Kërcimi dyshe, Rama-Berisha, kundër SPAK dhe lëvizja e Bashës në SHBA!

8 Mars 2025, 22:54 / IDE NGA SIDI HASANAJ

Kërcimi dyshe, Rama-Berisha, kundër SPAK dhe lëvizja e

Në javën që lamë pas, kemi parë një “kërcim politik” spektakolar, ku Rama dhe Berisha, me qëndrimet e tyre të lëkundura, dukeshin si dy balerinë të papërtueshëm, që kryenin pirueta pas piruete në pistën e politikës shqiptare.

Java nisi me një kthesë dramatike nga Edi Rama, i cili, papritur, u tërhoq nga sulmet e tij ndaj SPAK dhe, me një ton të dridhur, deklaroi: “Kam respekt për Dumanin, atë e sulmon gjithë qënëria e Shqipërisë, e unë e vlerësoj shumë.” Ky është i njëjti Edi Rama që dikur bëri gjithçka për të penguar zgjedhjen e Dumanit si kreu i SPAK. Dhe tani, papritur, ai “ka respekt” për të?! Një piruetë politike e kalibrit të lartë… sharlatanesk.

Por loja nuk ndalet këtu. Në pistën e kërcimit politik hyn Sali Berisha, i cili vijon me prirjen e tij për vetë-diskretitim, duke shkatërruar çdo mbetje të dinjitetit politik me etiketimin e Altin Dumanit si “krye-socialist” – madje edhe pas arrestimit të Erion Veliajt.

“Në shtator, në mbledhjen e Partisë Socialiste në Dajt, shkoi edhe Altin Dumani, ku u takua me Ramën,” rrëfeu 81-vjeçari, në një pretendim aq qesharak sa që vetë diskreditimi i tij arriti nivele të reja poshtërimi.

Por kjo marrëzi nuk ndalet këtu. Tangua politike mes Ramës dhe Berishës vazhdoi edhe më tej gjatë javës:

Rama, i cili jo më larg se disa muaj më parë e quante SPAK-un një institucion me sjellje tipike të prokurorive ruse dhe kineze, këtë javë deklaron se nuk është penduar që votoi për krijimin e tij, edhe pse e dinte që ky institucion do të godiste anëtarët e qeverisë së tij socialiste. Një tjetër piruetë logjike, një tjetër përpjekje për të ruajtur ekuilibrin në këtë kërcim absurd.

Por siç e do ritmi i kësaj valleje groteske, në pistë u rikthye menjëherë Berisha, i cili u kundërpërgjigj me një deklaratë edhe më të pabesueshme:

“Edhe pse Dumani është skapist socialist, këtë javë ne refuzuam një ftesë të Edi Ramës për të bashkuar votat PS-PD për shkrirjen e SPAK.”

Ky pretendim ishte aq absurd, sa që edhe vetë Flamur Noka, i zënë në befasi, pyeti me zë të lartë:

“Si ka mundësi që Doktori e refuzoi këtë ftesë?”

Pra, sipas kësaj logjike, Rama, i cili deklaron se “ka respekt” për Dumanin, paska kërkuar nga Berisha – që e shan Dumanin me gjuhën më të rëndë – të bashkojnë forcat për të shkrirë SPAK-un dhe shkarkuar Dumanin?! Dhe Berisha e refuzoi?!

Mos vallë edhe Berisha, në këtë pikë, ka filluar të ketë “respekt” për Dumanin? Apo thjesht ka humbur çdo respekt për veten?

Marrëzia e kësaj tangoje vazhdoi edhe në arenën ndërkombëtare, me përpjekjet e të dyve për të demonstruar se kush është më pak armik i SHBA-ve.

Nga njëra anë, Rama pranon se ka kohë pa marrë një ftesë nga SHBA, por garanton se nuk është “non-grata” si Berisha dhe premton një “surprizë” përpara 11 majit.

Por siç ndodh gjithmonë në këtë balet absurd, Berisha nuk mund të rrinte pa u përgjigjur me një lëvizje edhe më qesharake:

“Unë nuk kam ndërmend të udhëtoj në SHBA para 11 majit (jo se nuk shkoj dot, por sepse nuk kam plan), por ju garantoj se pas 11 majit, qeveria ime do të ekstradojë Edi Ramën në SHBA për çështjen McGonigal.”

A thua se detyra e një politikani shqiptar është dërgimi i kundërshtarit të tij para drejtësisë amerikane! Në vend që të japë llogari para demokratëve përse u premtoi se me ardhjen e Trump-it, me ndikimin e La Civita-s, me emërimin e Rubio-s si Sekretar Shteti, madje edhe me Elon Musk-un në krye të DOGE, do t’i hiqej “non-grata” nga Uashingtoni, Berisha zgjedh të shesë një tjetër gënjeshtër sharlataneske.

Me gjithë akrobacitë e tij karakteriale për raportin e tij me SHBA-të, Berisha ua faktoi demokratëve diçka të qartë:

Sali Berisha do të mbetet “non-grata” në SHBA.

Qoftë me Trump-in apo Biden-in, qoftë me Rubio-n apo Blinken-in, narrativa e SHBA-ve për të mbetet e pandryshuar: “I shpallur non-grata për korrupsion masiv dhe minimin e demokracisë.”

Në këtë pikë, ndoshta shpresa e vetme për të mbetur në lojë është Elon Musk… ose Altin Goxhaj me sharrën e tij!

Por, çuditërisht, në skenën politike shqiptare, ekziston dikush që shfaqet si antihelmi i kësaj marrëzie, si e kundërta ekzakte e këtyre politikanëve që kryejnë pirueta të tërbuara karakteriale.

Në një javë ku diskursi i Ramës dhe Berishës u përmblodh në absurditetin “e respektojmë aq sa duam ta shkatërrojmë SPAK-un”, një tjetër politikan ndërmori një hap të kundërt: ai depozitoi në Uashington, në Departamentin e Shtetit, një kontratë lobimi me një kompani amerikane, objektivi i së cilës është “një fushatë ndërgjegjësimi për rëndësinë e SPAK-ut dhe luftën kundër pandëshkueshmërisë 34-vjeçare në Shqipëri.”

Ndërkohë që Sali Berisha harxhon miliona dollarë për të (mos) hequr “non-grata”-n e tij me një lobim të dështuar përmes La Civitas, ky politikan tjetër lobon për forcimin e SPAK-ut dhe vazhdimin e mbështetjes së reformës në drejtësi nga Administrata Amerikane.

Teksa Rama dhe Berisha kanë nisur luftën e të marrëve për të përcaktuar “kush është më pak armik i SHBA-ve”, ai ndodhet në Shtetet e Bashkuara duke zhvilluar takime zyrtare në nivelet më të larta të Departamentit Amerikan të Shtetit.

Por, siç ndodh shpesh, “i mençuri i duket i çmendur, të marrëve”. Ashtu edhe Lulzim Basha u duket një i çmendur Ramës, Berishës dhe gjithë qënërisë së koneve të tyre politike.

Dhe ndërsa ky realitet zhvillohet para syve të publikut, paradoksi bëhet edhe më i dukshëm.

Nga njëra anë, Rama dhe Berisha, në valle në një përqafim politik të pështirë, bëjnë gjithçka për të mbrojtur veten dhe për të siguruar mbijetesën e tyre në një sistem që u ka shërbyer për dekada. Ata në armiqësi totale me SPAK-un, pastaj pirueta sikur e mbështesin, pastaj përpiqen ta kontrollojnë, e më pas përpiqen ta shkatërrojnë – të gjithë këtë brenda një jave, pa asnjë grimë turpi për kontradiktat e tyre.

Nga ana tjetër, Lulzim Basha – i akuzuar si i pavendosur, si i dobët, madje edhe si bashkëpunëtor i fshehur i Berishës – po luan një lojë tjetër. Në vend që të zhytet në llumin e baltosjes së drejtësisë dhe flirtimit me antivlerat e politikës shqiptare, ai zgjedh të pozicionohet në anën e ligjit dhe të institucioneve perëndimore. Në vend që të bëjë marrëveshje të errëta për të shpëtuar karrigen e tij, ai lobon për SPAK-un, për reformën në drejtësi dhe për një Shqipëri të çliruar nga kthetrat e pandëshkueshmërisë.

Dhe kjo është arsyeja pse Basha është i papranueshëm për Ramën dhe Berishën. Ata kanë nevojë për njëri-tjetrin për të mbijetuar. Ata kanë nevojë për skandalet, për përplasjet false, për alibitë e përhershme të “luftës mes tyre.” Ndërsa Basha përfaqëson një kërcënim real ndaj kësaj loje të vjetër.

Prandaj e sulmojnë. Prandaj e shpërfillin. Prandaj e përqeshin.

Sepse në një Shqipëri ku politika është bërë një valle e të marrëve, dikush që refuzon të kërcejë sipas ritmit të tyre duket i çuditshëm.

Por, siç historia na ka treguar shpesh, janë pikërisht ata që refuzojnë të kërcejnë sipas muzikës së turmës, ata që në fund e ndryshojnë atë.

 

Po ndodh...

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128