Matematika, gjuhë konvencionale apo pasqyrim realiteti?

Djali i një shokut tim, që e kam edhe mik në fb-uk, më pyet në inbox: - “Profesor dua mendimin tënd, matematika është thjesht një gjuhe konvencionale, si të gjitha gjuhët njerëzore, apo shpreh dhe pasqyron natyrën e materies? Apo më thjesht, funksionon materia në bazë të matematikës apo është matematika një gjuhë që njeriu ka shpikur për të shpjeguar funksionimin e materies?”
Nuk është e lehtë t’i përgjigjesh kësaj pyetje në fb-uk për vetë hapësirën që ai të lejon, por unë parapëlqej gjithmonë sfida të tilla, ku vihet në provë se sa jam në gjendje, me sa më pak fjalë të them sa më shumë gjera. Për t’a bërë bisedën sa më të këndshme për një rreth më të gjerë lexuesish po improvizoj, në stilin sokratik, një bisedë midis meje (K) dhe mikut (F) në lidhje me pyetjen e mësipërme:
K: - Dua të të pyes çfarë është për ty Matematika?
F: - Është njëra prej shkencave, madje një prej më të bukurave ndër to.
K: -Të kërkova të përshkruash thelbin e matematikës dhe jo t’i thurësh lavde asaj. Po të të pyesja për Mjekësinë ti do të përgjigjeshe se ajo meret me shëndetin dhe sëmundjet e njeriut; se ajo synon të shërojë të sëmurët dhe të mbrojë të shëndoshët. Tani po të pyes unë: A do të kishte sëmundje po të mos kishte mjekë?
F: - Pa dyshim po.
K: - Le të shqyrtojmë një fushë tjetër – Astronominë. Je në një mendje me mua që astronomët studiojnë lëvizjen e yjeve? A do të ekzistonin yjet po të mos kish astronomë? Ti përsëri do të më përgjigjesh – po. Kështu mund të vijojmë me gjeologët, biologët, kimistët dhe fizikanët që kanë për objekt të studimit të tyre sende që ekzistojnë, të botës reale. A mund të konkludojmë nga këta shembuj që çdo shkencë merret me gjëra që ekzistojnë?
Tani të vijmë tek pyetja jonë: Cili është objekti i studimit të matematicieneve? Çfarë sendesh studiojnë ata?
F: - Unë di që ata studiojnë numrat dhe figurat gjeometrike, si dhe kombinimet e tyre.
K: - Por a mund të themi se numrat dhe format ekzistojnë ashtu siç ekzistojnë sëmundjet, yjet, mineralet apo bimët dhe qënjet e gjalla? A do të ekzistonin numrat dhe format po të mos kishte matematicienë?
F: - Këtu më zure ngushtë, numrat dhe format i kanë shpikur matematicienët.
K: - Mos u ngut! Bariu që kullot delet është në gjendje të thotë se sa dele ka dhe këtë e shpreh me një numur. Po ashtu edhe botanisti që katalogon lulet mahnitet nga format e larmishme të tyre. Pra, mos haro, se pas numrave apo formave të matematikës qëndrojnë kurdoherë objekte apo dukuri reale të botës të jashtme. Objektet e matematikës janë frut i përfytyrimit dhe fantazisë tonë që kanë lindur si domosdoshmëri për të njohur dhe përshkruar objektet e botës reale. Përfytyrimi dhe objekti nuk janë e njëjta gjë. I pari lind në trurin e njeriut në formë koncepti ideal dhe ndonëse fillimisht ngjizet nga një objekt real, me kalimin e viteve ai fiton ekzistencë të pavarur, ndryshohet, përsoset pa qenë kurrë shterues.
Por do të të pyes përsëri: - Konceptet matematike vërtet krijohen nga matematicienët por a i krijojnë ata ato si t’u teket apo si t’u pëlqejë?
F: - Më pëlqen të bëj një krahasim me shkrimtarët që i krijojnë vetë personazhet e tyre.
K: - Krahasimi çalon. Po të ishte kështu, mik i dashur, do të kishte aq të vërteta matematike sa ka matematicienë. Ti e di që konceptet matematike janë një për të gjithë. Dy matematicienë, ndonëse jetojnë në vende dhe kohë të ndryshme, pa e njohur aspak njëri-tjetrin, kanë arritur në të njëjtat përfundime. Nuk kam njohur dy poetë, që jetojnë në vende të ndryshme të kenë shkruar të njëjtën vjershë!
F: - A s’mund të shpjegohet kjo me faktin që njerëzit mendojnë në të njëjtën mënyrë, prandaj edhe të njëjtat sende i përfytyrojnë njëlloj. Më lejo të të pyes: - matematicienët janë shpikës apo zbulues?
K: - Për mua matematicieni i ngjan më shumë zbuluesit. Ai është si detari i guximshëm që lundron nëpër detin e panjohur e të pamatë duke eksploruar brigje, ishuj dhe kontinente të rinj. Por për këtë i duhet të jetë edhe shpikës. Ashtu si detari që për të mbërritur në vende ku s’ka shkelur këmba e njeriut detyrohet të ndërtojë anije të veçanta edhe matematicieni për të eksploruar fusha të panjohura më parë detyrohet të shpikë koncepte dhe teori të reja. Zbulimi është qëllimi, shpikja është mjeti!
Përgatiti: Klodi Stralla, Alfapress
Po ndodh...
Amerika mund të tërhiqet nga Europa, por jo nga SPAK
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128
