Manifesti komunist i Karl Marksit, pamfleti politik më me ndikim në historinë botërore
Më 21 shkurt 1848, Manifesti Komunist, shkruar nga Karl Marksi me ndihmën e Friedrich Engels, botohet në Londër nga një grup socialistësh revolucionarë me origjinë gjermane të njohur si Lidhja Komuniste. Pamfleti politik – ndoshta më me ndikim në histori – shpallte se “historia e gjithë shoqërisë deri tani ekzistuese është historia e betejave të klasave” dhe se fitorja e pashmangshme e proletariatit, ose e klasës punëtore, do t’i jepte fund shoqërisë së klasave përgjithmonë. Botuar fillimisht në gjermanisht si Manifest der Kommunistischen Partei (“Manifesti i Partisë Komuniste”), vepra pati pak ndikim të menjëhershëm. Megjithatë, idetë e saj jehuan me forcë në rritje në shekullin e 20-të dhe deri në vitin 1950 gati gjysma e popullsisë së botës jetonte nën qeveritë marksiste.
Manifesti Komunist do të shërbent si platformë e Lidhjes Komuniste. Ai do të bëhej dokumenti kryesore programatik i partive socialiste dhe komuniste evropiane në shekullin e 19-të dhe në fillim të shekullit të 20-të. Manifesti Komunist mishëron konceptin materialist të autorëve për historinë dhe analizon atë histori nga epoka e feudalizmit deri në kapitalizmin e shekullit të 19-të. Sipas tyre ky rend shoqëror ishte i destinuar, të rrëzohej dhe do të zëvendësohej nga një shoqëri punëtore. Komunistët, pararoja e klasës punëtore, përbënin pjesën e shoqërisë që do të realizonte “heqjen e pronës private” dhe “ta ngrinte proletariatin në pozitën e klasës sunduese.
Marksi e shkroi Manifestin Komunist në janar 1848, duke përdorur si model një trakt që Engels shkroi për Lidhjen në 1847. Në fillim të shkurtit, Marksi e dërgoi veprën në Londër dhe Lidhja e miratoi menjëherë si manifestin e tyre. Shumë nga idetë në Manifestin Komunist nuk ishin të reja, por Marksi kishte arritur një sintezë të fuqishme të ideve të ndryshme nëpërmjet konceptimit të tij materialist të historisë.
Manifesti Komunist hapet me fjalët dramatike “Një fantazmë po e përndjek Evropën – fantazma e komunizmit” dhe përfundon duke thënë: “Proletarët nuk kanë asgjë për të humbur përveç zinxhirëve të tyre. Ata kanë një botë për të fituar. Punëtorë të të gjitha vendeve, bashkohuni.” Në Manifestin Komunist, Marksi parashikoi revolucionin e afërt në Evropë. Pamfleti “nuk ishte ftohur akoma” pasi doli nga shtypi në Londër kur shpërtheu revolucioni në Francë më 22 shkurt mbi ndalimin e takimeve politike të mbajtura nga socialistët dhe grupet e tjera opozitare. Trazirat e izoluara çuan në revoltë popullore dhe më 24 shkurt mbreti Louis-Philippe u detyrua të abdikonte. Revolucioni u përhap si një zjarr në të gjithë Evropën kontinentale. Marksi ishte në Paris me ftesë të qeverisë kur qeveria belge, nga frika se vala revolucionare do të përfshinte së shpejti Belgjikën, e dëboi atë. Më vonë atë vit, ai shkoi në Rheinland, ku propogandoi për revoltë të armatosur.
Borgjezia e Evropës shpejt e shtypi Revolucionin e 1848-ës dhe Marksit do t’i duhej të priste më gjatë për revolucionin e tij. Ai shkoi në Londër për të jetuar dhe vazhdoi të shkruante me Engelsin, ndërsa organizonin më tej lëvizjen komuniste ndërkombëtare. Në vitin 1864, Marksi ndihmoi në themelimin e Shoqatës Ndërkombëtare të Punëtorëve – e njohur si Internacionalja e Parë – dhe në 1867 botoi vëllimin e parë të tij monumental Das Kapital – veprën bazë të teorisë komuniste. Me vdekjen e tij në 1883, komunizmi ishte bërë një lëvizje e rëndësishme në Evropë. Botimi i manifestit gjatë këtyre 174 viteve ka pasur mbi 400 edicione botimesh në rreth 80 gjuhë në mbarë botën./ Alfpress
Po ndodh...
Amerika mund të tërhiqet nga Europa, por jo nga SPAK
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128
