Tragjedia ka emër: Donald Trump

1 Mars 2025, 09:22 / IDE NGA ERL KODRA

Tragjedia ka emër: Donald Trump

Ajo që pamë sonte ishte njëlloj komedie e zezë, por e realizuar keq. Kjo është komedia, ndërsa tragjedia është se ata burrat po ziheshin vërtetë.

Problemi është se në rrethana të tjera broçkullat e Donald Trump në tapetin e Wrestling do të dukeshin qesharake. Tani ai i thotë të njëjtat broçkulla nga Zyra Ovale, dhe ky fakt është tragjedia e vërtetë.

Por unë dua që tani të shkruaj vetëm për anën komike, sepse me atë tragjiken po merret Macron dhe Starmer. Ana komike është kjo:

Presidentin e SHBA e kanë rrëmbyer alienët nga një planet i yllësisë Orion. Rrëmbimi është bërë nga “Elon Musk”, një Agjent Universal që zotëron Space X, i infiltruar disa vite më parë në SHBA pasi vrau Elonin e vërtetë gjatë udhëtimit të tij të parë në Mars. Agjenti Musk - misioni i të cilit është të shkatërrojë planetin Tokë - tani ka hyrë në fazën e dytë të operacionit sekret.

Tek Donald Trump, ai ka gjetur njeriun perfekt për të realizuar projektin ogurzi; një narcizist i çmendur dhe i paskrupullt që nuk ndalet para asgjëje. Në fakt nuk kishte nevojë ta ndrronte Presidentin Trump me një sozi aliene, sepse që në krye ai ishte një tip i paskrupullt që tejkalonte çdo monster aliene.

Prandaj Elon Musk vendosi: ky është më perfekt se edhe vet djalli. Puna ishte ta bënte president të SHBA-ve. Dhe kështu u luajt loja më qesharake dhe e pisët - në dukje një seri rastësishë banale siç ishte veshi i Donald Trump, pastaj fusha e golfit, gjumi i Joe Biden, macet dhe qentë e shkreta që i hanin haitianët, Kanadaja e Zezë që e mbyti SHBA me drogë dhe emigrantë, Djalli Soros që i kishte kthyer më shumë se 70 % të planetit në bythqirë, dhe sidomos, Volodimir Zelensky dhe Hunter Biden që vendosën të sulmojnë Rusinë brenda në Ukrainë.

Elon Musk (Agjenti Alien) ia doli të krijonte skenarin perfekt, dhe të bëjë të fitojë Donald Trump, pasi kishte sulmuar Kapitolin me mijra mbështetës të tij dhe ishte degjeneruar plotësisht si një monstër e paskrullt. Por këto janë vogëlsira që për një mjeshtër si Agjenti Alien Elon Musk.

Tani këtu hyjnë në punë dy Agjentët Special më të famshëm të historisë botërore: James Bond dhe Ethan Hunt.

Kryeministri Starmer thërret në takim James Bond, që ndërkohë gjendej në një pozicion paksa të zorshëm; ai po bënte seks me Maria Zakarova në Krime. Bond braktisë Marian, dhe niset me një skaf në detë të hapur. Aty e pret Ethan Hunt me një nëndetëse bërthamore, ku gjendet edhe një agjent veteran i CIA (Samuel L. Jackson). Hunt lidhet me Starmer, ndërkohë që ai gjendet në një takim me Mbretin Charles.

- Të ndalojmë Trump - urdhëron Kryeministri. Ethan dhe Samuel do të jenë krahët, ndërsa ti do të jesh shigjeta. Ndërkohë Mbreti Charles ka vu kurorën me 19 diamandë, dhe në dorë mban Spektrin Mbretëror.

Zoti e Shpëtoftë Botën” - mërmëritë Madhëria.

Elon Musk - alieni agjent i planetit Orion - po merret me AI dhe programin DOGE - një projekt djallëzor që do të eleminojë qeverisjen federale për ta zëvëndësuar me AI. Bukur shumë.

James Bond, Ethan Hunt dhe Samuel L. nisen me nëndetse drejt SHBA. Presidenti Zelensky i pret në një hotel në Washington, gjithë ankth. Rrugës u bashkohet edhe Bruce Willis, Sean Connery, Herkuli, Spider Man dhe Captain America. Sigurisht nuk mungojnë edhe XMen.

Ky është varianti komik. Por nëse e shikoni me realizëm, në fakt nuk ka asnjë ndryshim nga varianti tragjik.

Tragjedia ka një emër:

Donald Trump.

Ps: Skenat e fundit paraqesin James Bond duke e rrahur me shpulla Donald Trump, ndërsa Ethan Hunt tërheq nga kollarja JD Wance në shkallët e Shtëpisë së Bardhë. Samuel L. dhe Bruce Willis hedhin në erë Anijen Kozmike të Elon Mask.