E zgjidh vettingu politik i Bashës çështjen e korrupsionit te zyrtarët e lartë?

Prej muajsh tashmë, Shqipëria është kapluar nga ethet e arrestimeve të shumta në rang zyrtarësh e ish-zyrtarësh të lartë shtetërore, ku akuzat kryesore lidhen me korrupsionin.
Pikërisht për këtë arsye u ndërmor edhe reforma zëlartë e Drejtësisë, e cila kishte për synim të reformonte gjithë sistemin, me qëllimin e vetëm vënien pas hekurave të çdo funksionari shtetëror të korruptuar.
Frytet e kësaj reforme, mund të mbeten të diskutueshme për të shumtë, por aq zyrtarë pas hekurave sa kanë parë shqiptarët në vitin e fundit, nuk i kanë parë ndoshta në gjithë tranzicionin 30-vjeçar të pluralizmit.
Vetë kryeministri Edi Rama, pavarësisht se një numër shumë i lartë arrestimesh kanë ardhur nga radhët e partisë politike që ai drejton, asaj Socialiste, e ka vlerësuar reformën maksimalisht dhe ka qenë shtytës kryesor që ajo të marrë udhën e duhur.
Mbi të gjitha, me ngritjen e tre enteve të posaçme për hetimin e rangjeve të larta publike: SPAK, GJKKO dhe BKH.
Rasti i fundit i një dosjeje voluminoze prej 400 faqesh dhe kërkesës për arrestim të ish-zëvendëskryeministrit, Arben Ahmetaj, shënon edhe atë më lartin të një zyrtari shtetëror ndonjëherë në demokraci (i cili nuk lidhet me arsye politike).
Mirëpo raste të tjera flagrante, kanë qenë të shumtë, përfshi ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili është dënuar me burg, ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka, i cili po gjykohet për aferën e inceneratorëve, ish-deputetin socialist, Alqi Bllako, po për të njëjtën çështje, apo kryebashkiakë socialistë si Vangjush Dako, Fatos Tushe, Safet Gjici, Lefter Alla, Fran Tuci.
Në listë nuk mungojnë as ish-kryeprokurorë, si Adriatik Llalla, i cili ka kërkuar azil politik në Romë të Italisë, apo sekretarë të përgjithshëm në ministri e zyrtarë të thjeshtë.
Të gjitha, raste të cilat reflektojnë një gjendje endemike të korrupsionit në institucionet shqiptare.
Nëse këta persona gjenden sot në përballje me drejtësinë, meritë ka pa diskutim reforma e ndërmarrë me një proces themeltar në të: Vettingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Duhet thënë se një pjesë shumë e lartë e gjithë trupës është përjashtuar nga sistemi i drejtësisë, pasi vetë ata nuk e justifikonin pasurinë e tyre në shumicën e rasteve.
Një lloj pastrimi u soll në radhët e drejtësisë përmes këtij procesi.
Thuajse i njëjti format, është përcjellë si zgjidhje edhe nga ish-kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, sa i takon një pastrimi të rangut të përfaqësuesve të popullit në sallën e Parlamentit, për të shmangur më pas të tilla raste korrupsioni.
Vetë drejtësia po e pastron në një lloj forme politikën.
Por, ajo e Bashës, e hedhur si tezë që prej vitit 2018, është një lloj vetëpastrimi.
Ai pati sukses sa i takon procesit të dekriminalizimit, i cili sërish u propozua nga radhët e Partisë Demokratike kur Basha e drejtonte atë dhe ndaloi së marri funksione publike jo pak raste, mbi të gjitha në rang kryebashkiakësh.
Mirëpo, ky i vettingut politik, shkon edhe më thellë se sa thjesht dekriminalizimi dhe ndryshon në themel prej tij.
Fillimisht, duhet të kuptohet se dekriminalizimi ka të bëjë thjesht me pastërtinë e figurës së personit që kandidon për një post publik (deputet, kryetar bashkie) dhe nuk e lejon atë të marrë pjesë nëse ka pasur dënime të formës së prerë më parë ndaj tij (për periudha të përcaktuara ligjërisht).
Kjo nuk ka qenë e mjaftueshme sa duket, që të ndalojë politikanët të përfshihen në afera korruptive, pastrimit të parave apo më gjerë.
Ajo çfarë vettingu i Bashës kërkon të bëjë, është të hyjë në themel të pasurive dhe të ardhurave të deklaruara shumëvjeçare nga personat që kërkojnë votëbesimin e popullit.
Hapa konkretë madje janë marrë nga Basha, duke pasur edhe pëlqimin e Komisionit të Venecias lidhur me draftin paraprak dhe duke paraqitur argumente të shëndosha pro ligjit, por i cili mbeti i pambështetur nga shumica parlamentare në dhjetor 2018.
Sot, Basha po kërkon të rikthehet në krye të PD-së (asaj zyrtare) dhe në themel të kauzës së tij, ka as më pak e as më shumë se vettingun e politikanëve.
Çdo rast të ri të korrupsionit apo arrestimeve, ai e lidh pikërisht me këtë proces të propozuar nga ai, si vetërregulluesi i vetëm i mundshëm për sferën politike shqiptare.
Nëse do të kishte sukses si format, kjo asnjëherë nuk mund të thuhet, pasi do të duhej të shihej edhe forma e ekzekutimit dhe komisioni që do të ndërmerrte përsipër kualifikimin apo skualifikimin e politikanëve nga procesi.
Formulë e ngjashme me atë të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, i cili ushtron detyrën për gjyqtarët dhe prokurorët sot dhe i cili, sa është parë, ka dhënë rezultate.
Ndaj, një volum pozitiv që ky proces mund të sjellë (edhe me përfshirjen e vetë KPK-së), nuk duhet përjashtuar, por parashtruar si mundësi për të pastruar një herë e mirë politikën nga ndotja korruptive.
Happening now...
83 mandates are not immunity for Rama's friends
ideas
top
Alfa recipes
TRENDING 
services
- POLICE129
- STREET POLICE126
- AMBULANCE112
- FIREFIGHTER128
