Krijohet Shoqata e E-commerc-it Shqiptar

11 Shkurt 2022, 18:34 / EKONOMI&SOCIALE ALFA PRESS
Krijohet Shoqata e E-commerc-it Shqiptar

Sot, më datë 11 shkurt 2022 u vendos krijimi i Shoqatës së E-commerc-it Shqiptar. Rreth 110 subjekte që operojnë në këtë fushë, së bashku me partnerë si institucionet dhe organizatat financiare, kompanitë logjistik, të teknologjisë dhe inovacionit u mblodhën në një takim në mjediset e “Hotel Plaza”, në Tiranë, ku diskutuan për krijimin e kësaj organizate. Në fund, 35 subjekte nënshkruan krijimin e këtij organizimi i cili do të mbrojë interesat legjitime të operatorëve të këtij sektori.

Nisma për krijimin e  Shoqatës së E-commerc-it Shqiptar u ndërmor nga një grupim kompanish shqiptare, të kryesuar nga Valer Pinder, CEO i “Aladini Trade Partner”, Zyra e Bashkëpunimit Gjerman për Zhvillim (GIZ) dhe ABSL Albania.

Përfaqësuesit në këtë takim dhanë ide dhe propozime për ngritjen dhe funksionimin e kësaj organizate. Mes tyre u propozua që kompanitë anëtare të shoqatës të pajisen me një certifikatë sigurie për të rritur besueshmërinë në treg si dhe u diskutua ngritja e një fondi garancie për klientët. Në fund u vendos për ngritjen e një Bordi Këshillimor me pjesëmarrjen e organizave dhe institucioneve financiare kombëtare dhe ndërkombëtare, të ekspertëve të fushave që lidhen me tregtinë elektronike dhe partnerë të tjerë që lidhen me këtë sektor.

Para disa ditësh Ministria e Financave ka thirrur në një takim të gjithë përfaqësuesit e kompanive që tregtojnë online dhe ka kërkuar prej tyre propozime për përmirësimin e kuadrit ligjor – rregullativ si dhe ndërmarrjen e hapave të përbashkët në luftën kundër evazionit fiskale dhe mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve në Shqipëri.

 

Po ndodh...

ide