Juri Gagarin – Njeriu i parë që preku Kozmosin në 88 vjetorin e lindjes

10 Mars 2022, 16:37 / DOSJE ALFA PRESS
Juri Gagarin – Njeriu i parë që preku Kozmosin në 88

Në fundvitet ’50 të shekullit që shkoi ndodhën tre ngjarje të një mbas njëshme që startuan fillimin e një epoke – Epokën e Fluturimeve Kozmike:

– Në 4 tetor 1957, për herë të parë, një trup tokësor shkëputej nga “kthetrat” e gravitetit tokësor dhe bëhej satelit i Tokës. U quajt “Sputnik 1”, peshonte 83 kg dhe fluturoj mbi sipërfaqen e Tokës në lartësinë 250 km.

– Pa kaluar as një muaj, në 3 nëntor 1957, për herë të parë, një qenie e gjallë del në orbitën tokësore dhe bëhet satelit i saj. Ky ishte qeni i famshëm Lajka që udhëtoi rreth Tokës me “Sputnik 2”, pa mundur të kthehet gjallë në Tokë.

– Në 12 prill 1961, për herë të parë, një qenie inteligjente – Njeriu, u rrotullua rreth Tokës si satelit i saj me “Vostok 1”. Ky ishte sovjetiku 27 vjeçar Juri Gagarin, që njihet si Njeriu i parë që preku Kozmosin dhe u kthye shëndoshë në Tokë.

Juri Gagarin lindi në qytetin Gzhadsk të Rusisë 88 vjet më parë, në 9 mars 1934 në një familje fshatare kolkoziane. Sherbimin ushtarak e beri në aviacion dhe kjo i dha mundësinë të bëhej pilot. U shqua për guxim dhe shkathtësi pilotimi dhe kjo që arsyeja që ai u përzgjodh midis shumë kandidateve në grupin e kozmonauteve që do të pilotonin satelitin e parë artificial. Jetoi vetëm 34 vjet (sipas versionit zyrtar u vra në një aksident ajëror), por ato pak vite ishin të mjafta t’a bëjnë të mbetet në histori.

Tashmë dihet gjithçka për atë fluturim të paharruar historik prej 108 minutash që ai kaloi në orbitë. Fjalët që tha para nisjes janë mbresëlënse:

“Pas disa minutash anija e fuqishme kozmike do të më çojë në hapësirat e largëta, honet e thella të gjithësisë. Çfarë mund të them në këto minutat e fundit përpara nisjes? E gjithë jeta ime më duket mua tani si një çast i mrekullueshëm. Gjithçka që përjetova, çdo gjë që kam bërë përpara kësaj, e kam bërë për hir të kësaj minute. Unë provova ndjenjën e lumturisë së pa përshkruar që të jem i pari njeri në hapësirën kozmike, të ndeshem një me një me Natyrën. A mund të ëndërrojë vallë për ndonjë gjë më të madhe njeriu?”.

Kam qenë vetëm 10 vjet dhe ende e mbaj mend, nga revistat sovjetike që vinin në Korçë, buzëqeshjen e tij të ëmbël që të bënte për vete, veshur me skafandrin karakteristik të kozmonautit. Ai ishte i ri, entuziast dhe optimist, kurajoz dhe këmbëngulës, një eksplorator i vërtetë. Me Gagarinin lindi edhe shkolla e parë e kozmonautëve profesionistë.

Shume shpejt Kozmosi, në ato vite dhe në vitet në vazhdim, do të bëhej arenë e garës midis dy superfuqive, BRSS dhe SHBA, të cilat shihnin tek ky sukses provat e superioritetit të sistemeve të tyre shoqërore – Socializmit dhe Kapitalizmit. Pas disa dështimesh fillestare edhe SHBA në 31 janar 1958 lëshuan në orbitë me sukses “Eksplorer 1”.

Në vitet në vazhdim udhëtimet në Kozmos u shpeshtuan. Femra Valentina Tereshkova do të ishte e para femër që doli në orbitë duke u rrotulluar 48 herë rreth Tokës. Në 1969 misioni amerikan “Apollo 11” me tre kozmonautë në bord bëri zbritjen e parë të njeriut në Hënë, me Neil Armstrong. Në vitin 2003 edhe Kina ju bashkëngjit dy superfuqive duke dërguar në orbitë kinezin e pare, Yang Lie, në bordin e anijes “Shenzou 5”. Sot sonda hapësinore është ulur butë edhe në Mars dhe ka dërguar në Tokë mostra të tokës marsiane. Aventura vazhdon……

Por sado vite të kalojnë, sado përparime të bëjë teknologjia e kozmonautikës, përherë do të kujtohen pionerët e parë të saj dhe pa dyshim i pari midis të parëve – Juri Gagarin./Pergatiti Klodi Stralla, Alfapress.al

 

 

 

 

 

Po ndodh...