Dosja Epstein: Pushteti pa dritë dhe elitat pa përgjegjësi
Dosja Epstein u paraqit që në fillim si skandal seksual global. Në të vërtetë, ajo është diçka shumë më e thellë dhe më shqetësuese: Një pasqyrë brutale e mënyrës se si funksionon pushteti kur çlirohet nga përgjegjësia morale dhe institucionale.
Rasti i Jeffrey Epstein nuk është histori për seksin, por për pushtetin që e përdor trupin si valutë dhe turpin si instrument kontrolli. Ai nuk u bë figurë qendrore sepse ishte i jashtëzakonshëm, por sepse ishte i dobishëm. I dobishëm për të prodhuar sekrete, për të ndërtuar varësi dhe për të krijuar hapësira ku pushteti mund të vepronte larg dritës dhe larg ligjit.
Këto hapësira — korridore, ishuj, rezidenca private — nuk janë thjesht metafora. Janë vende reale ku pushteti heq maskën publike dhe funksionon pa emër. Aty individi nuk pyetet kush është, sepse identiteti do të sillte përgjegjësi. Ka vetëm trup, sepse trupi blihet, përdoret dhe hesht. Nuk kemi të bëjmë me epsh personal, por me ritual pushteti: Seks jo si intimitet, por si provë dominimi.
Në këtë kuptim, dosja Epstein flet për një elitë që kërkon vazhdimisht konfirmim primitiv të forcës së vet. Jo përmes ideve, as përmes autoritetit moral, por përmes nënshtrimit të tjetrit. Dhe pikërisht këtu lind rreziku politik: Një pushtet i ndërtuar mbi sekrete dhe turp është pushtet i shantazhueshëm, pra i brishtë dhe i rrezikshëm.
Reagimi institucional ndaj zbulimit të dosjeve ishte po aq domethënës sa vetë krimet. Miliona faqe dokumente, redaktime të shumta, debate mbi çfarë duhej publikuar dhe çfarë duhej mbajtur fshehur. Transparenca u trajtua si montazh filmi: Mjaftueshëm për t’u quajtur zbulim, por jo aq sa për t’u bërë drejtësi. Sistemi nuk u trondit; ai e administroi goditjen.
Kjo nxjerr në pah një të vërtetë të pakëndshme: Pushteti modern nuk bie nga skandalet. Përkundrazi, ai është ndërtuar për t’i përballuar ato. Skandali shërben si test elasticiteti, jo si kërcënim real. Sa zhurmë do të bëjë publiku? Sa do të zgjasë indignata? Pastaj gjithçka kthehet në normalitet.
Ironia është se diskursi publik vazhdon të sillet rreth parimeve, strategjive dhe aleancave, ndërsa shumë prej atyre që flasin për to janë rrëzuar nga kurthi më i vjetër i historisë: Seksi si pushtet. Jo seks si marrëdhënie njerëzore, por si mall dhe provë force. Një mënyrë për të thënë: Unë sundoj, pra jam.
Mekanizmi është universal. Kur ligji dobësohet, forcohet kompromati. Kur autoriteti moral venitet, turpi shndërrohet në mjet sundimi. Dhe aty ku pushteti vepron pa dritë, gjithmonë do të ketë dhoma pa dritare.
Dosja Epstein nuk na zbulon se njerëzit e fuqishëm janë të korruptueshëm — kjo dihet prej kohësh. Ajo na tregon diçka më të rrezikshme: Se sistemet politike dhe institucionale janë mësuar të jetojnë me këtë fakt pa u reformuar. Jo krimi, por normalizimi i tij është problemi i vërtetë.
Një sistem që nuk skandalizohet më nga vetvetja, është një sistem që e ka humbur aftësinë për t’u ndrequr. Dhe pikërisht për këtë arsye, dosja Epstein mbetet aktuale: Jo për atë që u pa, por për atë që pushteti ende arrin ta mbajë në errësirë.
Po ndodh...
ide
Dosja Epstein: Pushteti pa dritë dhe elitat pa përgjegjësi
Ilir Meta, kjo çingie e Edi Ramës!
Si të qeverisësh vendin dhe të drejtosh opozitën... për veten!
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128