Tentuan të hynin në vilën e Princit William, zbardhet identiteti i dy shqiptarëve

2026-11-25 11:01:00 / AKTUALITET ALFA PRESS

Identifikohen dy shqiptarët që tentuan të vidhnin rezidencën

Janë zbuluar identitetet e dy shqiptarëve të dyshuar për përfshirjen në vjedhjen e vilës së Princit William dhe Princeshës Kate, në Norfolk të Britanisë së Madhe.

Sipas raportimeve të mediave britanike, dy personat e arrestuar janë identifikuar si Mirgen Doku dhe Arilen Ndoci.

Mësohet se njëri prej tyre ndodhej në Britani si emigrant i paligjshëm, pasi kërkesa e tij e mëparshme për azil kishte përfunduar. Ndërkohë, për statusin e personit tjetër nuk janë bërë ende publike detaje.

Rasti ka tërhequr vëmendjen e mediave britanike për shkak të lidhjes së tij me pronën e familjes mbretërore britanike. Hetimet për ngjarjen vijojnë, ndërsa dy shqiptarët dyshohen për përfshirjen në këtë vjedhje.

Sipas mediave britanike, njëri prej të arrestuarve dyshohet se qëndron ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar. Ngjarja ka shkaktuar shqetësim të madh për sigurinë, pasi dy personat kanë depërtuar në pronën mbretërore gjatë mbrëmjes së së hënës.

Gazeta “The Sun” raporton se të dyshuarit mund të mos e kenë ditur se rezidenca i përkiste çiftit mbretëror dhe se dyshohet se kanë vepruar me qëllim vjedhjeje. Megjithatë, autoritetet po hetojnë për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes dhe për të përcaktuar nëse pas hyrjes në pronë qëndron ndonjë motiv tjetër.

Sipas raportimeve, dy personat, të cilët dyshohet se ishin të maskuar, aktivizuan sistemet e sigurisë së rezidencës, ku përfshihen kamerat e vëzhgimit, teknologjia lazer dhe sensorët e lëvizjes. Më pas, ata u larguan nga zona.

Pas marrjes së njoftimit, policia nisi një operacion të gjerë kërkimi, ku u angazhuan qen policie, dronë dhe një helikopter i Shërbimit Kombëtar të Policisë Ajrore, i pajisur me teknologji infra të kuqe.

Dy të dyshuarit u arrestuan brenda territorit të pronës mbretërore dhe vijojnë të mbahen në paraburgim. Policia e Norfolkut konfirmoi se në momentin e incidentit nuk kishte persona brenda rezidencës.

Anmer Hall shërben si rezidencë pushimi për Princin William dhe Princeshën Kate. Banesa iu dhurua çiftit nga Mbretëresha Elizabeth II me rastin e martesës së tyre në vitin 2011.

Ndërkohë, rezidenca kryesore e familjes, ku çifti jeton së bashku me tre fëmijët e tyre, Princin George, Princeshën Charlotte dhe Princin Louis, ndodhet në Forest Lodge, në Windsor. Familja mbretërore e përdor rezidencën në Norfolk kryesisht gjatë fundjavave dhe pushimeve shkollore.

 

Po ndodh...

ide