Lufta e SPAK kundër korrupsionit njeh kulme të reja!

2023-06-03 15:44:54 / IDE NGA ERL KODRA

Lufta e SPAK kundër korrupsionit njeh kulme të reja!

Dje u arrestua koka e korrupsionit në Shqipëri, ajo që e ka penguar vendin të ecë në rrugën europiane, na ka prish imazhin dhe shkatërruar marrëdhëniet me partnerët.

Ajo është Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Shëndetësisë, që u kap nga heronjtë tanë të SPAK dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, që me metoda speciale hetimi, në bashkëpunim me partnerët dhe informacione të marra në rrugë konfidenciale, arritën ta prangosin në kushtet e flagrancës duke marrë 33 mijë lekë, për një tender prej 3 milion.

Fitorja e djeshme e SPAK e ngre në një nivel të ri luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, dhe i hap vendit rrugën e integrimit euro-atlantik. Partnerët ndërkombëtar përgëzuan organet tona të lavdishme ligjzbatuese si SPAK dhe BKH, duke shprehur bindjen se tashmë Shqipëria është në rrugë të mbarë dhe se ajo po përmbush pritshmëritë e tyre për sundimin e ligjit.

Po dje, me kërkesë të Prokurorisë dhe vendim të Gjykatës lirohet para kohe me kusht edhe ish-ministri kampion i qeverisë, i cili ishte dënuar për shpërdorim detyre (në formën e trafikut ndërkombëtar të drogës) Saimir Tahiri. Ai do të vuaj dënimin e mbetur në gjirin e ngrohtë familjar, pranë gruas dhe djalit të tij të dashur, dhe nën kujdesin e shtuar të medias vigjilente, e cila do ta monitorojë çdo sekond të jetës se tij private.

Për këtë sukses të rradhës, pritet që të reagojnë Bashkimi Europian, NATO, Britania e Madhe, Franca, Italia, dhe sigurisht Departamenti Amerikan i Shtetit. Flitet se një deklerat do të behet edhe nga një ndër Këshilltarët e Sigurisë Kombëtare të Presidentit Biden - nëse vet Presidenti nuk e sheh të arsyeshme që të prononcohet në lidhje me arrestimin e djeshëm. Por gjasat janë të mëdha që pas deklarimit tronditës të KM Edi Rama për këtë rast të tmerrshëm korrupsioni, reagimi nga partnerët të jetë i niveleve më të larta.

Suksese SPAK dhe BKH. Vetëm përpara, kurrë mbrapa!

Happening now...