Kosova nuk është kurrkund

16 Shkurt 2025, 20:10 / IDE NGA ERL KODRA

Kosova nuk është kurrkund

Askush nuk e di se çfarë do vendoset në tavolinë kur të takohen Donald Trump dhe Vladimir Putin. Mbetet të shpresojmë se Amerika nuk do të braktisë Kosovën.
(vijon nga shkrimi i kaluar)
Kur Hashim Thaçi po lexonte Dekleratën e Pavarësisë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, shqiptarët anembanë botës ishin mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës që mbrojtën dhe luftuan për çështjen shqiptare, si asnjë vend tjetër në botë. Ajo Dekleratë ishte finalja e një lufte shekullore politike, diplomatike dhe ushtarake e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në mbështetje të shqiptarëve në Ballkan. Asnjë vend tjetër në planet nuk ka patur një mbështetje kaq të fuqishme që në fillimet e shekullit të 20 si Shqipëria dhe shqiptarët. Kombi ynë ekziston si i tillë vetëm në saj të Shteteve të Bashkuara. Kush e harron ose e injoron këtë fakt është thjesht një idiot i padobishëm.
Ne shqiptarët nuk e kemi kuptuar mirë se pse Shtetet e Bashkuara ishin mbrojtësja jonë më e madhe në një botë kaq konfliktuale, sidomos duke patur parasysh faktorin shqiptar - sepse ne ishim dhe vazhdojmë të jemi një vend i vogël dhe i pazhvilluar në një cep të një kontinenti të zhytur në konflikte. Çfarë interesash kishin Shtetet e Bashkuara që na mbrojtën nga shuarja, që këmbëngulën për të drejtën që të ekzistonte një shtet shqiptar, që nuk hoqën kurrë dorë prej nesh edhe në kohët më të errëta, që mbështetën pa mëdyshje të drejtën e shqiptarëve të Kosovës për liri dhe pavarësi, që mbrojtën shqiptarët nga pastrimi etnik dhe e çliruan vendin nga një ushtri barbare dhe shpallën pavarësinë e saj?! Ka mundësi që shumë prej nesh mendojmë se Shtetet e Bashkuara kanë bërë vetëm detyrën, madje shpesh herë i akuzojmë se kanë bërë pak, sepse ata duhej të bënin më shumë, madje ata duhej të bombardonin edhe Francën dhe Anglinë, si hakmarrje për padrejtësitë që na u bënë gjatë, para dhe pas shpalljes së Pavarësisë në 1912.
Por për fat të keq punët nuk funksionojnë kështu.
Kur Shtetet e Bashkuara mbrojtën Shqipërinë dhe shqiptarët, shumë shtete europiane ishin fuqitë e mëdha të botës. Mbarimi i Luftës së Dytë ngriu për rreth 4 dekada hartën gjeopolitike të Europës që u vendos në Jaltë, ndërsa tre dekadat e fundit transformuan hartën gjeopolitike të globit. Vet Europa nuk është më ajo që ishte në Luftën e Parë dhe të Dytë, ndërsa fuqi të tjera globale po zhvendosin qëndrat e gravitetit politik dhe ekonomik. Pyetja është: ku jemi ne shqiptarët në këtë ribërje të rendit ndërkombëtar? A i kemi zgjidhur hallet shekullore me fqinjët tanë pushtues?
Përgjigja është - Jo, ne nuk jemi kurrkund.
Nesër bëhen 17 vjet që Kosova shpalli Pavarësinë. Që prej asaj dite në botë janë bërë disa luftra, kanë rënë disa regjime, ndërsa regjime të reja janë konsoliduar. Google do të festojë 20 vjetorin, lufta Rusi - Ukrainë pritet të përmbyllet, në Shtëpinë e Bardhë është rikthyer Donald Trump, Europa ka rënë në peshë, Kina është bërë e frikshme dhe India gjithashtu.
Ndërkohë që në botë ndodhnin këto ndryshime epokale, në Kosovë po ziheshin se kush është më i miri dhe më trimi. Në fakt trimat e vërtetë ishin vrarë në luftë, ndërsa Shtetet e Bashkuara ishin çlirimtarët. Lufta e brendshme politike u kthye në një luftë të turpshme kundër Shteteve të Bashkuara, bash çfarë më së shumti e ka dashur dhe sponsorizuar Beogradi.
Megjithse Shtetet e Bashkuara e kishin bërë të qartë se tani duhet një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë, dhe se finalja duhet të jetë njohja e Kosovës nga Serbia dhe antarësimi në OKB, kjo nuk ndodhi kurrë. Gjithmon kishte një ose disa faktorë që kombinoheshin në mënyrën më të çuditshme - çka e bënte të pamundur finalizimin. Shpeshherë politikanët e Kosovës mbanin qëndrime folklorike dhe irracionale, duke humbur kështu kohë, energji dhe çka është kryesorja, raste të njëpasnjëshme. Deklerata pafund, takime, udhëtime të njëpasnjëshme të të dërguarve amerikan në Kosovë, konferenca shtypi, lobime dhe përpjekje pafund - por ngërçi dhe kryeneçësia Kosovës vazhdonte të zhgënjente miqtë dhe të gëzonte armiqtë e saj.
Lodhja e diplomacisë amerikane nga qëndrimi tutkun i politikanëve të Kosovës po e kthehej në nervozizëm, ndërkohë që gjeopolitika botërore po ndryshonte me orë. Luftrat në Lindjen e Mesme, në Siri, Libi dhe Irak ishin shenja serioze para se Rusia të aneksonte Krimenë në vitin 2014. Megjithatë, mbështetja amerikane pavarësisht shenjave të nervozizmit, mbahej akoma. Por politikanët kosovar vazhdonin sherret e vogla në kurriz të sigurisë dhe të ardhmes së vendit, pa e vrarë mendjen se çfarë ndodhte rrotull botës, dhe se gjeopolitika globale po ndryshonte me orë.
Në Kosovë fillon një lëvizje e re politike me emrin sinjifikativ "Vetvendosje" e cila shumë shpejt kthehet në pengesën kryesore të çdo përpjekje amerikane për të zgjidhur përfundimisht statusin e Kosovës. Lideri i saj Albin Kurti ia doli të bëjë për vete shumicën e qytetarëve, dhe në një masë të madhe t'i kthejë ata nga adhurues të Shteteve të Bashkura, në mosmirënjohës dhe disa prej tyre në urrejtës të saj. Kështu, Albin Kurti dhe VV u kthye në dhuratën më të çmuar për Serbinë, sepse ai po përmbushte ëndrrat më të çmendura të saj; po armiqësonte Kosovën me Shtetet e Bashkuara dhe po pengonte zgjidhjen përfundimtare dhe konsolidimin e shtetësisë së Kosovës. Me fjalë të tjera, Albin Kurti po i jepte Serbisë kohën e domosdosshme sa të ndryshonte peshorja gjeopolitike globale. Në këtë kuptim, Albin Kurti është më meritori.
Tani loja ka ndryshuar, asgjë nuk është më si më parë dhe një botë e tërë mban frymën. Shtetet e Bashkura nuk konsiderojnë më as fqinjët e saj, as aleatët e saj tradicional; nuk konsiderojnë Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Francën dhe Italinë. Donald Trump përçmon NATO-n dhe do të çmontojë institucionet tradicionale të sigurisë. Vet Europa e di se ka humbur shkëlqimin e dikurshëm, dhe se në sytë e Shteteve të Bashkuara europianët janë disa qylaxhinjë që meritojnë të kuptojnë vendin e tyre në rendin e ri global.
Donald Trump do të zgjidhë luftën në Ukrainë drejtëpërdrejt me Vladimir Putin. Merreni me mend se si po anashkalohet Britania e Madhe, Franca - të dyja fuqi bërthamore dhe Anëtare të Këshillit të Sigurimit; po anashkalohet Gjermana dhe vet Ukraina nga një vendim-marrje që do të ndryshojë përfundimisht Kontinentin e Vjetër.
Nëse Donald Trump nuk pyet për Anglinë, Francën dhe Gjermaninë - a mendoni se do të pyes për Kosovën?! Sepse në tavolinën ku do të ulen Donald Trump dhe Vladimir Putin do të jetë harta e Ukrainës, Europës dhe Ballkanit. Aty do të jetë edhe Kosova. Dhe askush nuk ka asnjë garanci se Kosova do të gëzojë veton e Presidentit Trump; do të jetë një resto e vogël apo bakshish i majmë për Presidentin Putin.
Politikanët shqiptarë nuk e kanë idenë se çfarë do të ndodhë pas disa javësh në Arabinë Saudite kur të ulen në tavolinë dy presidentët. Mbetet të shpresojmë se Amerika nuk do të braktisë Kosovën. Me shumë gjasa nuk dinë as britanikët dhe francezët. Por për fatin tonë të keq, ne nuk jemi as Britania e Madhe ose Republika Franceze.
Mbetet të shpresojmë se atë ditë do të harrojnë ekzistencën tonë. Por gjasat janë afër zeros.