Gjeni të botës/ Viktor Hygo (1802-1885) në përvjetorin e tij të lindjes
Sot është datëlindja e Viktor Hygo-it, babait të Romantizmit francez, romancier, dramaturg, poet, filozof, një republikan i vendosur kundër despotizmit dhe mbrojtës i flaktë i lirisë të njeriut.
Kam përzgjedhur një fragment domethënës nga romani i tij i mirënjohur “Viti ‘93”, ku nëpërmjet gojës të Govenit, njërit prej personazheve qendrorë të romanit, jepet e sintetizuar vizioni i autorit për të ardhmen e njerëzimit.
“Ju doni shërbimin ushtarak të detyrueshëm. Kundër kujt? Kundër njerëzve të tjerë. Unë, për vete, s’dua që të ketë shërbim ushtarak; unë dua paqen. Ju doni që të ndihmohen të mjerët, unë dua të zhduket mjerimi. Ju doni taksën proporcionale, unë nuk dua fare taksa; unë dua shpenzimin e përbashkët të mbivlerës shoqërore. Ju doni që gruaja të jetë shërbëtore e burrit, unë dua barazinë.
Së pari zhdukni parazitizmin; parazitizmin e priftit, parazitizmin e gjykatësit; parazitizmin e ushtarit. Pastaj nxirrni dobira nga pasuritë tona: ju e hidhni plehun në gjiriz, hidheni atë në brazdë. Tre të katërtat e tokës janë të paçara; lërojeni Francën. Le të ketë çdo njeri një tokë dhe çdo tokë një njeri. Kështu do ta qindfishoni produktin shoqëror. Franca, sot për sot, nuk u jep fshatarëve veçse katër ditë mish në vit; kur të lëvrohej mirë, Franca do të ushqente treqind milion njerëz. Përdoreni dobishëm Natyrën, këtë ndihmëse të pafund që ka mbetur e përbuzur.
Bëni që të punojnë për ju të gjitha fryrjet e erërave, të gjitha ujëvarat, të gjithë rrjedhat e lumenjve. Lëmshi tokësor ka një qarkullim të habitshëm uji, vaji dhe zjarri; shpojeni atë dhe bëni që uji të shpërthejë për krojet tuaja, vaji për llapat tuaja, zjarri për vatrat tuaja. Mendoni për lëvizjet e dallgëve, për baticën dhe zbaticën. Çfarë është oqeani? Një forcë e paanë që humbet kot.
Njeriu nuk është bërë për të hequr zvarë vargonj, por për të hapur krahë!”./ Përgatiti Klodi Stralla, Alfapress.al
Po ndodh...
Amerika mund të tërhiqet nga Europa, por jo nga SPAK
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128
