McGonigal dhe fushat e naftës/ Ish-presidenti i Dhomës amerikane: Ka pasur influencë të brendshme për investimet në vend

2023-03-20 21:39:22 / POLITIKË ALFA PRESS

McGonigal dhe fushat e naftës/ Ish-presidenti i Dhomës amerikane: Ka

Ish-presidenti i Dhomës amerikane Mark Crawford i ftuar në studion e emisionit “Open” ka folur në lidhje me përfshirjen e interesave ruse për fushat e naftës në Shqipëri dhe rolin e ish-agjentit të FBI-së Charles McGonigal në këtë çështje.

Sipas Crawford agjentët e FBI janë përgjegjës për punët e brendshme dhe nuk mund të shkojnë në vende të tjera si në rastin e McGonigal dhe të takojnë kryeministrin e vendit pa dijeninë e ambasadës.

Ai tregoi se gjatë kohës kur ka qenë aktiv në rolin e tij në Dhomën amerikane, ka konstatuar disa investitorë amerikanë që nuk i kanë bërë “sens”, por me zhvillimet e muajve të fundit, ka kuptuar se mund të ketë pasur influencë të brendshme, ose siç e quajti Crawford, “një tradhtar në ushtri”.

Pjesë nga biseda:

Crawford: Unë e pashë hetimin në Amerikë, mos marrëveshjet e biznesit kanë ndodhur para disa vitesh. Këto gjëra janë publike, por unë nuk e dija që ishte për McGonigal dhe nuk dihej që ai kishte lidhje me naftën. Pas hetimit në SHBA doli që ai erdhi këtu dhe ishte i lidhur me rusët dhe ishte i interesuar për fushat e naftës.

Murati: E keni konstatuar influencën ruse në rastin McGonigal apo në raste të tjera gjatë viteve të fundit?

Crawford: Ishte surprizë për mua që rusët ishin kaq prezentë në prapaskenë. Kur kam qenë në Mal të Zi apo Serbi rusët ishin të dukshëm, Deripaska vetë ka pasur kompani në Mal të Zi. Bashkëpunimi me rusët në atë kohë ka qenë i dukshëm, këtu ka pak.

Murati: McGonigal është emri më i madh i përfshirë në një vepër të tillë, ky korrupsion buron nga Rusia, apo është mbyllur mes McGonigal dhe shqiptarëve?

Crawford: FBI është për punët e brendshme, ai ka qenë në media më parë sepse është pyetur për zgjedhjet e kaluara dhe kanë thënë që ka dëmtuar fushatën e Clinton, por janë çështje të brendshme. Ata nuk shkojnë jashtë, nuk vijnë vetëm dhe takojnë kryeministrin pa folur me ambasadën. Unë e di që është vështirë për të investuar jashtë, nëse lufton edhe kundër FBI bëhet mision i pamundur. Kur kam qenë aktiv kam parë disa investitorë amerikanë që nuk më bënin sens, por duke kuptuar veprimet tani kuptoj se mund të ketë pasur influencë të brendshme, ka pasur një tradhtar në “ushtrinë” tonë. Nëse rusët po korruptojnë një agjent të FBI është edhe çështje gjeopolitike, kur kanë sanksionet u nevojitet një rrugë e dytë.