Përpiquni të mësoheni me Altin Dumanin
Shfaqja e Altin Dumanit në një intervistë të gjatë në televizionin public, është një risi për shoqërinë shqiptare. Ai vizatoi një institucion të ri në shoqërinë shqiptare, i cili qartazi nuk është më në dorë të politikës, nuk është klient i medias tradicionale dhe gjah i saj, dhe nuk është i joshur nga grupet e interesit të shoqërisë shqiptare, që janë premisa kryesore për korrupsionin zyrtar.
Distanca e tij nga politika është e lexueshme jo në atë që thotë, por në atë që bën. Ai është shndërruar sot në një lloj “xhelati” të klasës politike shqiptare, duke futur në makth shumicën në pushtet dhe duke turbulluar ujërat e ndenjura opozitare, ku politikanë të korruptuar mbajnë parti peng për t’i shpëtuar drejtësisë. Thjesht ua ka çuar dëm këtë skemë, pasi provon se askush nuk i shpëton drejtësisë. As vula e partisë.
Por gjëja që ka bërë më shumë përshtypje është fakti që intervista e Altin Dumanit nuk u citua nga media e madhe tradicionale. Top Channel, Klan, dhe thuajse të gjitha televizionet e tjera e injoruan sikur nuk kishte ndodhur. Nuk është punë xhelozie pse ai u shfaq në TVSH, por sepse prishi një traditë të imponimit që ka pasur media e madhe shqiptare ndaj figurave të forta publike në poste kyçe. Gati-gati dukej sikur, po të mos shfaqeshe te Klan apo Topi, nuk quheshe president, kryeministër, kryeprokuror, kryetar gjykate etj.
Shfaqja e tij në TVSH dhe injorimi i intervistës nga media tradicionale është një nga shenjat më të mira që ai nuk është i kapur nga media. Shikoni përpjekjet e tyre për ta injoruar, për të kuptuar se ai nuk është i preferuari i tyre.
E njëjta gjë mund të thuhet edhe për grupet e interesit. Të vetmit që patën kurajë të reagojnë ndaj tij ishin dy avokatë të një prej grupeve kriminale që ai po heton në operacionin “Metamorfoza”. Ata u entuziasmuan nga gjuha e tij, por kërkuan debat publik për disa çështje proceduriale të tyre. Kjo tregon se ai nuk është i kapur prej tyre dhe krijon interes publik kur flet për çështje që atyre u interesojnë.
Në një farë mënyre, Altin Dumani po hyn në shoqërinë shqiptare si një institucion që nuk po ecën në gjurmët e të parëve. Ai po shmang pushtetin bipolar të politikës, ndikimin e medias tradicionale dhe grupet e interesit. Ka çelur një rrugë të re, me ndihmën e partnerëve perëndimorë, duke injoruar çdo traditë të vjetër që ka çuar në kapjen e drejtësisë nga politika, media dhe grupet e interesit.
Tani na mbetet vetëm të mësohemi me një prokuror që është mes nesh, por nuk është i joni, është i drejtësisë.
ide
top
receta Alfa
TRENDING
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128