Ilir Meta bën mirë që relaksin dhe aventurat, ti adresojë te filmi ku ka rol edhe Rama me Vilajn

25 Mars 2024, 11:04 / IDE NGA ELONA CASLLI

Ilir Meta bën mirë që relaksin dhe aventurat, ti adresojë te

Aventura dhe relaksi i popullit të dielave.

Ish presidenti i vendit Ilir Meta dhe njëkohësisht kryetari i Partisë së Lirisë, hipur majë një strukture të lartë prej hekuri, u uron shqiptarëve aventura dhe relaks në një ditë të diele.

Këtë e bën në trajtën e një recitimi krejtësisht të dobët dhe me një papërmbajtje të skajshme që nuk përkon as me moshën e tij as me detyrat e tij paraardhëse ose aktuale.

Aventura e vetme që po përjetojnë shqiptarët e ndershëm aktualisht është aventura e përgatitjes së valixheve dhe ikja nga sytë këmbët nga ky vend për të filluar nga fillimi një jetë tjetër diku gjetkë, për të hedhur tutje të gjithë investimin e tyre në këtë vend dhe për t'ia nisur nga pika zero në një vend tjetër.

Aventura e emigrimit është plot sfida, megjithatë sfidat e emigrimit u duken shqiptarëve më të lehta se sfidat e të jetuarit në Shqipëri.

Relaksi i vetëm që përjetojnë shqiptarët e ndershëm është kur faturat e tyre përkojnë me rrogat në fund të muajit dhe muaji mbyllet pa minus.

Ilir Meta dhe kushdo tjetër, bën mirë që urimet për aventurë dhe relaks t'i adresojë tjetërkund, pasi aventura dhe relaksi në terminologjinë e të përditshmes së shqiptarëve janë zëvendësuar me ankth dhe lodhje.

Post Scriptum- Nëse ish presidenti e ka hobi aktrimin ta zhvillojë në produksionin e ndonjë filmi. Kryeministri aktual Edi Rama dhe kryebashkiaku aktual Veliaj kanë luajtur një rol në film. Nuk ka arsye pse mos ta bëjë dhe ish presidenti.