Në Botën e përrallave të Andersenit

2 Prill 2022, 11:52 / JETË ALFA PRESS

Në Botën e përrallave të Andersenit

Në Botën e përrallave të Andersenit.

217 vite më parë, në 2 prill 1805, lindi "magjistari" i përrallës, shkrimtari i mirënjohur danez Hans Kristian Andersen. Ndonse ai lëvroi edhe gjini të tjera letrare, si novela, drama dhe poezi, në historinë e letësisë, Anderseni dhe përrallat për fëmijë, u bënë sinonim i njëra-tjetrës.

Lindi në një qytet të vogël danez, në familjen e një këpucari të varfër dhe të një robalarseje. Jeta e tij është ajo e njeriut që e ka çarrë vetë rrugën e jetës, duke punuar herë si zdrukthëtar, e herë si shegert, por që me vullnet stoik vazhdoi studimet. Gjersa vdiq, ai s’pati një vend të përhershëm banimi, udhëtonte shumë dhe asnjëherë s’u martua. Pati njohje dhe miqësi me Balzakun, Dikensin, Dymanë, Hajnen, Vagnerin, Shumanin, Mendelsonin, Rosinin, Listin dhe, siç i pëlqente të shprehej, shkëlqimi i mendjes dhe i shpirtit të këtyre njerëzve të shquar e mbushte edhe atë plot forcë e freski. Shkroi shumë drama, romane, shënime udhëtimi, poezi. Por, ato që e bënë Andersenin të famshëm dhe të pavdekshëm ishin përrallat për fëmijë.

Përrallën, si formë artistike, ai e zbuloi thuajse rastësisht. I ndodhte shpesh të sajonte, të improvizonte histori të çuditshme e fantastike, për t’u a treguar fëmijëve. Më pas, në kohën e lirë, i hidhte në letër si për t’u zbavitur. Kështu në 1835 doli në dritë botimi i tyre, i titulluar “Përralla për fëmijë”, një vëllim me 168 përalla. Do të mbeten të paharuara për çdo fëmijë përralla të tilla si “Çakmaku”, “Klaus i madh dhe Klausi i vogël”, “Mjellmat e egra”, “Sirena e vogël”, “Rosaku i vogël i shëmtuar”, “Bredhi” etj.

Në këtë përvjetor të lindjes të tij po postoj, në mënyrë të përmbledhur, një përrallë të veçantë, që kur e dëgjonim si fëmijë nuk e kuptonim me atë domethënie aktuale që ka sot:

"Një ditë, në qytetin e mbretit, erdhën dy mashtrues të shkathët dhe dinakë. Duke ditur se mbretit i pëlqenin shumë pëlhurat dhe veshjet, ata u prezentuan si endësit që ishin të zotë të endnin pelhura të mrekullushme prej mëndafshi dhe ari, me ngjyra nga më të bukurat. Këto pëlhura kishin një cilësi të veçantë: veshja e punuar prej tyre nuk mund të shihej nga ata që ishin budallenj dhe të pa aftë të kryenin detyrat e ngarkuara.

Mbreti mendoi se sa mirë do ish të kishte një veshje të tillë, që kur t'a vishte do shihte se kush nga bashkëpunëtorët e tij ishin budallenj dhe të pa aftë të kryenin detyrat e ngarkuara prej tij.

Mashtruesit i kërkuan ar dhe mëndafsh, dhe mbreti nuk kursente për t'a pasur sa më parë pëlhurën magjike. Kështu filloi puna. Kurioz të dinte se deri ku kish arritur endja e pëlhurës dërgoi atje ministrin e tij, të cilin e konsideronte të aftë dhe të zgjuar.

Kur ministri shkoi tek endesit, i pa ata duke punuar në tezgjahun e zbrazët.- “O Zot, unë nuk po shoh asgjë!”- mendoi me vete, “a është e mundur, unë nuk jam budalla!”. Nga frika se mbreti mund t’a largonte nga shërbimi, ai filloi të lavdërojë pëlhurën, ndonse nuk e kish parë atë.

Për t’u siguruar dergoi edhe një nëpunës tjetër, edhe ky, ndonse nuk shihte gjë, filloi të lavdërojë pëlhurën që nuk egzistonte.

Më në fund mbreti shkoi vetë për të parë me sytë e tij pëlhurën magjike që po ia lavdëronin të gjithe. "E mrekullueshme apo jo?"- i thanë obortarët e tij.

Mbreti e shikonte tezgjahun e zbrazët, por i hutuar mendoi: "Vallë mos jam unë budallai dhe s’jam i afte të kryej detyrën time?”

Dikush propozoi që nga kjo pëlhurë mbretit t’i qepen rroba me rastin e paradës që do të bëhej pas disa ditësh. Duke bërë sikur veshi rrobat, e duke i hedhur edhe një sy pasqyrës, për të vlersuar se si i rrinte veshja e re, mbreti u nis, ndërsa obortarët u kërrusën kinse për të ngritur pelerinën nga dyshemeja.

Parada u bë në qytetin e mbushur plot njerëz. Për një moment të gjithë ishin të habitur me atë që u shihnin sytë, por shpejt filluan të thonë: - "Sa e bukur është veshja e mbretit!" Askush nuk pranonte se nuk shikonte asgjë, nga frika se do t’a cilësonin budalla para të tjerëve.

Papritmas një fëmijë bërtiti: - “Shikoni, Mbreti është lakuriq!”. I ati deshi t'a pengonte fëmijën, por përshpëritjet filluan të përhapen në masë, kështu që të gjithë filluan të flasin me zë të lartë: - "Vërtet, mbreti qënka lakuriq!”

Sa aktuale është kjo përrallë sot, për ne shqiptarët që, me propagandë shumëvjeçare kemi veshur “rrobat e mbretit”, ndërsa në realitet jemi lakuriq!

Pergatiti Klodi Stralla

 

Po ndodh...

ide