Grimca kujtimesh nga koha e Mbretërisë

16 Maj 2022, 15:26 / AKTUALITET ALFA PRESS

Grimca kujtimesh nga koha e Mbretërisë

Këtë vit korçarët duhet të festojnë 105 vjetorin e Liceut Kombëtar, një prej shkollave më serioze e më të kualifikuara të kohës në shtetin e posakrijuar shqiptar.
Në kujtimet e tij, patrioti korçar Nikollaq Zoi, prefekt i Korçës në qeverinë e dalë nga Kongresi i Lushnjës, sjell këtë episod kuptimplotë:
“.....Gjatë një provimi me shkrim, profesori frëng Bregeaud (Brezho) i thotë nipit të Zogut që, po të donte të kapërxente klasën, duhet të jepte provim në vjeshtë se atë të asaj dite profesori s’e merrte ndër sy, se ky student kopionte nga një libër që mbante fshehur. I nipi i Zogut i pergjigjet:
- Unë jam princ, dhe s’pranoj urdhëra nga ju.
- Vërtet princ je, dhe si princ të salutoj jashtë shkollës, po këtu brenda je student si gjithë të tjerët, pa asnjë të drejtë më shumë – ishte përgjigja e profesorit.
Mbi ankesën e princit në ministrinë e arësimit, pas 10 ditësh profesori pushohet nga puna dhe vete në Tiranë të marrë pasaportën për t’u larguar nga vendi. Legata frënge, e vënë në dijeni për ngjarjen dhe arsyen e largimit, ia komunikoi atë Mbretit Zog. Atëhere Zogu urdhëroi menjëherë anullimin e pushimit të Brezhoit, ministri përgjegjës morri një vërejtje të rënde, ndërsa princi nxenës për këtë gjest u dënua”
Sot këto lloj ngjarje duken si të sajuara, që vijnë nga një botë sureale, por kanë qenë të vërteta. Princi, djali i motrës të Zogut, nuk e përfundoi dot Liceun Kombëtar për arsye paaftësie dhe familja u detyrua t’a dërgonte në Francë në një shkollë me kërkesa shumë më të buta se Liceu frëng i Korçës.
Shqiptarët nuk kanë lindur të koruptuar, por fatkeqësisht udhëheqësit e tyre nuk kanë drejtuar nëpërmjet shembullit të tyre personal.
PS. Në foto, drejtori teknik i Liceut, Léon Perret se bashku me trupen mesimore në vitin shkollor 1928-1929, dalë në dera e jashtme e shkollës./ Përgatiti Klodi Stralla

 

Po ndodh...

ide