Giordano BRUNO (1548-1600) – Martiri i fjalës të lirë
Fillim shekulli i 17-të filloi me një ngjarje tragjike. Në 17 shkurt 1600 u dogj ne turrën e druve, në prani të publikut, filozofi, astronomi, matematicieni, poeti dhe kleriku domenikan Giordano Bruno. Nuk ishte rastësi që, për njërin prej njerëzve më të ditur, më vizionarin, më qëndrestarin dhe më me kuraje që ka njohur historia e shkencës, të përdorej masa më e ashpër. Aq e madhe ishte frika e Klerit dhe Inkuizicionit nga forca e mendimit të tij.
Jo se klerikët e lartë apo anëtarët e Inkuizicionit ishin njerëz të padijshëm, të pakulturë, që duke mos kuptuar idetë e tij u sollën aq barbarisht dhe mizorisht ndaj tij, e kundërta ishte e vërtetë. Ata ishin plotësisht në dijeni të fuqisë shpërthyese të ideve të reja; ata ndjenin se këto ide shumë shpejt do të bëheshin “tritoli” në themelet e një ndërtese të ndërtuar 2000 vjet më parë, që nga koha e Aristotelit. Do të përmbysej një epokë dhe bashkë me të edhe privilegjet shpirtërore dhe materiale të tyre Ata vetëm gabonin në një pikë, se mendonin se me asgjësimin e trupit njëherazi do të asgjësohej edhe shpirti që i mbartet këto ide. Edhe njëherë u vërtetua ajo përvojë mijëravjeçare, që i flijuari kthehet në martir, që djegia e trupit e shumëfishon idenë.
Cili ishte vizioni mbi Botën sipas Fesë? – Toka ishte në qendër të Gjithësisë, Hëna, Dielli dhe yjet rrotulloheshin rreth saj, ndërkohë që ajo vetë ishte e palëvizshme. Materia pa jetë dhe gjithë flora dhe fauna aq e larmishme mbi Tokë, përfshij edhe njeriun, ishte vepër e Zotit. Kryevepra e tij ish Njeriu, i projektuar sipas shëmbëlltyrës të tij.
Këto mësime mësoheshin në çdo shkollë fetare, në çdo manastir, ato predikoheshin në çdo kishë dhe qarkullonin në çdo familje për mëse 2000 vjet. Ai që do të guxonte t’i cenonte këto mësime mijëvjeçare kryente krimin më të rëndë, bënte herezinë më të madhe.
Koperniku, sa ishte gjallë, e mbajti të fshehur veprën e tij, që fliste për rrotullimin e Tokës dhe Galilei u mposht para gjyqit të Inkuizicionit. Por Bruno kishte një karakter të një natyre tjetër. Për të, Dija nuk duhej mbajtur fshehur, ajo duhej përhapur me guxim e kuraje, duke paguar edhe çmimin.
Pikëpamjet filozofike të Brunos mbështeteshin në traditat e filozofisë antike greke e romake, si dhe në zbulimet e shkencave të natyrës e në mënyrë të veçantë në teorinë heliocentrike të Nikola Kopernikut. Giordano Bruno qëndronte në pozita panteiste, ai e identifikonte Zotin me Natyrën dhe mbronte tezën se Natyra është e pafund. Gjithësia – thoshte ai, është një kompleks botërash të panumërta, sistemesh diellore të njëjta me sistemin tonë planetar, dhe supozonte se ato janë të populluara edhe me qenie inteligjente. Ndryshe nga Koperniku, që e merrte Diellin si qendër të palëvizshme të Gjithësisë, Bruno thoshte se Dielli lëviz e ndryshon pozicion kundrejt yjeve, se edhe atmosfera e Tokës lëviz bashkë me të etj. Në veprat e veta theksoi idenë se, si Toka jonë ashtu edhe trupat e tjerë qiellorë, janë të përbërë prej elementëve të njëjta fizike: prej dheut, ajrit, ujit dhe zjarrit. Këto ide ishin jo vetëm shume te avancuara për kohën por edhe një sfidë e vërtetë për dogmat e teologjisë fetare.
Idetë e mëdha revolucionare gjithmonë kanë cenuar interesat madhore të sundimtareve dhe kushdo që tentonte t’i përhapte duhet të paguante një çmim të lartë. Bruno e pagoi këtë çmim me jetën e vet dhe, me plot të drejtë, ai konsiderohet botërisht martiri i parë i shkencës.
Sot në sheshin “Dei Fiori” në Romë, në vendin ku ai u ekzekutua mizorisht, ngrihet madhërishëm statuja e tij, sikur kërkon të na thotë ne qytetarëve të shek. 21-të atë që ju tha inkuizitorëve të tij, 400 vite më pare se: – “Përparimi gjithmonë vjen nga kuraja për t’u përballur me të vërtetën.”
Po ndodh...
Amerika mund të tërhiqet nga Europa, por jo nga SPAK
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128
