Antibiotikët po humbasin fuqinë, alarm për kërcënim serioz të shëndetit publik në Evropë
Antibiotikët, të cilët kanë revolucionarizuar mjekësinë moderne duke bërë të trajtueshme infeksione që dikur ishin vdekjeprurëse, po përballen me një kërcënim gjithnjë e më të madh: rezistencën e baktereve ndaj medikamenteve.
Rezistenca antimikrobike (AMR) shkakton rreth 35 mijë vdekje çdo vit në Bashkimin Europian. Sipas të dhënave, ndikimi i saj në shëndetin publik është i krahasueshëm me atë të gripit, tuberkulozit dhe HIV/AIDS-it të marra së bashku.
“Rezistenca ndaj antibiotikëve ndodh kur mikrobet nuk mund të trajtohen më me ilaçet që përdorim zakonisht për t’i luftuar”, shpjegon Fiona Walsh, profesoreshë në Universitetin Maynooth në Irlandë, e cila studion përhapjen e rezistencës te njerëzit, kafshët dhe në mjedis.
Pasojat janë veçanërisht serioze për pacientët e infektuar me baktere rezistente ndaj disa llojeve të antibiotikëve. Në këto raste, mjekët mund të detyrohen të kombinojnë disa medikamente për të luftuar infeksionin, por edhe këto trajtime nuk japin gjithmonë rezultat.
“Fatkeqësisht, disa njerëz do të humbin jetën”, paralajmëron Walsh.
Situata pritet të përkeqësohet edhe më tej në dekadat e ardhshme. Një studim i publikuar në revistën shkencore “The Lancet” parashikon se rezistenca bakteriale ndaj antibiotikëve mund të shkaktojë drejtpërdrejt 39 milionë vdekje në mbarë botën gjatë periudhës 2025-2050.
Përdorimi i tepruar i antibiotikëve te njerëzit, administrimi i tyre te kafshët, kushtet e dobëta higjienike dhe ndotja e mjedisit janë ndër faktorët që ndikojnë në përhapjen e kësaj rezistence. Bakteret dhe materiali gjenetik që u mundëson atyre t’u mbijetojnë antibiotikëve mund të qarkullojnë mes njerëzve, kafshëve dhe mjedisit.
Për këtë arsye, studiuesit po i kushtojnë gjithnjë e më shumë rëndësi qasjes “One Health” (Një shëndet), e cila e sheh shëndetin e njerëzve si të lidhur ngushtë me atë të kafshëve dhe mjedisit.
Vaksinat dhe parandalimi, pjesë e zgjidhjes
Përballë këtij kërcënimi, ekspertët theksojnë se zgjidhja nuk qëndron vetëm te zhvillimi i antibiotikëve të rinj, por edhe te parandalimi i infeksioneve.
Vaksinat mund të luajnë një rol të rëndësishëm, pasi duke ulur numrin e infeksioneve, zvogëlojnë edhe nevojën për përdorimin e antibiotikëve. Organizata Botërore e Shëndetësisë vlerëson se përdorimi më i mirë i vaksinave mund të reduktojë konsumin global të antibiotikëve me 2.5 miliardë doza në vit.
Sipas profesoreshës Walsh, ruajtja e shëndetit dhe forcimi i mbrojtjes natyrore të organizmit janë gjithashtu thelbësore, veçanërisht për të moshuarit dhe personat me sistem imunitar të dobësuar.
Ajo nënvizon se bakteret që jetojnë natyrshëm në trupin e njeriut kanë një rol të rëndësishëm në mbrojtjen kundër infeksioneve. Ato gjenden në zorrë, në lëkurë dhe në gojë, ndaj përdorimi i tepërt i antibiotikëve dhe dezinfektuesve mund të prishë ekuilibrin e këtij sistemi natyror mbrojtës.
Ekspertët argumentojnë se lufta kundër rezistencës antimikrobike kërkon një strategji më të gjerë, që përfshin jo vetëm kërkimin shkencor për medikamente të reja, por edhe zhvillimin e vaksinave, përmirësimin e trajtimit të ujërave të ndotura dhe rritjen e standardeve të shëndetit të kafshëve përgjatë gjithë zinxhirit ushqimor.
Në këtë mënyrë, parandalimi i përhapjes së baktereve rezistente shihet si një nga sfidat kryesore për mbrojtjen e shëndetit publik në vitet e ardhshme. /skyweb.al
Po ndodh...
Berisha, Rama's "Trojan Horse" for Albanians who don't love him
ide
Why has Rama lost power?
Atdheu pa semaforë
History cannot repeat itself!
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128
