"Mohikani" i fundit i Fizikës klasike – Maks Plank (1858-1947)

Titullin e këtij shkrimi e huazova nga një shkrim kushtuar Maks Plankut me rastin e 120 vjetorit të “lindjes” të Kuantit, këtij koncepti fizik që revolucionarizoi Fizikën e shek.20-të, dhe shënoi lindjen e Mekanikës Kuantike, kësaj disiplinë shkencore me përmbajtje të thellë teorike e filozofike, me zbatime të shumta praktike, ku, pa dyshim, Maks Planku mbetet ai që vendosi gurin e parë në themelet e saj.
Në 26 prillin e 1900-ës, ditën kur Planku dërgoi për botim në Akademinë e Berlinit artikullin e tij mbi natyrën e rrezatimit, ai ishte plot 53 vjeç, një moshë kjo ku njeriu i shkencës është konservator, i formuar dhe brumosur me idetë tradicionale të kohës të vet. Zbulimet e mëdha me natyrë revolucionare ngaherë janë bërë nga të rinjtë 20-30 vjeçarë. Ishte forca e tij shpirtërore dhe karakteri i fortë shkencor që e detyruan Plankun të flijojë përfytyrimet tradicionale dhe t’i hapte shtegun më të rinjve të ecnin në rrugën e duhur. Dhe vërtet pas tij, Ajnshtajni me studimin e foto-efektit, Bori me postulatet e tij për modelin e atomit, De Brogli me natyrën valore të lendës, Schredingeri me ekuacionin e famshëm valor apo Diraku me “brimat” e tij dhe Heizembergu me relacionin e papërcaktueshmërisë, i dhanë formë e jetë asaj që sot të gjithë e njohim si Mekanika Kuantike – disiplina fizike që studion - Mikrobotën.
Po cili zbulim e bëri kaq të famshëm atë? Ai zbuloi një konstante fizike që mban emrin e tij, dhe që shënohet me simbolin “h”. Kjo konstante luan rolin e një “sopate”, që e ndan energjinë në porcione minimale që quhen “quantume” ose “kuante” me vlerë hv. Energjia totale e një rrezatimi tani do të përfytyrohej si e përbërë nga këto kuante diskrete: hv, 2hv, 3hv…..nhv, ku n-numër i plotë, kurse v – frekuenca e rrezatimit. Situata ishte analoge me atë të një arke bankare që jep dhe merr shuma parash vetëm me prerje 1$, 2$, 5$, 10$, 20$, 50$.
Përpara Plankut, mendohej se rrezatimi elektromagnetik (ku hyn edhe drita), kryente lëvizje të vazhdueshme në formën e valëve. Me përfytyrimin e ri të Plankut, rrezatimi lëviz si pjesëz, që quhet kuanti i rrezatimit ose “foton”. Pra rrezatimi përfytyrohet si fluks fotonesh me energji. Më thjeshtë: Rrezatimi mund të përfytyrohet më mirë me pikat e shiut që godasin dritaren, se sa me ujin që rrjedh në lumë. Fizikanëve do t’u duhej të “bashkëjetonin” tashmë me kuantin. Ata filluan të mësohen për të menduar ndryshe – jo më me logjikën e vjetër klasike, por me një logjike të re, “jo logjike” do të thoshte Llandau. Themi jo logjike, sepse hipoteza e tij kundërshtonte logjikën e zakonshme të fizikës klasike, që fizikanët e asaj kohe nuk e vinin në dyshim. Në fizikë u krijua një situatë origjinale – ekzistenca e arsyetimeve të kundërta: logjike dhe jo logjike. Logjika e vjetër lejonte vetëm dy përgjigje në çështjen e pozicionit të elektronit, në një moment kohe të dhënë: ose gjendet, ose nuk gjendet në një pikë të hapësirës. Tani kemi në rezervë edhe një përgjigje tjetër: “E papërcaktuar”. Kjo vështirësi e madhe logjike u lejoi fizikanëve të shpjegonin në mënyrë të re dukuritë fizike të lëndës dhe rrezatimit. Në këtë situatë të çuditshme, u realizua një progres i madh shkencor e teknologjik, i cili nga hipoteza e parë e Plankut arriti deri në ditët tona në përpjekjet për të ndërtuar kompjuterin kuantik, miliarda herë më të shpejtë se të zakonshmit, ku veprimet nuk do të kryhen një e nga një me radhë, por njëkohësisht, i cili pritet të shkaktojë një “cunam” teknologjik
Po kush ishte Maks Planku? - Ishte një zyrtar tipik prusian i shek.19-të, me një shikim të vrazhdë, me këmishën e tij të bardhë dhe i kollarisur me kravatën e zezë me flutura. Ishte shumë i kujdesshëm para se të merrej me një problem shkencor ose çfarëdo lloji pune tjetër. Lajtmotivi i tij ishte: “Së pari, do vlerësuar me saktësi çdo hap dhe pastaj nëse mendoni se mund ta merrni përgjegjësinë, mos lejoni asnjë t’ju ndalojë”.
Lindi më 23 Prill 1858 në qytetin Kil të Gjermanisë, në një familje intelektuale. Gjimnazin dhe universitetin e kreu në Mynih ku edhe u specializua në fushën e Fizikës teorike. Disertacionin e mbrojti me studimin e dukurive termodinamike dhe doktoraturën për “Natyrën e rrezatimit të trupit absolutisht të zi, fushë ku u përball me “kuntin”, të cilin fillimisht nuk e pranoi, pastaj e pranoj si kompromis, por që më vonë do të detyrohej ta pranonte edhe si një realitet fizik.
Gjatë karrierës të gjatë shkencore botoi shumë studime dhe pati shumë detyra akademike, si profesor universiteti, shef i katedrës të Fizikës teorike apo anëtar i Akademisë shkencore të Berlinit. Ja vlen të përmendet se Planku ishte i pasionuar edhe pas muzikës klasike, ku luante shumë bukur në piano.
Por në jetën e tij personale, Maks Planku, pati edhe shumë hidhërime. Në kohën e Luftës së Parë Botërore iu vra djali i tij i madh. Dy vajza i vdiqën në moshë të herët, kurse djali më i vogël i tij më 1945 u terrorizua nga fashistët. Vetë Planku jetoi deri në pleqëri të thellë, pothuajse deri në moshën 90 vjeçare. Vdiq në 7 tetor 1947 dhe u varros në Getingen.
Maks Planku në jetë ishte shumë i thjeshtë. Ai meritoi shumë ndere. Por nderi më i madh ju bë kur ju akordua çmimi Nobel në vitin 1920 dhe një asteroid që u zbulua më vonë, u quajt për nder të tij, “Plankiona”. / Përgatiti: Klodi Stralla, Alfapress
Po ndodh...
Amerika mund të tërhiqet nga Europa, por jo nga SPAK
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128
