Rama e Berisha, beteja e humbur me opinionin
Nga Indrit Gjyzeli
Humbja e pushtetit mbi opinionin publik është ndoshta humbja e parë e qartë që ka prodhuar "Revolucioni i flamingove" për Ramën dhe Berishën. Fundja, autoriteti politik nuk do kishte asnjë garanci pa rrëmbimin e fronit të opinionit publik. Ndaj si Rama ashtu dhe Berisha e shfaqën hapur nervozizmin e tyre kur pankartat e protestuesve i bënë bashkë gjer në puthje, gërshetuar me thirrjet "Rama në burg, Berisha në burg".
Por përse ky nervozizëm i Ramës dhe Berishës përballë thirrjes që i bën bashkë?
Në çdo rrethanë politike, propaganda politike ka nevojë për mbështetje nga publiku. Diktaturat marrin në krahun e tyre artin, përcaktojnë linjën e ideve në çdo fushë, që gjithçka që i duhet diktaturës të duket si dëshirë e popullit. ("Çfarë do populli, bën Partia", shkruhej në shumicën e parullave të diktaturës komuniste).
P.sh, Rama vazhdon të proklamojë faktin se ka popullin pas, teksa numëron "kontratën me 800 mijë shqiptarë". Nga ana tjetër, Berisha quan "popull i vërtetë" atë që kërkon largimin e Ramës, dhe "opozitë e opozitës", atë që thërret "Rama burg, Berisha burg", pasi për të "populli i vërtetë" nuk e ka me të.
Në fakt, paralajmërimi për këto protesta ka ardhur pikërisht nga arroganca e Ramës edhe ndaj atyre që e kanë votuar dhe nga këmbëngulja e Berishës për të ndërtuar një narrativë me armiq brenda dhe jashtë opozitës.
Por për qytetarët, veçanërisht për të rinjtë dhe të ardhurit nga diaspora, të dy fabulat, si ajo me "fashistë" nga Rama, ashtu edhe me "opozitë e opozitës" nga Berisha, nuk kanë asnjë vlerë, pasi zëri i të dyve nuk ka fuqi në atë shesh, ku mbizotëron vetëm një motiv- Stop atyre që sillen si padronë të votuesve! Dhe kjo vlen për të dy, Ramën dhe Berishën, të cilët përveçse të kundërshtuar nga protestuesit, rrezikojnë të humbin edhe autoritetin e ndërtuar mes mbështetësve të tyre. P.sh, Rama u kërkoi falje patronazhistëve të cilët, sipas tij kanë të drejtë të thonë edhe "të dhjefsha partinë", pasi ajo nuk i ka respektuar. Ndërsa Berishës iu desh të bënte shumë pirueta deklaratash që të duket se mbështet protestën, që sipas të gjitha gjasave, më shumë do ta rrëmbejë se sa ta përkrahë.
Ndërkaq, përballë protestës së të rinjve, Rama e Berisha janë gjendur krejt të papërgatitur për opinionbërësit e rinj, që nuk janë as artistët që ata u kanë blerë sa herë kanë dashur e as pseudointelektualë nga fusha e universiteteve që ata i kanë nënshtruar si konkubina interesash. Opinionistët realë janë zotëruesit kreativë të rrjeteve sociale, që kanë zhbërë lehtësisht përpjekjet intimiduese të Ramës nga influencërve dhe të Berishës ndaj krijuesve të pankartave.
Por, a do arrijnë Rama e Berisha ta rifitojnë autoritetin?
Rama po përpiqet që të debatojë me këdo në një përpjekje ekstreme duke përdorur ftesën, bullizmin, imitimin, presionin, e gjithçka tjetër, që do ta bënte bashkëbisedues me ata që protestojnë. Ndërsa Berisha, me impakt zero edhe pas amerikano-vizës, ka kaluar çdo parashikim të kapërdirjes së refuzimeve nga protestuesit, me shpresën që kur të rikthehet shina institucionale zgjedhore, të mbajë logon e opozitës më të madhe.
Gjithsesi, protesta tashmë, duke barazuar Ramën e Berishën, ka hedhur në tregun e opinionit bindjen se të dy liderët janë tallur me zgjedhësit, duke bashkëpunuar në interes të tyre dhe të një grupi biznesmenësh të cilët sponsorizojnë të dy palët. Edhe arrestimet dhe hetimet për një grup biznesmenësh me njerëz të afërt pranë Ramës dhe Berishës duket si një ngjarje që përkon fiks me këtë bindje të opinionit publik, që pas dy javësh proteste duket se nuk i beson më as asaj që thotë kreu i PS e as asaj që thotë kreu i PD.
Kjo nuk do të thotë se Rama e Berisha nuk do luftojnë ta rifitojnë opinionin publik. Por, tashmë, të dy nuk e kanë më kë dorë, pasi protesta ja ka hequr nga dora mundësinë të vendosin ata se për çfarë debatohet sot publikisht në Shqipëri. Dhe të dy e dinë se asgjë nuk është e sigurtë në politikë për sa kohë nuk e zotëron opinionin e atyre që ke përballë!/Alfapress.al
Po ndodh...
ide
Rama e Berisha, beteja e humbur me opinionin
Trash apo Treasure?/ Ka fotografi që vlejnë sa një histori
Aleanca e qytetarëve me SPAK-un imperativ historik!
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128