HISTORI/ Fakte dhe detaje të panjohura, si u përgatit pushtimi italian i Shqipërisë

Pushtimi i Shqipërisë më 7 prill 1939, ishte një ngjarje e paralajmëruar. Sot gati më shumë se 80 vjet nga ajo ditë, nuk ka më hezitim se pushtimi ushtarak ishte jo vetëm pjesë e kontekstit gjeopolitik në prag të Luftës së Dytë Botërore, por edhe një pasojë e politikës së brendshme dhe të jashtme të ndjekur nga Ahmet Zogu në raport me Italinë fashiste. Ndoshta jo e qëllimshme, por e imponuar së pari nga rrethanat ekonomike dhe ambicia personale për pushtet.
Pakti i fshehtë ushtarak italo-shqiptar
Gjurmët e para të ambicieve italiane për një dominim ushtarak të Shqipërisë datojnë hershëm, në marrëdhëniet e saja me qeverinë e Ahmet Zogut.
Frika e këtij të fundit nga ndonjë përmbysje e mundshme nga kundërshtarët e tij politik e detyroi që, që në ditët e para të pushtetit të tij të kërkonte ndihma ushtarake nga Roma. Por Roma ndihmat ushtarake i kushtëzoi me protektoratin italian ndaj Shqipërisë, duke cenuar hapur klauzolën e Konferencës së Ambasadorëve të vitit 1921. Nga të gjitha kërkesat italiane duket se Ahmet Zogu për shkak të gjendjes në vend dhe si pasojë e kërcënimeve të negociatorit italian Lesona, premtoi se do të lidhte një marrëveshje ushtarake të fshehtë me Italinë.
E vetmja rrugë që kjo marrëveshje të ishte evazive ishte lidhja e saj me anën e korrespondencës mes Zogut dhe Musolinit. Pra mungesa e firmave të ministrave të jashtëm, duket se në logjikën e Zogut e bënte nul këtë pakt të fshehtë, pra jo me fuqi detyruese.
Në fakt “Traktati i aleancës difensive”që u nënshkrua më 27 nëntor 1926 nuk bëri gjë tjetër por e rikonfirmoi vendimin e 9 nëntorit të vitit 1921 që e njihte Shqipërinë, “si sferë të influencës” italiane.
Traktati është trajtuar në literaturën historike, sidomos atë italiane si një akt që kishte përfitime të ndërsjella.
Por cilat ishin efektet e mirëfillta në sferën ushtarake të këtij traktati?
Nëse e analizojmë marrëveshjen në terma ushtarak, bie në sy koncepti i mbrojtjes së ndërsjellë në rast kërcënimi nga jashtë. Në fakt, në vitin 1926 kur u realizua kjo marrëveshje ushtria shqiptare ishte akoma në proces organizimi. Kështu që mbrojtja e ndërsjellë me forca ushtarake të përbashkëta, me një shtab të përbashkët, ishte hapi i pari i kontrollit italianë mbi ushtrinë shqiptare dhe i minimizoi shanset që ushtria shqiptare të reformohej në mënyrë të pavarur.
Vetëm një vit më vonë, pas nënshkrimit të këtij traktati me afat 5 vjeçar, qeveria e Zogut do të nënshkruante një tjetër pakt, Paktin e II të 22 nëntorit 1927. Sipas këtij pakti “aleanca mbrojtëse” ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë bëhej për një periudhë të pandryshueshme 20 vjeçare.
Në rast të një sulmi të jashtëm, secila nga palët nënshkruese do të ndante fatin e palës tjetër, duke vënë në shërbim të “aleates” së vet të gjitha mjetet ushtarake, financiare etj., në rast se kjo do të kërkohej nga pala e kërcënuar.
Duke u justifikuar me vendosjen e “reciprocitetit” të munguar në traktatin e vitit 1926, Italia, tashmë arriti t’i impononte Ahmet Zogut, politikën e saj ekspansioniste duke e kthyer Shqipërinë në bazë ushtarake të Italisë në Ballkan.
Kolonel Alberto Pariani, menjëherë pas këtyre do të caktohej konsulent ushtarak në Legatën italiane në Tiranë. Hapi i radhës nga ana e Romës do të ishte gradimi gjeneral i Parianit dhe vendosja e tij në krye të misionit ushtarak italianë me rreth 70 trupa që do ngarkoheshin me detyrën e “riorganizimit dhe modernizimit të ushtrisë shqiptare, për të garantuar rendin e brendshëm dhe kufinjtë”.
Marrëveshjet e detyronin qeverinë shqiptare që të pranonte në radhët e ushtrisë shqiptare vetëm organizatorë italianë, duke i mbyllur rrugët e bashkëpunimit me çdo ushtri tjetër perëndimore.
Po kështu fakti që ushtarakët italianë paguheshin nga shteti shqiptarë, por nuk merrnin shtetësi shqiptare ngrinte shumë pikëpyetje se në shërbim të kujt ishin dhe të çfarë interesash mbronin ata. Pika më problematike e marrëveshjes lidhej me të drejtën e ushtrisë italiane për të pushtuar bregdetin dhe tokat shqiptare nën të ashtuquajturin justifikim “për qëllime mbrojtëse të vendit”. Italia kishte arritur të dominonte politikisht dhe ushtarakisht në Shqipëri dhe pushtimi ishte një çështje e legjitimuar.
Profesor Arben Puto, duke iu referuar një relacioni të shefit të Zyrës për Shqipërinë, Lojacomo, për zv/ sekretarin e Punëve të Jashtme, Grandi, dt 21 tetor 1928, fakton se organizimi i ushtrisë shqiptare ishte tërësisht në duart e italianëve, madje ai nuk e quan rastësi përdorimin e “gjuhës ushtarake” nga ana e Lajocomos në relacionin e tij. Italianët ishin më se të vendosur për realizimin e programit të tyre ushtarak në Shqipëri.

Çiano, arkitekti i pushtimit të Shqipërisë
Çiano do ta vizitonte për herë të parë Shqipërinë në prill të vitit 1937. Në gusht të vitit 1937, në ditarin e tij, Çiano do të zbërthente planin e pushtimit të Shqipërisë. Ai shkruante se çështja shqiptare duhet “të zgjidhej në mënyrë integrale”.
Duçja e aprovoi dha pëlqimin për “zgjidhjen integrale”, madje po të ishte nevoja edhe me luftë.
Ditarët e Çianos hedhin dritë gjithashtu edhe mbi variantet e veprimit për pushtimin e Shqipërisë, pasi ka pasur më shumë se një plan të tillë. Një ndër planet e veprimit që analizohet në veprën e profesor Putos, “Shqipëria Politike 1912-1939”, ishte eliminimi i Ahmet Zogut dhe justifikimi i ndërhyrjes ushtarake, duke iu kaluar kurora Viktor Emanuelit të III dhe në një fazë të dytë, aneksimi i thjeshtë.
Italia ishte në kërkim të një preteksti, që do të justifikonte ndërhyrjen e saj ushtarake.
Dhe pretekset ishin me shumicë në relacionet e Françesko Jakomonit, i emëruar në postin e ministrit në Tiranë. Këto pretekste do t’i shfrytëzonte Çiano për hartimin e planit të pushtimit.
Çdo përpjekje e qeverisë shqiptare për të forcuar ushtrinë e saj në këtë periudhë u kundërshtua nga legata italiane në Tiranë. I tillë ishte refuzimi për hapjen e shkollës së aviacionit në Tiranë për përgatitjen e kuadrove ushtarakë.
Nga ana tjetër një ndër masat që Çiano propozonte ishte dobësimi i ushtrisë shqiptare, duke krijuar “bërthama aneksioniste”.
Italia përshpejtoi përfundimin e një sërë objektesh ushtarake. Objektet strategjike që ata ndërtuan me miratimin formal të Zogut lidheshin me pikat strategjike të territorit shqiptar si: Karaburun, Këlcyrë, Tepelenë, Porto Palermo etj.
Në mbledhjen e Këshillit të Lartë Fashisht, më 30 nëntor 1938, Musolini do të deklaronte: “Ashtu siç u hakmorëm ndaj Aduas, do të hakmerremi edhe kundër Vlorës”.
Për realizimin e projektit të tij Çiano e shqyrtoi fillimisht çështjen në planin diplomatik. Duke hyrë në bisedime me Beogradin ai shkruante në ditarin e tij, se pushtimi i Shqipërisë do të bazohej në formulën: Me Stojadinoviçin, copëtim i Shqipërisë, pa Stojadinoviçin pa Jugosllavinë dhe ndoshta kundër Jugosllavisë. Në kushtet kur jugosllavët u njohën tashmë me planet italiane të pushtimit, u përcaktua edhe koha: 1 deri në 9 prill.
Bisedime pati edhe me britanikët, por Roma ishte e sigurt, se pavarësisht marrëveshjes së prillit 1938 “mbi statukuonë në pellgun e Mesdheut”, Londra nuk do të reagonte, parashikim që doli më se i vërtetë. Duket se e vetmja figurë që ishte kundër pushtimit të Shqipërisë, ishte mbreti Viktor Emanuel i III, që e konsideronte këtë hap të rrezikshëm.
Por Musolini u tregua mospërfillës ndaj këtij qëndrimi. Ai mori gjithashtu edhe “bekimin” e aleatit të tij qeverisë gjermane, e cila i pohoi qeverisë italiane se deti Mesdhe dhe deti Adriatik njiheshin si dete italiane e si pasojë Italisë i liheshin duart e lira në Shqipëri.
Në Italinë Jugore u përqendruan repartet ushtarake dhe njësitë detare, ndërsa shtabi i përgjithshëm italianë filloi të hartonte planin e hollësishëm të operacioneve që ju lanë për drejtim gjeneral Guzzon-it.
Ngjarjet kulmuan më 25 mars, kur në Tiranë mbërriti kolonel Mario de Ferraris. Ai i paraqiti Zogut një projekttraktat që vetë Çiano e quante “protektorat”. Pikat e tij ishin: vendosja e trupave italiane në qendrat kryesore të vendit si dhe në zonat kufitare, lidhja e bashkimit doganor, vendosja në zonën fushore të një numri të papërcaktuar kolonësh italianë, të cilët do të gëzonin të drejta sikurse shtetasit shqiptarë etj.
Tentativa e fundit para kapitullimit nga ana e Ahmet Zogut ishte hartimi i disa kundërpropozimeve, të cilat hapnin rrugë për një depërtim më të thellë italianë në vendin tonë, sidomos ushtarak. Kështu parashikohej që ushtria italiane të vendosej në territorin shqiptar në disa rrethana.
Kundërpropozimet nuk u morën fare në shqyrtim dhe Duçja, urdhëroi fillimin e operacionit.
Kërkesës së Ahmet Zogut ndaj Duçes për bisedime, ky i fundit ju përgjigj se ai tashmë mund t’i drejtohej gjeneral Alfredo Guzzonit, kryekomandantit të trupave të pushtimit.
Pushtimi i Shqipërisë, ose sulmi, filloi në orën 5 të mëngjesit të datës 7 prill. Në portet detare të Shqipërisë (Durrës, Vlorë, Sarandë, Shëngjin) zbarkoi një ushtri prej 40 mijë vetash. 400 aeroplanë, 12 anije lufte të organizuara në dy divizione këmbësorie, katër regjimente bersalierësh, tre batalione tankesh, një grup tankesh të korracuara nga batalioni special “San Marko” dy batalione këmishzinjsh, një regjiment granatierësh, dy grupe artilerie të kalibrit të mesëm, si dhe të shoqëruar me 2 koracata, 7 kryqëzorë, dhjetëra torpedierë e nëndetëse si dhe nga një flotë e madhe ajrore që kishin bazat në Italinë e Jugut.

Agresioni dhe rezistenca
Trupat italiane kishin parashikuar një zbarkim të shpejtë dhe një pushtim të Tiranës po në datën 7 prill. Rezistenca e popullit shqiptar ishte nënvleftësuar. Por forcat shqiptare edhe pse të pakta në numër bënë një qëndresë stoike. Kjo i detyroi forcat italiane që zbarkimin në portin kryesor tëDurrësit ta shoqëronin me bombardime të rrepta nga deti e ajri. Për pushtimin e Durrësit dhe pushtimin e mëtejshëm të Tiranës, ishte caktuar trup-ekspedita e kryesuar nga Xhovani Messe. Në përbërje të saj kishte disa regjimente dhebatalione të të gjitha armëve. Në këtë sektor vepruan rreth 6000 trupa. Në zbarkim morrën pjesë 12 anije luftarake, ku 4 ishin kryqëzorë dhe 8 kaçator-torpedo si dhe 10 anije transporti. Inskursionet luftarake kryen dhe 36 aeroplanë bombardues që mbuluan gjithë Shqipërinë e Mesme.
Në portin e Durrësit ata u pritën nga 600 trupa shqiptarë që kishin si armatim pushkë, mitroloza, topa nën drejtimin e komandantit të xhandarmarisë së Durrësit Abaz Kupi. Forcat e qëndresës u rritën gjatë zbarkimit dhe zbarkimi u zbraps dy herë. Pa barazia në forca dhe armatim bëri që pas katër orësh luftime, rreth orës 9 të mëngjesit, forcat italiane zbarkuan në Urën e Dajlanit. Forcat shqiptare kryen disa aksione për të penguar marshimin drejt Tiranë, siç ishte hedhja në erë e urës së Shijakut.
Edhe zbarkimi në Shëngjin ishte një zbarkim i vështirë, pavarësisht forcave të shumta italiane. Në veri të Shqipërisë, në qytetin e Shkodrës spikati qëndresa e organizuar e forcave ushtarakeshqiptare të drejtuara nga major Spiro Moisiu. Trupat ishin pjesë e batalioneve “Drini” dhe “Taraboshi”.
Në Vlorë zbarkuan 12 anije luftarake. Kurse luftëtarët vlonjate ishin vetëm 300 vetë. Ata ishin vendosur përgjatë Skelës, Plazhit të Vjetër e deri në Ujë të Ftohtë. U shfrytëzua dhe terreni kodrinor i qytetit, si Kuzum Babaja, Qafa e Topit etj.
Synimi i italianëve ishte marshimi drejt Fierit, Beratit, Lushnjes, etj. Po në të njëjtën kohë u bë zbarkimi në Sarandë. Zbarkimi u bë me 13 anije luftarake të mbuluar nga 10 aeroplanë bombardues, që fluturonin mbi Himarë, Sarandë, Gjirokastër, etj. Rreth 140 veta të armatosur u vendosën në molin e qytetit. Edhe këtu luftimet deri në zbarkim zgjatën disa orë, derisa forcat italiane hynë në qytet me tanke dhe forca të tjera të motorizuara.

Shqipëria u gjet e pa përgatitur për pushtim, pavarësisht qëndresës dhe një pjese të ushtrisë së rregullt. Por Shqipërisë i mungonte një udhëheqje ushtarake dhe ushtria e saj tepër e vogël ishte nën kontrollin e italianëve. Kjo e bënte të pamundur organizimin e një qëndrese në shkallë kombëtare./ Shkruar posaçërisht për Alfapress.al
Po ndodh...
Sali Llapa
ide
Republika e Hajdutëve!
Shqipëria, kjo anije e ngecur në zejen e vjedhjes!
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128