Si mund të zgjidhet në mars konflikti brenda opozitës?

30 Janar 2024, 21:48 / IDE NGA YLLI PATA

Si mund të zgjidhet në mars konflikti brenda opozitës?

Më shumë se vendimi i Gjykatës së Lartë për çështjen e vulës dhe shenjave dalluese të PD-së, konflikti ndërmjet opozitës ka gjasa që të zgjidhet brenda marsit.

Nëse realizohet premtimi që ka dhënë Lulzim Basha për të prezantuar përpara publikut kandidatët e mundshëm për deputetë të vitit 2025, atëherë kemi të bëjmë me kulmin dhe më pas pikën e zgjidhjes së krizës.

Shpallja e skuadrës së re të lidershipit të PD-së në 12 qarqet e vendit, do të jetë realisht politika më me bukë që do të lëvizë fuqishëm ingranazhet jo vetëm në radhët e opozitës, porn ë të gjithë politikën shqiptare.

Atëherë do të ketë arsye, vend, e natyrisht argumente të bollshme për të gjykuar e analizuar lidershipin e Lulzim Bashës, pa dublimin e fortë që i ka bërë Sali Berisha, thuajse si  “bashkëkryetar” i Partisë Demokratike për më shumë se 8 vjet.

Shansi i shpalljes tani, e jo në minutën e fundit si herët e tjera i listës së skuadrës së deputetëve, do të prodhojë një politikë reale, që mund të japë ndikime jo vetëm në PD, por edhe në gjirin e opozitës, e sipas të gjitha gjasave edhe në mazhorancë.

Më në fund, panelet e darkës kanë mjaft mundësi për të folur për një politikë reale, me emra e mbiemra, e natyrisht duke i analizuar me hollësi, pa pasur nevojën për të gjetur teori konspirative apo përralla të antikitetit.

E gjitha kjo ka ndodhur dhe ndodh, pasi Sali Berisha dhe Ilir Meta, që kanë fuqinë më të madhe mediatike nga krahu opozitar, nuk mund të prodhojnë politikë të përditshme. Ata nuk kanë ç’japin më vetëm një konflikt dhe përplasje edhe pa shkak. Kurse pjesa tjetër mbushet me teoritë e Fred Cakos, i cili duhet thënë se ka mjaft mbështetje tek njerëz anti-mazhorancë.

Ndërkaq, nëse me shpalljen e listave të kandidatëve për deputetë në mars, Lulzim Basha ja qëllon e krijon një impakt në publik, pjesa e deputetëve që i kanë shpallur luftë nuk kanë më as arsye e as mundësi ta vazhdojnë atë.

Ndërsa, nëse lista që do të nxjerrë Basha do të rezultojë një fjasko, apo nuk do të pritet mirë si fillim nga publiku i opozitës, atëherë fiton automatikisht pjesa tjetër, e grupi anti-Berisha e humb mundësinë për të qenë fuqia e ndryshimit në zgjedhjet e 2026.

Nga ana tjetër, ka shumë gjasa që t’i shpallet luftë nga qarqet mediatike të Berishës e Metës, njerëzve të listës së kandidatëve për deputetë të PD-së. Nëse ndodh kështu, sërisht është një hap pozitiv, pasi përplasja do të prodhojë sërish debat e politikë. Gjasat e listës 2025 janë që shumica e saj të jetë me njerëz të njohur të PD-së në qarqe, përgjithësisht njerëzit që drejtojnë degët e strukturat e saj, të cilët arritën t’i rezultojnë sulmit 2 vjeçar të foltores së Berishës.

Ndërkaq, edhe nëse do të ketë personazhe të tjera që nuk janë pjesë e strukturave, ata duket po dalin pikërisht nga propozimi që vjen prej poshtë.

Cilësia dhe përzgjedhja reale nga degët do të jetë kusht për arritjen e një impakti të fuqishëm në opinion. Por fuqia potenciale e kësaj lëvizje mund të rezultojë edhe më e fuqishme edhe nëse realizohen reformat kushtetuese që Lulzim Basha ka shpallur. Ai grup njerëzish mund të jetë kauza reale politike në një opinion që kërkon prej kohësh një ndryshim gjenerate të elitës politike.

 

Po ndodh...