Kur kriza bëhet sistem: Dilemat e Republikës së Kosovës

6 Mars 2026, 12:01 / IDE NGA SOKOL NEçAJ
Kur kriza bëhet sistem: Dilemat e Republikës së Kosovës

Në demokracitë parlamentare, krizat politike janë pjesë normale e jetës institucionale. Koalicionet prishen, shumicat ndryshojnë dhe zgjedhjet e parakohshme shpesh shërbejnë si mekanizëm për të rikthyer legjitimitetin politik. Por kur një shtet hyn në cikle të përsëritura zgjedhjesh dhe bllokadash institucionale, atëherë kriza pushon së qeni episod dhe kthehet në simptomë të një problemi më të thellë. Pikërisht në këtë pikë duket se ndodhet sot Republika e Kosovës.

Dështimi për të zgjedhur presidentin e ri dhe shpërndarja e Kuvendit që pasoi, nuk është vetëm një ngërç procedural. Është një moment që ekspozon një kontradiktë të brendshme të sistemit politik kosovar: Një kushtetutë që kërkon kompromis institucional në një kulturë politike, që shpërblen përplasjen dhe polarizimin.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, presidenti zgjidhet nga Kuvendi. Në dy raundet e para kërkohet shumicë prej dy të tretash e deputetëve, ndërsa në raundin e tretë mjafton shumica e thjeshtë e votave. Nëse edhe pas këtij raundi presidenti nuk zgjidhet, Kushtetuta parashikon shpërndarjen automatike të Kuvendit dhe organizimin e zgjedhjeve të reja. Ideja e këtij mekanizmi është e qartë: Të detyrojë klasën politike të gjejë kompromis për një post që simbolizon unitetin e shtetit.

Por mekanizmat kushtetues funksionojnë, vetëm kur aktorët politikë ndajnë një minimum kulture institucionale. Kur kjo kulturë mungon, vetë rregullat mund të kthehen në instrument bllokade.

Kriza aktuale është produkt i këtij paradoksi. Mazhoranca nuk arriti të sigurojë mbështetjen e opozitës për kandidatin e saj për president, ndërsa opozita refuzoi të marrë pjesë në proces në mënyrë që zgjedhja të dështonte për mungesë kuorumi. Rezultati ishte i parashikueshëm: nNë ngërç që çoi në shpërndarjen e Kuvendit dhe në zgjedhje të reja – të tretat brenda pak më shumë se një viti.

Në plan formal, përgjegjësia është e ndarë. Qeveria nuk arriti të ndërtojë një formulë politike mjaftueshëm të gjerë për një post që, për nga natyra e tij kushtetuese, kërkon legjitimitet më të gjerë se shumica e zakonshme parlamentare. Nëse kandidatura për president perceptohet si shtrirje e pushtetit partiak dhe jo si figurë unifikuese, atëherë dështimi bëhet pothuaj i pashmangshëm.

Por edhe opozita nuk mund të paraqitet si palë e pafajshme. Bojkoti mund të jetë një taktikë legjitime parlamentare në shumë raste. Megjithatë, kur përdoret për të bllokuar zgjedhjen e kreut të shtetit dhe për të detyruar shpërndarjen e Kuvendit, ai kthehet në instrument që konsumon vetë sistemin. Opozita mund të fitojë një avantazh taktik, por me koston që republika duket e paaftë të prodhojë normalitet institucional.

Pasoja e parë e këtij cikli krizash është delegjitimimi gradual i institucioneve. Kur qytetarët shohin se Kuvendi nuk arrin as të kryejë funksionet më elementare kushtetuese, besimi tek politika fillon të kriset. Zgjedhjet e shpeshta, pa aftësi për të prodhuar stabilitet, nuk e forcojnë demokracinë; përkundrazi, e banalizojnë atë. Vota fillon të perceptohet jo si mjet zgjidhjeje, por si ritual i pafrytshëm që riprodhon të njëjtën krizë.

Pasoja e dytë është paraliza e vendimmarrjes. Një shtet që hyn vazhdimisht në fushatë zgjedhore, nuk qeveriset realisht. Administrata, qeveria dhe partitë përqendrohen në kalkulimin elektoral të radhës, ndërsa politikat publike shtyhen ose mbeten pezull. Reformat strukturore – në drejtësi, ekonomi, energji apo administratë – kërkojnë stabilitet politik dhe kohë institucionale. Kur kjo kohë konsumohet nga krizat e njëpasnjëshme, shteti fillon të humbasë kapacitetin për të vepruar.

Pasoja e tretë është dëm në politikën e jashtme të Kosovës. Ndryshe nga shumë shtete të konsoliduara, Kosova mbetet ende në procesin e konsolidimit ndërkombëtar. Njohjet, marrëdhëniet me partnerët euro-atlantikë dhe dialogu me Serbinë kërkojnë koherencë institucionale dhe stabilitet politik. Një vend që paraqitet vazhdimisht në krizë të brendshme humbet peshë diplomatike dhe besueshmëri strategjike.

Në arenën ndërkombëtare, stabiliteti institucional është një formë kapitali politik. Kur partnerët e Kosovës shohin një sistem që prodhon vazhdimisht bllokada, ata fillojnë të dyshojnë në aftësinë e elitës politike për të ndërtuar marrëveshje minimale kombëtare. Kjo dobëson pozicionin negociues të vendit në çdo proces diplomatik.

Një pasojë edhe më e rrezikshme është krijimi i një precedenti kushtetues. Nëse partitë mësojnë se përmes refuzimit të kompromisit mund të çojnë vendin në zgjedhje sa herë që llogaritë elektorale u duken të favorshme, atëherë zgjedhja e presidentit kthehet në instrument shantazhi politik. Presidenca humbet funksionin e saj unifikues dhe bëhet nyje e bllokadës sistemike.

Në këtë pikë, kriza nuk është më vetëm politike. Ajo bëhet krizë e kulturës kushtetuese.

Zgjedhjet e reja mund të prodhojnë qartësi vetëm nëse rezultati elektoral krijon një mandat shumë më të qartë për një palë ose, nëse partitë kuptojnë se publiku po ndëshkon bllokadën. Por ekziston edhe një skenar tjetër, ndoshta më realist: Zgjedhjet prodhojnë përsëri një parlament të fragmentuar dhe kriza rinis me aktorët e njëjtë.

Prandaj zgjedhjet, në këtë rast, janë më shumë mekanizëm shkarkimi sesa zgjidhje strukturore. Ato e rivendosin procesin politik, por nuk e zgjidhin domosdoshmërisht problemin themelor: Mungesën e një elite politike të gatshme për kompromis institucional në çështjet që prekin vetë funksionimin e shtetit.

Kosova është një republikë e re që ende po ndërton autoritetin e saj institucional. Në këtë fazë të historisë së saj, stabiliteti politik nuk është luks; është kusht i domosdoshëm për konsolidimin e shtetit.

Nëse cikli i krizave vazhdon, rreziku më i madh nuk është vetëm paqëndrueshmëria. Rreziku është që paqëndrueshmëria të bëhet normalitet – dhe që republika të mësohet të jetojë në një gjendje krize të përhershme. Në atë moment, problemi nuk do të jetë më zgjedhja e një presidenti.

Problemi do të jetë vetë aftësia e sistemit politik, për të funksionuar si republikë.

Po ndodh...