Mullari i përbashkët i Ramës dhe Berishës

13 Gusht 2023, 11:26 / IDE NGA ERGYS MëRTIRI

Mullari i përbashkët i Ramës dhe Berishës

Ashtu si Berisha edhe Rama iu kundërvu ashpër atyre që reaguan kundër kullës 60 katëshe që do të ndërtohet në qendër të Tiranës. Në një shkrim të gjatë çarçaf (siç e cilësoi vetë), përgjakur me patetizëm vetëviktimizues në përpjekje për të falsifikuar virgjërinë, teksa glorifikoi betonizimin e Tiranës dhe shpjegoi se me sa mund, përpjekje, e netë pa gjumë ia ka arritur kësaj, ai turfulloi në mënyrë histerike ndaj të gjithë atyre që i shqetëson vërtetë shkatërrimi urban i këtij qyteti. I gjithë shkrimi ishte helm e vrer ndaj atyre që nuk e kuptojnë urbanizimin sipas modelit të betonizimit që shkatërron hapësirat e gjelbra dhe mbjell përbindësha shumëkatësh betoni, ku pastrohen paratë e krimit dhe korrupsionit.

Jo pa kodoshllëk, ai u përpoq që kritikat ti bëjë bashkë në një thes (“mullar”, e quajti ai, pa ia mohuar larmishmërinë) me Berishën dhe klientët apo ndjekësit e tij, të cilët sipas tij, nuk kanë aspak hallin e kullave, por të pushtetit dhe parave që lakmojnë duke kërkuar ti zënë vendin qeverisë.

Në fak, ky është një impostim i gënjeshtërt, pasi e vërteta është që Berisha dhe njerëzit e tij nuk kanë qenë aspak kundër kullës dhe nuk e kanë sulmuar aspak qeverinë për të. Përkundrazi, ashtu si edhe ai, Berisha dhe infrastruktura e tij mediatike sulmoi egërsisht, me të njëjtën histeri, pikërisht ata që reaguan ndaj saj. Jo vetëm kaq, por Berisha u shpreh para gazetarëve se e gjithë kjo zhurmë po bëhet për të larguar vëmendjen nga skandali i inceneratorëve, çfarë do të thotë se ai i konsideron të gjithë zërat që reagojnë për kullën si zëra që po i shërbejnë Ramës.

Tangoja duket e sinkronizuar mire:

Rama dhe Berisha ndërtojnë kulla së bashku, dhe gjithashtu së bashku, improvizojnë një duel mediatik fals, ndërsa në realitet te dy godasin vetem armiqtë e përbashkët, të gjithë ata që nuk janë pjesë e tangos. Rama bën sikur është Berisha që po e sulmon për kullën, ndërsa Berisha bën sikur është Rama që po e sulmon për marrjen e lejes së ndërtimit nga qeveria. Ne fakt, të dy po sulmojnë pjesën tjetër që qendron në mes tyre, berisha duke i konsideruar të gjithë si shërbyes ndaj Ramës, ndërsa Rama, duke i vendosur në një thes me Berishën.

Në të vërtetë, reagimi kundër këtij krimi urban ka ardhur nga njerëz të ndryshëm që nuk janë me asnjë prej tyre, madje shumica janë shprehur kundër të dyve, duke i konsideruar, ashtu siç është e vërteta: Ortakë, në këtë pazar korruptiv kundër Tiranës. E vërteta është se njerëzit e Berishës, po marrin koncensione për të betonizuar qytetin dhe kjo nuk mund të kalohet si diçka rastësore. Ramës nuk i mungon klientela që llokmën më të majme të lejeve të ndërtimit, kullën më të madhe në zemër të qendrës së Tiranës, t’ia japë njeriut të afërt të kundërshtarit të tij, i cili vetrëm pak kohë më parë e shpalli publikisht armik. Këtu kuptohet se “armiqësia” e Berishës i hyn në punë qeverisë.

Përtej sulmeve, si Rama, si Berisha nuk kanë na kanë dhënë asnjë shpjegim konkret mbi akuzat e bëra për ortakëri me njëri-tjetrin. Të dy ata përgjigjen në mënyrë bulveriste duke sulmuar akuzuesit në vend të rrëzimit me fakte të akuzës. Ata nuk bëjnë kurrfarë transparence, por vetëm i përgjigjen akuzës me kundërakuzë duke atakuar kritikët se paskëshin qëllime interesash personale kundër tyre.

Por, çfarë pastaj? Nëse akuzuesit motivohen nga interesa personale, kjo nuk i bën automatikisht të pavërteta akuzat e tyre. Fakti që ata merren me subjektin akuzues dhe jo objektin e akuzës është vetëm një tregues se ata janë kapur në flagrancë në këtë çështje. Nëse do ishin të pastër, ata do të merreshin me faktet jo me konstruktimin e profilit moral e politik të kritikëve.

Në të vërtetë, kjo aferë solli vetëm një fakt më shumë në panoramën e përgjithshme të skenës politike shqiptare që shumëkush e ka konstatuar që herët: Faktin që Rama dhe Berisha janë pjesë e një dialektike të përbashkët që mban në këmbë sistemin që i mban ata në politikë. Berisha i duhet Ramës pasi ai është garancia e tij për të mos rënë nga pushteti. Me Berishën në krye të opozitës Rama qendron në pushtet përjetësisht, aq më tepër duke qenë nongrata dhe në izolim të plotë ndërkombëtar. Për këtë arsye ai është i interesuar ta ushqejë atë. Duke i zgjatur jetën asaj që ai e quan “kufomë politike” me kërmën e së cilës ushqehet vetë, ai zgjat jetën e vet. Financat janë një prej mjeteve me të cilat ai mban gjallë prenë me të cilën ushqehet.

Berisha nga ana tjetër, i detyruar të luajë për të mbetur në politikë në pamundësi të plotë për të ardhur në pushtet, mirëpret çdo koncension nga pushteti për të zgjatur agoninë e vet me shpresë se, në një të ardhme të ckatuar, do ta ketë kapërcyer furtunën, i bindur se ndërkombëtarët do ta harrojnë një ditë nongratën.

Jo më kot oligarkët, mediat, si dhe infrastruktura e pushtetit janë vënë, prej dy vjetësh tashmë, në shërbim të revolucionit të tij imagjinar. Eshtë instikti i mbijetesës që i mbledh të gjithë bashkë në mbrojtje të Berishës i cili është tashmë fija e hollë ku sistemi mbetet varur, këputja e të cilës do të sillte rrëzimin me rradhë të të gjithë rruazave të tespijes.

ide

Nga Sidi Hasanaj 20:16 IDE

Pa Drama!

Nga Sidi Hasanaj

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128