuqi mbulimi i parashikuar në rast dëmi nga kontrata e sigurimit (në rastet e sigurimeve të shëndetit).
Kuptimi i kontratës siguruese
Në praktikë, nga klientët shpesh kemi parë të ngrihen pritshmëri që nuk përputhen me parimet bazë të sigurimit, as me germën dhe as me frymën e kushteve të kontratës së nënshkruar mes palëve.
Thënë me fjalë të thjeshta, ndodh që klientët të japin pëlqimin e tyre për përfitimet, por u shmangen kushteve dhe detyrimeve. Mirëpo baza e çdo kontrate dhe marrja në sigurim është një kontratë, nënkupton marrjen përsipër në mënyrë të njëhershme për disa të drejta dhe disa përgjegjësi.
Kategoritë e vërejtura nga praktika
Në praktikë janë vërejtur edhe persona që:
dëshirojnë mbulim sigurimi, por i shmangen kërkesës për të plotësuar pyetësorët paraprakë të marrjes në sigurim;
persona të tjerë që dëshirojnë mbulim, por vetëm pasi kanë konstatuar se janë tashmë të sëmurë;
dëshirojnë mbulim, por pa e paguar në mënyrë të rregullt dhe pa e riaktivizuar në kohën e duhur kontratën e tyre të sigurimit;
dëshirojnë mbulim pa kohë pritjeje dhe pa kushte të plotësuara, edhe pse e dinë se sa i rëndësishëm është historiku i klientëve në një marrëdhënie besimi;
dëshirojnë mbulim por nuk e plotësojnë me saktësi dhe përpikëri dosjen e raportimit të dëmit, e shprehur qartë në kushtet e kontratës;
ngrenë pritshmëri mbulimi, që synojnë mbrojtjet më maksimale, kufijtë më të lartë të mbulimit, me kostot më minimale (jashtë çdo logjike dhe në mospërputhje me kontratat e nënshkruara).
Raste të ndryshme nga praktika
Një sigurim shëndeti në udhëtim, siç e vërejmë shpesh, nuk e mbulon një operacion 20–30–40–100 mijë euro. Mjafton të lexohet kontrata e sigurimit me kujdes. Mjafton të lexohen kushtet e produktit me kujdes. Askund sigurimi shëndetësor në udhëtim nuk e kapërcen këtë lloj mbulimi. Për më tepër, ekzistojnë produkte të tjera: sigurimet shëndetësore, kartat “Gold” që shkojnë deri në 1 milion euro mbulim, si dhe ato që ofrojnë mbulim për sëmundje të rënda. Sigurisht, çmimet e tyre janë më të larta. Të kërkosh ndërhyrje kirurgjikale që kushtojnë mijëra euro me një sigurim 5 euro, që parashikon vetëm emergjenca ambulatore, është sa jologjike, aq edhe moskuptim i mënyrës se si funksionojnë sigurimet.
Me një sigurim shtëpie bazë nga zjarri, nuk mund të presësh mbulim nga çdo dëm që i vjen shtëpisë tuaj: ai sigurim nuk e mbulon tërmetin dhe përmbytjen, nëse klienti nuk i kërkon dhe nuk i aktivizon ato si mbulime shtesë.
Një sigurim i shumës së detyrimit si kredi ndaj bankës, në rast dëmi do të shlyejë vetëm vlerën e detyrimit ndaj bankës. Duhet një sigurim shtesë për të pëfituar vlerën e plotë të dëmit që mund të pësojë banesa juaj e lënë si barrë hipotekore (kolateral).
Një sigurim TPL mbulon dëmet materiale dhe jomateriale ndaj palëve të treta, por kompania e sigurimeve gëzon të drejtën ligjore t’i kërkojë mbrapsht vlerën e dëmit shkaktarit të aksidentit nëse ai është në shkelje të ndonjerit prej 6 kushteve të parashikuara në nenin 23 të ligjit 32/2021.
Një dosje e raportimit të dëmit, ligjërisht, si kudo tjetër në Botë ku kontratat janë ligjore, nuk mund të përfitojë dëmshpërblimin pa qenë e plotësuar me të gjithë dokumentacionin e nevojshëm.
Produktet kanë kushtet, specifikat dhe përjashtimet e tyre. Në faqet zyrtare të kompanive, së bashku me çdo produkt, publikohen edhe kushtet e marrjes në sigurim si dhe termat e produktit të sigurimit.
Jo të gjithë nuk informohen
Këto kushte duhet të studiohen nga klienti; përfaqësuesit e kompanisë janë aty për t’iu përgjigjur paqartësive. Çdo kompani kur nënshkruan një kontratë sigurimi merr të mirëqenë se hapi i parë që klienti ka bërë është pikërisht studimi i këtyre kushteve, të drejtave (përfitimeve) dhe detyrimeve (kushteve për t’u plotësuar).
Sigurisht, këtu duam të shtojmë se jo të gjithë janë të painformuar. Një segment i caktuar, nisen që në fillim me idenë për të përfituar jashtë asaj që kontrata e sigurimit parashikon, për të përfituar në mënyrë jokorrekte një mbulim, që nuk u takon dhe për të cilin nuk është nënshkruar kontratë. Kjo, përveçse jokorrekte, është edhe e paligjshme. Mashtrimi në sigurime është vepër penale e parashikuar në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë.
Sigurimi është një marrëveshje besimi dhe përgjegjësie e ndërsjellë. Ai funksionon mbi parimin e drejtësisë, transparencës dhe menaxhimit të rrezikut. Sigurimet nuk të bëjnë të pasur; ato të mbrojnë që të mos humbasësh gjithçka dhe do të jenë pranë kur më së shumti ke nevojë, pas një dëmi./ Marrë nga sigurime.online
Po ndodh...
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128